Arbëri

Nis seanca në Speciale ndaj Gucatit

Ka nisur të enjten seanca në Gjykatën Speciale ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara.

Gucati ishte arrestuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve.

Fillimisht, avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Ellison Reis, ka kërkuar të mos fotografohet Gucati i rrethuar me oficerë policie, pavarësisht që kjo është traditë.

Tri herë muajin e kaluar, OVL e UÇK-së ka thënë se ka pranuar - në mënyrë anonime - dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.