Arbëri

Raka: Hapja e shkollave dhe kafiterive mund të ndikojë në përhapjen e koronavirusit

Mikrobiologu kosovar, Lul Raka, ka bërë me dije se fillimi i vitit shkollor dhe hapja e kafiterive, mund të kërcënojnë në përhapjen e koronavirusit.

Raka këto deklarime i bëri në një tryezë diskutimi të Institutit Demokracia për Zhvillim, duke thënë se ulja e rasteve me koronavirus, nuk guxon të përdoret nga qytetarët si lirim dhe duhet pasur parasysh se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme.

“Është fakt që jemi në një përudh më të qetë dhe që është lehtësim për punëtorët shëndetësor. E para është fillimi i shkollave qe vë qarkullimin e madh të njerëzve, dhe çdo qarkullim potencial ndikon në përhapjen e virusit, e dyta është koha dhe hapja e kafiterive, si faktor tjetër kërcënues dhe i treti faktor është sezoni i gripit”, ka deklaruar Raka.

Mikrobiologu tutje ka bërë me dije se Kosova duhet të furnizohet me teste shtesë, me oksigjen dhe staf shëndetësor.

“Prandaj këta tre faktorë janë elemente që duhet ta ngrisin vetëdijesimin e popullatës. Numri është në rënie, po kjo nuk guxon që të na lehtësojë. Për të pasur rezultat të mirë me pandeminë e cila ka me zgjatë, është sikronizimi i masave nga ana e popullit dhe mbikqyrja e autoriteteve përkatëse”, ka shtuar Raka.