21:31

Bogujevci: E pakuptimtë që institucionet nuk reaguan për deklaratën e Trumpit

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka thënë se është e pakuptimtë që institucionet e Kosovës nuk reaguan për deklaratën e Trumpit.

Ditë më parë Trumpi kishte thënë se SHBA-ja ka ndaluar vrasjet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Ne po i ndalojmë vrasjet në masë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata po e vrisnin njëri-tjetrin për kaq shumë vite”, kishte thënë Trump ndër të tjerash.

Sipas saj kjo ndodh kur e ke një qeverisje edhe një kryeministër jolegjitim dhe thirret në përfaqësim të popullit dhe pranon pjesë të marrëveshje që ose të barazon me Serbinë, ose komplet konteston pjesën e vuajtjes së popullit të vet.

“Për mua ka qenë shqetësuese dhe në fakt unë pasur edhe një reagim rreth kësaj deklarate dhe është e pakuptimtë se si institucionet e vendit nuk kanë asnjë reagim apo dërgojnë sqarim rreth kësaj çështje, dhe ti barazohesh me Serbinë. Është problematikë shumë e madhe. Dhe tjetra, kur shkon dhe dialogon pa e ngritë në asnjë aspekt çështjen e krimeve që janë bërë në Kosovë”, ka thënë Bogujevci.

Sipas saj çka është pjesa tjetër e tmerrshme është një pjesë e paragrafit përbrenda marrëveshjes ku çështja e të pagjeturve barazohet me çështjen e të zhvendosurve.

“Si lejon që me ndodh ky aspekt. Pjesa tjetër përmend që të formohen institucione përbrenda Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë për t’i trajtuar këto çështje. E ke Komisionin për persona të pagjetur, i ke ministritë përkatëse që e trajtojnë këtë çështje. Ose kanë qenë tepër të papërgatitur ose të padijshëm në këtë drejtim”, ka thënë Bogujevci.

21:19

Bogujevci: Duhet të rritet numri i prokurorëve për gjykimin e krimeve të luftës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka thënë se shqetësimi është bartja e lëndëve nga UNMIK-u dhe EULEX-i për të cilat nuk dihet çka ka ndodhë.

Sipas saj njëjtë është shqetësim se çfarë është bartur nga EULEX-i tek institucionet vendore.

“Për mua ka qenë interesant me pa proceset gjyqësore që kanë filluar nga gjyqtarët tanë menjëherë pas përfundimit të luftës, ndryshimin e procesit të verdiktit pasi kanë kalu te UNMIK-u”, ka thënë ajo.

Bogujevci ka thënë se tani po ballafaqohen me ngritjen e kapaciteteve në institucionet e vendit.

Ajo ka thënë se vendi s’është as për afër gati për atë se çfarë nevojitet.

“Mendoj që duhet përveç të ngritët numri i prokurorëve, duhet edhe një ekip e tërë që i ndihmon këta prokurorë në këtë proces. Është problematik e madhe pse është dashur të instalohet UNMIK-u e jo të punohet në ndërtimin e gjykatave për krime të luftës përbrenda Kosovës. Është problematike nëse të jepet një arsyetim prej ndërkombëtare që nuk ka besim që munden me udhëheqë këtë proces, dhe kjo ndërlidhet me politikën në vend”, ka thënë ajo.

21:07

Bogujevci e zhgënjyer që të paktën dokumentimi i krimeve serbe nuk u krye

Saranda Bogujevci ka kritikuar politikanët dhe autoritetet tjera përgjegjëse vendore që tash e 21 vjet nuk kanë bërë as minimumin për atë që ka ndodhur gjatë luftës. Ajo në një rrëfim në emisionin DESK-u në KTV tha se të paktën dokumentimi i krimeve serbe në Kosovë ka mundur të kryhet.

shkak të krimeve serbe, gjithçka ka qenë në favorin tonë. Fatkeqësisht nuk ka pasur vullnet dhe punë që të çohen këto gjëra përpara. Edhe diçka që ndërlidhet me arsyetimin se gjithçka ka qenë në dorë të ndërkombëtarëve. Nëse asgjë nuk kemi mundur të bëjmë deri më tash, së paku dokumentimin askush nuk na e ka ndaluar", ka thënë Bogujevci, e mbijetuar e masakrës së Podujevës.

Ajo ka thënë se përmes ndërkombëtarëve është dashur të shtrohet shumë më shumë presion që të gjykohen krimet serbe.

"Në të njëjtën kohë nuk është punuar të ndërtohen institucionet e Kosovës që të jemi të fortë karshi Serbisë, kemi mungesë të dokumentimit të krimeve që janë bërë. Kjo ndërlidhet jo vetëm me aspektin e humbjes së njerëzve, po flasim edhe për të zhdukurit, të zhvendosurit, të përdhunuarat, për dëmet që janë bërë", ka shtuar ajo.

 

21:01

Bogujevci tregon si i mbijetoi traumës

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, në emisionin Desku në KTV ka treguar se si ka arritur t’i mbijetojë traumës.

“Ka qenë një britaneze, Lynne Jones, e cila ka qenë psikiatre e fëmijëve. Lynne ka punuar edhe nëpër vendet e tjera, por ka punuar një kohë shumë të madhe edhe në Bosnje, sidomos në Sarajevë. Ka qenë me shumë rëndësi përfshirja e saj në pjesën e ndihmesës që na ka dhënë edhe për neve si fëmijë, por edhe për babin e axhin. Më kujtohet momenti kur në fakt jemi ulur dhe kemi folur për, në fakt në ka pyetur a besojmë ne që nënat tona janë gjallë. Edhe pse ne e dinim se nuk janë ka qenë tepër e vështirë me e pranuar. Por, ishte tepër e rëndësishme me e thënë se nuk janë, për me mujtë me e tejkaluar atë pjesën ndoshta të traumës”, ka thënë Bogujevci.

Ajo ka shtuar se pjesa tjetër që është me shumë rëndësi, sipas saj, është pjesa tjetër e familjes përfshirë këtu hallat, axha, tezet, dajtë.

“Po flas për të dy anët, edhe për anën e fëmijëve të axhës edhe kushërinjtë që i kemi. Po flas për shkak se ka qenë një rreth i gjerë i njerëzve prej familjes së babit, hallat, si dhe nga ana e dajve. Për shkak se kemi mbetur një shtëpi pa asnjë grua, kemi mbetur vetëm me axhën dhe babin dhe ka qenë tepër me rëndësi komplet kjo pjesa e përfshirjes së familjes gjerë dhe natyrisht për mua është me shumë rëndësi me e përmend këtë pjesën më vonë kur babi është martuar dhe axhi është martuar. Njerkia ime Drita dhe gruaja e axhës Sherija që janë bërë pjesë e jetës tonë edhe që kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm në përkujdesjen tonë”, ka thënë ajo.

20:55

Bogujevci: Nuk jemi as afër që ta arrijmë drejtësinë për viktimat e luftës në Kosovë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka thënë se edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, ata që mbijetuan ballafaqohen me problemet e njëjta. Sipas saj, arsyeja është mungesa e vullnetit politik në vend.

Bogujevci ka shtuar se ka pasur fatin që familja e saj të trajtohej në Angli, përndryshe shton se nuk do ta kishin këtë gjendje nëse do të ishin në Kosovë.

“Është e kuptueshme që menjëherë pas një konflikti t’i realizosh të gjitha nevojat e viktimave, por të jemi 21 vjet pas dhe të ballafaqohemi me problemet e njëjta është e padrejtë. Tek ne ka munguar vullneti politik për t’i rregulluar këto çështje, sesa që nuk i kemi pas mundësitë’, ka thënë ajo.

Bogujevci ka thënë se është i paarsyeshëm arsyetimi se kanë qenë disa vjet nën menaxhimin e drejtësisë ndërkombëtare dhe për këtë shkak nuk kanë mundur institucionet të bëjnë më shumë.

“E di që shumë herë është dhënë arsyetim se kemi qenë në menaxhim nga ndërkombëtarët dhe nuk kemi pas hapësirë të bëjmë diçka në këtë drejtim. Në momentin që ki vullnet m’i çu gjërat përpara është e realizueshme dhe për mua është e dhimbshme kur e shoh që me çka ballafaqohen ende familjarët sot”, ka thënë ajo.

20:54

Bogujevci tregon se si mediat serbe deshën ta paraqesin atë si viktimë të NATO-s

E mbijetuara e masakrës së Podujevës, Saranda Bogujevci, ka rrëfyer në DESKUN e KOHËS se si mediat serbe deshën që krimet serbe t'i paraqesin si të NATO-s. Ajo ka folur për qëndrimin në spital pas plagosjes së saj dhe vrasjes së anëtarëve të familjes së saj.

Ajo tha se ishte e shtrirë në një dhomë me ushtarë dhe policë serbë të plagosur në luftë dhe në një moment, aty erdhën edhe mediat serbe. Përmes përkthyeses, që ishte një pastrueses, e shtynë të thotë se është viktimë e sulmeve të NATO-s, por ajo nuk pa rrezik dhe, e tha të vërtetën.

"E kisha shumë të rëndësishme të rrëfejë atë që ka ndodhur. Ka qenë një rast kur kam qenë në një dhomë me ushtarë e policë serbë të plagosur në spital dhe kanë ardhur mediat serbe. Duhet të përmend se është bërë një propagandë nga mediat serbe me fëmijë të shqiptarëve që janë plagosur nga vetë ushtria serbe, kinse kjo ishte rezultat i sulmeve të NATO-s. Këto xhirime ata ende i shpërndajnë, se janë fëmijë shqiptarë kinse të plagosur nga NATO-ja. Në atë moment kur kanë ardhur mediat kanë ftuar njërën prej pastrueseve të spitalit me më pyet se si ka ndodhur sulmi nga NATO-ja. Aty nuk e kam kuptuar rrezikun përbrenda spitalit, u kam thënë 'jo, nuk është prej NATO-s, por ka hyrë ushtria dhe na ka vrarë'. Dhe ndryshoi komplet disponimi, më kujtohet frika e asaj gruaje që përktheu. Në momentin që i thash unë këto fjalë, e pash frikën tek ajo, u larguan menjëherë dhe u bë një rrëmujë e madhe", ka rrëfyer Bogujevci, tash deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

20:37

Saranda Bogujevci rrëfen historinë e masakrës së familjes së saj

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci ka rrëfyer historinë e saj si e mbijetuar nga masakra e cila ndodhi në Podujevë.

Ajo në emisionin DESKU të KTV-së ka thënë se në ditën kritike, në shtëpinë e saj përveç familjes saj, ishte dhe familja Duriqi.

“Më kujtohet ka qenë ditë e diele, kemi qenë në shtëpi dhe në të njëjtën kohë kanë qenë të strehuar familja e Enver Duriqit, ata kanë ardhur nga një fshat i Llapit duke menduar se do të jenë më të sigurt në qytet. Atë ditë në orët e hershme të mëngjesit ishin dal dy autoblinda para shtëpisë, dhe ne vendosëm të largoheshim dhe të shkonim në pjesën e brendshme të oborrit ku ishte shtëpia e axhës dhe babës ku ishin të strehuar familja e Enver Duriqit. Arsyeja pse u larguam ishte se flitej se po i djegin lokalet dhe kishim frikë që do të mbeteshim brenda shtëpisë. Mua më kujtohet që kemi pas frikë edhe pse disa ditë ma herët kur filluan bombardimet menduam që të çliroheshim por në fakt prej asaj nate ka pas intensitet të madh të bombardimeve përbrenda qytetit nga serbët”, ka thënë ajo.

“Neve na u lutshim me u ruajte sepse ka pasur snajper përreth. Edhe pse ishim duke u larguar u ndamë në grupe. Burrat u larguan më herët për shkak se flitej se në momentin që hyn ushtria burrat do të vriten. Të rriturit mendonin se me largimin e burrave, gratë dhe fëmijëri do të largohen nga shtëpitë dhe do të vazhdonin nëpër male”, ka shtuar tutje Bogujevci.

Ajo thotë se pasi shkuan në shtëpinë ku rrinte Enver Duriqi, kanë filluar të hyjnë ushtria serbe.

Bogujevci thotë se ishin 20 anëtarë, derisa rrugës i kanë ndarë dy pleq i kanë futur në lokal dhe i kanë qëlluar.

“Prej aty na kanë kthyer brenda në shtëpinë e njërit fqinj, së pari kanë qëlluar gruan e axhës dhe pastaj e ndërruan armën dhe filluan të qëllonin në drejtimin tonë. Ka qenë e frikshme, unë kam qenë fëmijë dhe nuk kam mundur të besoj që diçka e tillë do të i ndodhë familjes time. Ka pas ushtarë të shumtë, ata gjatë gjithë kohës na fyenin e na shanin. Pas të shtënave janë larguar dhe pas një kohe kanë ardhur ushtria e rregullt, ku nga aty na kanë dërguar në spitalin qendror në Prishtinë, aty kemi qëndruar deri në përfundim të luftës”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka kujtuar kohën kur kishin filluar të shtënat masive nga forcat serbe.

“Po çliroheshim, dhe më kujtohet se prej asaj nate patën filluar të shtënat dhe ka pasur intensitet të madh të bombardimeve nga ana e ushtrisë serbe përbrenda qytetit. Pjesa tjetër që ka qenë e frikshme, më kujtohet si fëmijë që na u lutshin për me u ruajt është se ka pas snajperë përreth”, ka thënë Bogujevci.

Bogujevci ka treguar se shtëpia dhe oborri i saj prej stacionit të Policisë ka qenë si pasqyrë për forcat serbe në njëfarë forme.

“Edhe pse ishim duke u larguar u ndamë në grupe, pjesa më e madhe e jona ishim gra dhe fëmijë, burrat i kemi larguar më herët për shkak se flitej që në momentin kur po hynë ushtria po i marrin burrat edhe po i vrasin. Dhe ne mendonim se me largimin e burrave vetëm gratë dhe fëmijët do t’i largojnë prej shtëpive dhe do të vazhdonim si gjithë popullata nëpër male”, ka thënë Bogujevci.

Bogujevci ka treguar se sa persona kanë qenë në shtëpi në momentin kur kanë hyrë forcat serbe.

“Pasi që kemi shkuar në pjesën e shtëpisë, të axhës së babës, ku ka qenë familja e Enver Duriqit, kanë përgatitur gratë e shtëpisë gjëra ushqimore për çdo rast nëse duhet të largoheshim prej shtëpisë dhe në atë moment kanë filluar me hy forcat e ushtrisë serbe. Ne kemi qenë shtatë anëtarë të familjes së Enverit, kam qenë unë me nënën dhe dy vëllezërit, gruaja e axhës me pesë fëmijët, gjyshja dhe ka qenë halla e babit me renë e saj. Nuk na larguan prej shtëpisë në pjesën e oborrit, por na larguan përmes oborreve të fqinjëve që kemi pas”, ka thënë ajo.