Arbëri

Bie për 44% numri i të infektuarve me COVID-19

Foto: Alban Bujari / KOHA

Për 44% ka rënë numri i të infektuarve në Kosovë nga koronavirusi gjatë dy javëve të fundit. Ky ishte vlerësimi që e ka dhënë IKSHPK-ja, sipas të cilit nga 596 mostrat e marra gjatë 24 orëve të fundit vetëm 79 persona kanë rezultuar pozitivë.

Ndërsa, sipas të dhënave të SHSKUK-së gjatë 24 orëve të fundit 2 persona kanë vdekur nga COVID-19.

Në klinikat dhe spitalet e QKUK-së trajtimin po e vazhdojnë 218 persona, prej të cilëve 32 janë me oksigjenoterapi, 8 me CPAP dhe 1 në respirator.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se në të gjitha spitalet rajonale tashmë vetëm repartet e Infektives po i trajtojnë pacientët me COVID-19.

Ndërsa, spitali me rreth 500 shtretër ku pritet të trajtohen pacientët me COVID-19 pritet të jetë ndërtesa e re e objektit të Emergjencës, ndërtimi i së cilës kishte nisur në vitin 2016, por që ende nuk ka përfunduar. Krasniqi shtoi se përkundër pengesave që ishin shfaqur në realizimin e këtij projekti, MSH-ja themeloi komisionin, i cili do të përcaktojë planin dinamik në mënyrë që ai të jetë funksional sa më parë.

Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se do të bëjë vlerësim të shpejtë të infrastrukturës së këtij objekti para se të nisë investimin, derisa ka thënë se pas përfundimit të pandemisë objektit do t’i kthehet përsëri destinacioni për të cilin ishte projektuar .

Gurthemeli i objektit të Emergjencës ishte vënë në vitin 2016 nga ish-kryeministri Isa Mustafa, kur ishte thënë se objekti pritej të përfundonte brenda tre vjetëve. MSH-ja për ndërtimin e këtij objekti kishte ndarë rreth 8 milionë euro.

Por, ndërtimi ishte përcjellë me shumë probleme. Fillimisht, tenderi ishte rikthyer disa herë në rivlerësim nga ana e OSHP-së e më pas pati probleme me leje të ndërtimit.