Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se për shkak të pandemisë, vendi ka hendek mes shpenzimeve dhe të ardhurave.
Ajo në DESK-un e KOHËS ka thënë se ky hendek është paraqitu edhe në tabelat e buxhetit të rishikuar, ku për vitin 2020 janë paraparë 1 miliardë e 778 milionë të hyra ndërkohë që shpenzimet kapin shifrën e 2 miliardë e 600 milionë euro.
Ajo ka thënë se kur është aprovuar buxheti në mars të këtij viti, nuk ka pasur mundësi të bëhen shumë ndryshime.
Kjo, pasi sipas saj kishin trashëguar një buxhet të kontraktuar.
“Meqenëse kishte filluar implementimi i pakos fiskale emergjente pa pasur mjete të destinuara për atë drejtim, ne morëm detyrë që të rishikojmë buxhetin, me qëllim që të krijonim një fond për rimëkëmbjen ekonomike në të cilin gjithashtu do të gjenim fondet edhe për implementimin e plotë të pakos emergjente fiskale. Ne i fuzionuam masat për të dyja pakot dhe në kuadër të buxhetit të rishikuar bëmë fondin prej 365 milionë euro”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Ministria e Financave u detyra ta rishikojë kornizën afatmesme të shpenzimeve. Kjo pasi sipas saj, kur ishte rishikuar buxheti në prill, nuk janë rishikuar masat dhe dëmet nga pandemia.
“Është e vërtetë që ka diskrepancë të madhe mes të hyrave dhe shpenzimeve në këtë vit. Duke marrë parasysh pasojat ekonomike ne u detyruam të rishikojmë të gjithë numrat. Ajo çka kemi reflektuar në kornizën afatmesme të shpenzimeve të rishikuara, në bazë të të cilave kemi caktuar kufijtë buxhetor, është se në fakt në vitin 2021 po kthehemi të viti 2019”, ka thënë ai.
Bajrami ka thënë se për vitin 2021 është paraparë të ketë buxhet prej 2 miliard 475 milionë euro. Ndërkohë që sipas saj, të hyrat buxhetore do të jenë 1.9 miliardë.
Sipas saj, shifrat e tilla janë subjekt i ndryshimeve.
Ajo ka thënë se këto janë pasoja në të gjitha vendet të cilat janë goditur nga pandemia.
“Ne kemi këtë hendek, por kjo nënkupton se ne kemi marrë të gjitha masat, nuk do të ketë hendek në buxhet”, ka thënë ajo.