20:38

Ismaili: Nuk kishte nevojë për demonstrim të forcës në zyrat e OVL të UÇK-së

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka reaguar pas arrestimeve dhe bastisjes në zyrat e OVL të UÇK-së.

Ai ka shkruar në Facebook se pamjet e sotme të arrestimeve “kthejnë prapa kujtesën e kohëve më të padëshiruara”.

“Vrazhdësia e shfaqjes së njësive të armatosura është simbol i represionit. E në Kosovë, represioni ringjall vuajtjen dhe traumën e rëndë të së kaluarës që ka përjetuar populli i Kosovës, secila familje, secili qytetar. Demonstrimi i sotëm ka qenë tërësisht i panevojshëm”, tha ai.

Ismaili shton tutje se ekziston gjithmonë gatishmëri nga pjesëtarët e UÇK-së për t’iu përgjigjur drejtësisë.

Ndërsa shton tutje se qytetarët kanë nevojë për qartësi.

“Pasiguria e krijuar te qytetarët nga skenat e sotme është evidente. Por, në këtë kohë të sfidave të mëdha, qetësia është e domosdoshme për vendin tonë, Kosovën”, ka përfunduar ai.

Top of Form

Bottom of Form

19:06

Bahtiri: Ata që e inicuan dhe votuan Specialen, duhet të ndihen të turpëruar

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka deklaruar se ata që janë ftuar nga Gjykata Speciale do ta dëshmojnë pafajësinë e tyre.

Këto deklarime Bahtiri i ka bërë në rrjetin social Facebook ndërsa ka shtuar se ata që e kanë votuar këtë gjykatë, duhet të ndihen të turpëruar.

“UÇK-ja është krenaria e Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar, falë luftës së lavdishme dhe të pastër që bëri kundër okupatorit serb ne sot gëzojmë lirinë. Ata që e inicuan dhe votuan Gjykatën Speciale, duhet të ndihen të turpëruar. Besoj në drejtësi dhe padyshim që pjesëtarët e UÇK-së do ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, duke u kthyer faqebardh në vendin e tyre”, thuhet në deklarimin e Bahtirit, pas bastisjes së zyrave të OVL-së nga EULEX-i.

EULEX- sot ka ndërmarrë një aksion masiv në zyret e OVL të UÇK-së ku ka arrestuar kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin, Nasim Haradinaj.

18:58

NISMA nuk pranon sjelljen e EULEX-it karshi udhëheqësve të OVL të UÇK-së

NISMA Socialdemokrate ka reagaur lidhur me arrestimin e kryertarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit, dhe bastisjen brenda zyrave të tyre.

Përmes një shkrimi në Facebook, NISMA shprehë mospajtimin për mënyrën e trajtimit të udhëheqësve të OLV-së.

“Që nga përfundimi i luftës, pjesëtarët e UÇK-së i janë përgjigjur sistemeve të drejtësisë pa asnjë hezitim, duke filluar nga gjykatat e UNMIK-ut, Hagës dhe ato të EULEX-it. Prandaj, askush nuk ka asnjë arsye të ndryshoj mënyrën e sjellës në raport me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan kjo parti.

Shqetësuese e sheh edhe hetimin e pjesëtarëve të UÇK-së, për siç thonë ata “Prokuroria e Dhomave të Specializuara ka dalë nga mandati dhe zotimi se objekt i hetimit do të jenë vetëm individët për veprimet e tyre të supozuara kriminale dhe jo UÇK”.

Por, vazhdon tutje, “kjo Prokurori po heton duke e cilësuar UÇK-në si ndërmarrje kriminale. Një cilësim i tillë është ofendues për popullin e Kosovës dhe për më tepër është jashtë mandatit të Dhomave të Specializuara të votuara nga Kuvendi i Kosovës”.

NISMA shprehet se UÇK nuk do të jetë asnjëherë ndërmarrje kriminale.

16:31

AAK-ja pas zhvillimeve në OVL të UÇK-së: Operacionet e tilla, të panevojshme dhe të padinjitetshme

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda zyreve të OVL të UÇK-së.

Përmes një komunikate dërguar medieve, AAK deklaron se operacionet e tilla janë të panevojshme dhe të padinjitetshme pasiqë sipas tyre, populli i Kosovës e në veçanti luftëtarët e lirisë, asnjëherë nuk e kanë penguar drejtësinë

“Republika e Kosovës, populli i saj e në veçanti luftëtarët e lirisë, asnjëherë nuk e kanë penguar drejtësinë. Përkundrazi, ne gjithmonë kemi qenë në anën e saj, pasi që vet ishim viktimë e agresorit serb. Edhe pse, duke nisur prej liderit tonë Ramush Haradinaj, shumë luftëtarë padrejtësisht u akuzuan e u trajtuan në gjykata ndërkombëtare, ata asnjëherë nuk i kanë ikur ftesës së organeve të rendit dhe drejtësisë”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Ata kanë apeluar se operacione të tilla nuk duhet ndodhur.

13:56

Haradinaj: S’ka arsye për bastisje në Kosovë, secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se organet e drejtësisë, qoftë vendore por edhe ato ndërkombëtare, nuk kanë arsye të kryejnë operacione e bastisje lidhur me Gjykatën Speciale, sepse, sipas tij, të gjithë do t’i përgjigjen vullnetarisht drejtësisë.

Duke folur pak pas arrestimit nga zyrtarë të EULEX-it të kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati në zyrat e kësaj organizate, Haradinaj ka thënë se Kosova është gjithmonë me ligjin.

Haradinaj ka kritikuar publikimin e dosjeve të Gjykatës Speciale, që në tri raste dyshohet të jenë dorëzuar nga të panjohur brenda zyrave të OVL-së së UÇK-së.

“E ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit. Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë. Apeloj te organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ik drejtësisë. Konsideroj se nuk ka arsye për operacione e bastisje, sepse secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë. Kosova është gjithmonë me ligjin dhe me viktimat, sepse vet ishte viktimë e padrejtësive. Vet UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë argumentuar se gjithmonë janë pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndryshuar asnjëherë!” ka shkruar ai në Facebook.

Të enjten u bë publike aktakuza e parë e Gjykatës Speciale. Ajo arrestoi në Kosovë Salih Mustafën, ish-epror në UÇK.

Sot policë të EULEX-it arrestuan Gucatin dhe me vendim të Gjykatës Speciale ai pritet të dërgohet në Hagë. Në zyrat e OVL-së, EULEX-i po vazhdon me bastisjet.