Arbëri

KMDLNJ: Është koha për lehtësim të masave kufizuese!

Descriptive Text

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të hiqet masa e kufizimit të qarkullimit, të mos ekzekutohen “dënimet jologjike”, dhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të votohet projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Këshilli i ka vlerësuar se gjatë periudhës së përballjes me pandeminë ka pasur “vendime jologjike” gjatë shqiptimit të dënimeve.

“Ka qenë krejtësisht e paarsyeshme shqiptimi i dënimit për ngarësin e automjetit që ka qenë i vetëm në makinë apo me anëtarë të ngushtë të familjes dhe nuk kanë vendosur maska mbrojtëse. Për këtë arsye KMDLNj kërkon që të gjitha dënimet të shqiptuara në raste të tilla të mos ekzekutohen. Gjithashtu, KMDLNj vlerëson se vendosja e maskave në ambiente të hapura nuk do të duhej të ishte detyruese kurse në ambiente të mbyllura gjithsesi duhet të vendosen. Kufizimi i lirisë së lëvizjes për persona të moshuar gjatë ditës është treguar kontraproduktive për faktin se nuk ka pasur kapacitete të mjaftueshme të kontrollohet prandaj kjo duhet të largohet sa më shpejt. Nuk ka asnjë kuptim të vendosni një masë kufizuese të lirisë së lëvizjes për të moshuar në emër të mbrojtjes së shëndetit të tyre kurse në anën tjetër nuk siguroni falas mjetet mbrojtëse parandaluese, nuk siguroni mjete as për mbijetesë minimale, nuk e bëni testin COVID -19 përveç se nëse nuk kanë një intervenim të fortë dhe kushte të tjera parandaluese. Kufizimi i lirisë së lëvizjes nga ora 22.30 deri në ora 6.00 të mëngjesit është veprim krejtësisht i papeshuar dhe i panevojshëm aq më parë që në atë kohë, vetëm në raste të ndonjë emergjence mund të ketë lëvizje”, thuhet në një kërkesë të KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNJ-së, mbyllja e stërzgjatur ka sjellë dëme në sistemin e arsimit, ka dëmtuar edhe bizneset e ka shuar shumë vende pune.

“Vetëm pas përfundimit të pandemisë të gjitha këto dukuri negative si pasojë e mbylljes do të shpërfaqen në dimensionin e vërtetë. Të kufizosh bizneset apo edhe të mos lejosh fare disa biznese në kohën kur deputetët e pashpirt të Kuvendit të Kosovës nuk e votojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, përveç se është krejtësisht e pamoralshme dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut (e drejta për punë është e drejtë e njeriut), është edhe kontribut i drejtpërdrejtë i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në shuarje të bizneseve dhe rritje të varfërisë. Nëse shteti nuk ka mundësi të ndihmojë bizneset dhe kategoritë sociale, atëherë, së paku nuk duhet të pengojë punën e tyre”, thotë KMDLNJ-ja.

Sipas KMDLNJ-së në Kosovë po bëhen abuzime me testet.

“Të dy qeveritë, ajo Kurti që ishte jetëshkurtër por më efikase në menaxhimin e pandemisë sikur edhe qeveria Hoti kanë abuzuar me testet duke bërë dallime diskriminuese në bazë të statusit në shoqëri, atij ekonomik dhe politik për çka KMDLNj ka reaguar disa herë. Numri i testeve rrallë se ka kaluar 500 për 24 orë e që ka qenë i pamjaftueshëm për identifikim të rasteve aktive dhe ndërmarrje të masave parandaluese. Tash është rritur numri i testimeve, jo shkaku se qeveria e Kosovës ka ndarë mjete shtesë apo se ka krijuar kushte por shkaku se Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur ka siguruar 1,5 milionë dollarë nga SOROS në New për rritjen dhe intensifikimin e testimeve. Qeveritë e Kosovës, ajo e Kurtit dhe kjo e Hotit, kanë pasur detyrim të sigurojnë testime falas për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë pasur nevojë aq më parë që janë ndarë mjete të konsiderueshme nga Buxheti i Kosovës dhe janë dhënë shumë donacione ndërkombëtare. Për më keq, në një situatë të përkeqësimit të skajshëm të gjendjes materiale për shumicën e qytetarëve të Kosovës, qeveria Hoti ka hapur, pa kritere të përcaktuara dhe me një monitorim të brishtë, mbi 120 laboratore private që kanë bërë analiza serologjike dhe anti COVID , me çmime më të larta se në të gjitha vendet e rajonit”, thuhet në reagim të KMDLNJ-së.

Në fund KMDLNJ ka kërkuar nga deputetë të votojnë ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të plotësojnë kushtet e gastronomisë, të lejojë aktivitetet kulturore e të tërhiqet kushti i testimit për COVID-19 për kalim të kufirit me Maqedoninë e Veriut.