Arbëri

Ambasadori që heshtazi u refuzua nga Britania e Madhe dërgohet konsull në Nju-Jork

Foto: Koha

Ministria e Punëve të Jashtme vazhdon të aplikojë standarde të dyfishta sa i përket gradimit dhe aplikimit të rrotacionit në shërbimin e jashtëm diplomatik. Pa kaluar në Komisionin për Grada dhe Disiplinë, diplomati që deri tani ka shërbyer në Ambasadën e Kosovës në Uashington, Frymëzim Isufaj, ka marrë gradën ministër dhe ai është propozuar konsull i përgjithshëm në Nju-Jork. Kjo ndërmarrje e Ministrisë me Isufajn vjen pas dështimit që ai të dërgohet ambasador në Londër, rast që ishte vlerësuar megaskandal për shkak se Britania e Madhe e ka refuzuar në heshtje.

Burime të KOHËS kanë thënë se tani gradimi është bërë me rekomandimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Delfin Pllana, i cili është caktuar në këtë pozitë tek para një muaji.

Siç thuhet në arsyetimin të cilin e ka parë “Koha Ditore”, “gradimi ka ardhur bazuar në rezultatet e treguara me sukses të veçantë, në forcimin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës...”.

Por neni 28 i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm thotë se avancimi i nëpunësve të shërbimit bëhet duke u mbështetur në sistemin e gradimit dhe ato jepen nga Komisioni i Gradave dhe Disiplinës. Elementet kryesore në dhënien e një grade për anëtarin e Shërbimit të Jashtëm janë: koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës.

“2. Përveç gradës ambasador, gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, thotë neni i ligjit.

Ndërkaq grada diplomatike ambasador miratohet nga presidenti, me propozimin e Qeverisë.

Pas gradimit, Isufaj është propozuar konsull i përgjithshëm në Konsullatën e Kosovës në Nju-Jork dhe dekreti i ka shkuar për nënshkrim presidentit... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)