Arbëri

Igo, zëri i grave

Rruga e Kosovës drejt lirisë është e lidhur nyjshëm me sheshin e Prishtinës. Sheshi ishte arenë e ngritjes së kërkesave për liri e demokraci.

Në rini, dëshmitare e pjesëmarrëse e demonstratave në zemër të kryeqytetit, do të bëhej edhe Igballe Rogova. Në shesh, ajo dhe motra aktore u bashkoheshin thirrjeve të zëshme të Kosovës për ndaljen e dhunës dhe represionit kundër shqiptarëve të pafajshëm nën pushtimin serb.

Por edhe në kohë lirie, Rogova kurrë nuk iu nda sheshit. I mbështeti dhe i organizoi gratë të cilat kërkonin kthimin e të dashurve të zhdukur. Iu priu shumë demonstratave për çështje të ndryshme. Në shesh sfidoi autoritetet vendore e ndërkombëtare, të cilat lanë anash adresimin e shumë problemeve që preknin përditë dhjetëra e mijëra qytetarë. Sidomos gratë.

“Sheshi i protestave”

“Shih, ky shesh, për mua e ka një emër: Sheshi i protestave. Në këtë shesh janë mbajtur me qindra protesta, në këtë periudhë të pasluftës, po flas”, thekson Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës. “E po du me përmendë një protestë që ka ndodhur menjëherë pas luftës. Ka qenë protesta për të pagjeturit. Ajo nuk ka qenë një protestë njëorëshe, dyorëshe, por një javë. Familjarë të të pagjeturve nga e gjithë Kosova janë mbledhur në këtë shesh, duke kërkuar drejtësi, duke kërkuar të pagjeturit, familjarët e tyre”.

Përkrahja e organizuar për gratë edhe me protesta në rrugë, rrënjët i kishte në aktivizimin qytetar të nisur qysh më 1990 me motrën Safete Rogova. Pasi Kosovës iu suprimua autonomia më 1989, e njerëzit po luftonin me skamjen, ato filluan të mblidhnin gjëra ushqimore, që pastaj ua dërgonin familjeve në varfëri të skajshme në lagjet e Prishtinës.

Shqiptarët ishin dëbuar nga puna. Edhe Igballe Rogova nga Radio Televizioni i Prishtinës, ku në redaksinë e kulturës mbulonte filmin, e Safetja nga teatri.

Të frymëzuara nga dy mësueset pishtare të arsimit, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, të cilat kishin hapur shkollën e parë shqipe të vashave në Korçë më 1891, themeluan shoqatën për zhdukjen e analfabetizmit, “Motrat Qiriazi”. Misionin e kishin të qartë. Sfidat, të shumta.

Por u mbështetën edhe nga bota akademike.

“Është interesant me përmendë themelimin e shoqatës ‘Nënë Tereza’, ku ishim prezente edhe unë, edhe Igballja, dhe u zgjodh njëfarë kryesie. Ishte vërtet, vërtet shumë i bukur ai takim, dhe kur dolëm ne prej takimit rrugës – unë kisha lexu shumë, por edhe Igoja kishte lexuar shumë për familjen Qiriazi, për një familje, që kanë qenë patriotë, revolucionarë, kanë hapur shkolla shqipe, dhe me emra interesantë, Parashqevija dhe Sevastija, dy motra që gjithnjë e kanë mbështetur, e kanë përkrahur njëra-tjetrën për hapjen e shkollës së parë shqipe të vashave në Korçë”, thekson Safete Rogova, aktore dhe bashkëthemeluese e “Motrave Qiriazi”.

Hasi, epiqendër e aktiviteteve

“Dhe rrugës, derisa kemi shkuar në shtëpi, e kemi menduar bashkërisht idenë pse edhe ne të mos e hapim një shoqatë, madje me emrin ‘Motrat Qiriazi’. T’i përkujtojmë ato mësueset e para që kishin themeluar shkollën e parë shqipe. U mblodhën pedagogë, arsimtarë, vullnetarë, e krijuam njëfarë Këshilli si bëhej atëherë në vitet nëntëdhjetë, dhe e shpallën themelimin e shoqatës ‘Motrat Qiriazi’”, kujton Safetja gjatë një interviste në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Artikulli i botuar në revistën “Kosovarja” më 1990, mobilizoi gratë aktiviste t’i bashkoheshin betejës për luftimin e analfabetizmit në krejt Kosovën.

Hasi i Prizrenit do të kthehej në epiqendër të aktivitetit të motrave Rogova për ngritjen arsimore të grave.

Dërgimi i teksteve dhe materialeve shkollore atje ishte sfidë e madhe.

“Natyrisht, ka pasur periudha shumë të frikshme atëherë, sidomos gjatë nëntëdhjetave”, rrëfen me qeshje Igballe Rogova para shtatores së Skënderbeut në sheshin që mban emrin e kryeheroit shqiptar. “Ju e dini se kemi qenë nën okupim, edhe kemi vepruar si ‘Motrat Qiriazi’ dhe kemi bërë vepra që atëherë okupatori serb nuk lejonte. Për shembull, ata i mbyllnin shkollat, ne i hapnim shkollat në Has, na! Hasjanët. Ata i mbyllnin bibliotekat, ne i hapnim bibliotekat në Has. Dhe momentet më të vështira kanë qenë, se atëherë s’ka pasur telefonata me celularë. Atëherë nuk kemi mundur të lajmëroheshim se mirë kemi mbërritur në Has”.

Gjashtë postblloqet e ferrit

Familja në Prishtinë ishte në ankth të madh për motrat të cilat po legjitimoheshin rrugëve nga policia serbe.

“Dhe po ju tregoj vetëm një rast se si prej Prishtine deri në Has i kemi kaluar gjashtë punkte policore. Domethënë, mundeni me paramendu se te secili punkt kur të mbërrish, mos po ta hap bagazhin se gjithmonë kemi pasur diçka ose libra, ose barna kur ‘Nënë Tereza’ hapi ambulancën në Has. Atëherë i kemi bartur edhe barnat, por kryesisht kemi pasur libra dhe barna duke shkuar në Has”, kujton ajo. “Dhe gjithnjë në atë punktin e parë duhej të luaje rolin e aktores, me i buzëqeshë, me i thënë në gjuhën serbe (se natyrisht e kemi folur se kemi mësuar) ‘si jeni sot?’ Dhe para se me u përgjigjë ata, gjithnjë ia kam thënë: Ta hap bagazhin? Ai ka thënë: Jo more, shko! Dhe merreni me mend e kam ngarë makinën dhe pas një ore e kam kthyer kokën dhe kam parë se nuk shihen ata më dhe jam ndalur, e kam ndezur një cigare dhe jam dridhur duke pirë cigaren”.

Igo, sikurse i referohen familjarët dhe miqtë, mbështetej përherë te Safetja, karakter i fortë, por që reflektonte qetësinë e domosdoshme në situata të vështira.

“Ajo vendosi të merrej me aktrim në kohën kur të gjithë e sulmonin babën qysh e ka lejuar. Por, ajo gjithnjë donte ta përçonte mesazhin se mund ta bësh atë që e dëshiron”, përshkruan Igoja karakterin e fortë të motrës që po thyente shumë paragjykime të kohës. Do të kthehej në frymëzim edhe për të.

“Dhe, sidomos mua, kur kam qenë e vogël, gjithnjë më merrte në shfaqje në teatër. Dhe unë jam rritur duke përcjellë shfaqjet dhe jam rritur me një grup njerëzish që janë marrë edhe me aktrimin, që janë marrë edhe me skenografi, edhe me dramaturgji, edhe disi me Safeten u lidhëm prej atëherë. Edhe me burrin e saj, sepse edhe burri i saj, Nuredin Loxha, ka qenë në themelim të ‘Motrave Qiriazi’, derisa ai ndërroi jetë”, thotë ajo. “Dhe unë jam rritur nën kujdesin e Safetes”.

Motrat do të vendoseshin që të bëheshin bashkë për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes së qytetarëve që ishin në situatë të vështirë, pasi Serbia po ua shtrëngonte shqiptarëve lakun në fyt. Dhe aktiviteti vullnetar do të niste me shpërndarjen e ushqimit në “Kodër të Trimave” në Prishtinë”. “Prej atëherë u lidhëm me Safeten dhe e vazhduam këtë lidhje sot e asaj dite”.

Muzika si terapi

Motrat Rogova, vallëzimin dhe muzikën gjithnjë e përdornin si terapi para aktiviteteve që mund të ndërpriteshin papritmas nga policia serbe.

“Në shumë mbrëmje në atë kohë, lejonim që muzika me na e shëru atë ndjenjën, edhe të frikës, edhe muzika na e jepte një një... edhe vallëzimi”, thekson Igballe Rogova, e cila në zyrën e saj mban një def të blerë gjatë kohës sa luftës si refugjatë në Maqedoni. “Domethënë, të dyja këto kanë qenë instrumente që na fuqizonin dhe pastaj vazhdonim tutje. E këto i kemi bërë shumë shpesh, e sidomos para një aktiviteti që me thënë, si me thënë, se gjithçka ka qenë e rrezikshme në atë kohë. E bënim një mbrëmje dhe të nesërmen e vazhdonim aktivitetin se muzika është instrument me të fuqizu, mekanizëm për me të shëru, dhe këtë e kemi shfrytëzuar edhe në kohën kur kemi qenë refugjatë”

Defi që mbahej afër vetes kthehej shpesh edhe në mjet justifikimi para policisë. U thuhej se gratë ishin mbledhur në kanagjegj, duke mbuluar aktivitetin e vërtetë që po e kryenin. Njëherësh po punohej për ruajtjen e traditave hasjane.

Kostumet e krenarisë

“Ishte kënaqësi me i veshë ato kostume”, tregon Safete Rogova, duke thënë se kishte aktiviste shqiptare që mendonin se gratë hasjane duhej të distancoheshin prej traditave të përcjella brez pas brezi. “Pse të mos i vishnin ato kostume të bukura. Ato mund t’i vishnin edhe fustanet, por pse të mos i ruanin veshjet tradicionale. Kostumet e traditës duhet të ruheshin. Ato kostume janë aq të bukura, aq të mira, të qëndisura me një harmoni me ngjyra, saqë njëherë u kam thënë grave që qëndisnin: ‘Po ju më mirë i pikturoni se vajza ime që pikturon në bez’”, kujton Safete Rogova, duke treguar se si po bënte krahasimet ndërmjet qëndisjeve të hasjaneve dhe pikturave të vajzës së saj piktore, Iliriana Loxha.

Gratë ia dolën t’ua ndryshonin mendjen burrave hasjanë për rëndësinë e shkollimit të vajzave. Gra e burra u mobilizuan dhe shtruan asfalt e ndërtuan shkolla me paratë e mbledhura nga komuniteti.

Shpërthimi i luftës shtrëngoi motrat Rogova të mobilizoheshin për të protestuar e marshuar në mbrojtje të grave dhe fëmijëve të Drenicës, të rrethuar nga ushtria e policia e Slobodan Milosheviqit. Barra e mbajtjes së familjes u kishte rënë përnjëherë shumë grave pas vrasjes së burrave. Safetja e Igballja u morën më shumë me refugjatët drenicas në Shipol të Mitrovicës.

Në pranverën e vitit 1999, edhe vetë do të merrnin statusin e refugjatëve kur forcat serbe i dëbuan nga shtëpitë në Prishtinë. Përjetuan tmerrin e trenave të stërmbushur dhe ferrin e Bllacës në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

“Pas një udhëtimi 40-minutësh, treni ndaloi. Ishte dy e natës. Dëgjuam policinë jashtë duke ulëritur: ‘Hidhni gaz në tren dhe digjni të gjithë’”, shkruan ndër të tjera Igballe Rogova në ditarin e saj, pjesë e librit “Ana femërore e luftës”, me rrëfime të grave të shteteve të ndryshme që u pavarësuan pas luftërave të viteve nëntëdhjetë në ish-Jugosllavi. “Na lanë në panik brenda trenit edhe për dy orë të tjera, derisa ata vazhdonin të ulërinin nga jashtë. Nuk mund ta besoja kur treni filloi të lëvizte përsëri. Shpëtuam, ishte gjithë çka mund të mendoja në atë moment”.

“Na jemi fitues, nuk jemi viktima”

Shpirti rebelues nuk e la të qetë as në Bllacë. Protestoi edhe kundër autoriteteve maqedonase që nuk po ua hapnin kufirin dhjetëra e mijëra refugjatëve në qiell të hapur. Por, me t’u strehuar në Reçicë të Tetovës, u kthyen në kampet e refugjatëve për t’i ndihmuar gratë.

Në një xhirim amator, ajo shihet në një kamp refugjatësh teksa i inkurajon gratë në një tendë najloni në Çegran të Maqaedonisë. Vazhdimisht u jep zemër. “Me ju thanë të drejtën, ne ishim t’u knu e t’u kcy. A e dini pse po knojmë e po kcejmë?” – i pyet Igballe Rogova gratë ngjitur njëra për tjetrën në çadrën e mbushur. Disa gra flladiten me flladitëse dore. “M’u shliru”, thonë disa gra, duke iu bashkuar të tjerat me përsëritje në kor.

“M’u shliru. Pse tjetër?” – ngulmon Igoja.

“Me hjek mërzinë”, ia pret një tjetër.

“Me shpallë se jemi fitues”, thotë Igoja. “A jemi fitues?”

“Po”, ia kthejnë gratë në unison.

“Ne jemi fitues. Nuk jemi viktima. Na po fitojmë”.

Në Kosovën e lirë, gratë e burrave të vrarë në luftë duhej të mbanin fëmijët. Krusha, një prej fshatrave që e përjetoi më së rëndi luftën e Kosovës. Por, kryefamiljaret e veja duhej të ndihmoheshin për zhvillimin e shkathtësive të ndryshme për t’iu përvjelë punës.

“Meqë kemi punuar bukur gjatë, edhe në Has edhe në Krushë, se edhe në Krushë kemi pasur aktive degën e ‘Motrave Qiriazi, dhe Krusha kishte humbur shumë meshkuj, domethënë brenda natës, 140 burra e djem i kanë djegë”, tregon me emocione Safete Rogova. “Njëherë nuk e kanë ditur ku janë, mandej u gjetën se i kanë gjuajtur kufomat në lumë pasi i kishin djegur, të shkretit. Dhe e ndienim si detyrë shpirtërisht se duhej të ishim afër atyre nanave afër atyre grave, afër atyre motrave, dhe gati çdo përvjetor kemi qenë në odë ku kanë qenë gra”. Ajo i përshkruan si gra të forta nanat e Krushës, të cilave u kishte folur me kërkesë të miqve në përvjetor masakre.

“U ula në dy gjunjë afër tyre, dhe në vend se me iu folë, ia fillova me qa në dy gjunjë. Do me thënë ti e merr një dhimbje të tyre me vete, ti nuk mundesh me i pa ato gra: O, e paske humbur burrin, djalin, dhe erdha unë që të gjendem afër. Jo, jo, ti e merr një pjesë të dhimbjes me vete”, thekson ajo. “Ajo na ka bërë që të jemi të respektuar sot e asaj dite. Qoftë edhe ato gratë e Drenicës ku kemi punuar”.

Dhe shumë prej familjeve që ishin ndihmuar nga motrat Rogova i kanë ftuar në dasmë. Ka familje që vazhdojnë ta ruajnë miqësinë me to.

Familjarët e viktimave dhe motrat Rogova iu kthyen sheshit. Në Kosovën e çliruar, po protestohej para institucioneve vendore e ndërkombëtare, për të zbardhur fatin e mijëra të zhdukurve. Kërkohej drejtësi për të vrarët e për gratë e dhunuara gjatë luftës.

“Kërcënimi” i ish-ambasadores amerikane

Gjashtë pikat e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nxitën demonstrata në Kosovën e porsapavarësuar. Igoja thotë se u përball me presion të madh për të hequr dorë nga pjesëmarrja në demonstratat kundër planit që u delegonte kompetenca të veçanta në sistemin e drejtësisë autoriteteve të sistemit paralel serb në Kosovë. Thotë se sekretarja politike e ish-ambasadores amerikane, Tina Kaidanov, e kërcënoi me ndalje të fondeve për Rrjetin e Grave të Kosovës nëse do t’i bashkohej protestës.

“Kur e pa se ne nuk do ta ndalnim protestën, atëherë është kërcënuar me fonde. Tha: S’do të keni më përkrahjen financiare nga ne. Thashë: Në rregull, nëse është ashtu, shumë në rregull. Ne mendojmë se është me rëndësi me ba protestën. Nëse ju nuk doni me përkrahë, atëherë ajo është çështje juaja”, kujton Igballe Rogova. “Ky është një shantazhim që duhet t’i vijë turp edhe ambasadores Tina Kaidanov, edhe kësaj sekretares politike që me fonde duan me mbyllë zërin e qytetarëve. Kjo për mua është shokante”.

Në përgjigjen e Ambasadës amerikane dërguar televizionit për këtë çështje, thuhet:

"Si praktikë e përgjithshme, Ambasada nuk komenton diskutimet e mbajtura në një të kaluar relativisht të largët siç është kjo që ju po kërkoni. Nuk kemi mundësi për të verifikuar saktësinë e kësaj bisede, duke pasur parasysh kohën e gjatë që ka kaluar".

Mirënjohje vendore e ndërkombëtare

Puna e Igballe Rogovës është shpërblyer edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ajo mori çmimin “Gratë e Vitit” nga Rrjeti Ndërkombëtar i Organizatave të Grave dhe çmimin “Lydia Sklevicky” për punën e saj inovative me grupet e grave. Si avokuese e hershme për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, menjëherë pas miratimit të Rezolutës, Igballja shpesh ka sfiduar qasjen e misioneve të OKB-së dhe iniciativave zhvillimore në rajon. Ajo ka punuar pa pushim për të dokumentuar dhe ndarë këto histori me zyrtarë të lartë dhe aktivistë të të drejtave të grave në vende të tjera, në mënyrë që ata të mund të mësojnë nga gabimet e bëra në Kosovë.

Edhe në Ditën ndërkombëtare të gruas, Igoja u priu nismave për barazi gjinore e respektim të të drejtave të grave. I vjen mirë që përherë e më shumë po ngrihet numri i burrave që mbështesin barazinë gjinore në vend.

Rrjeti i Grave i Kosovës ka mbështetur nisma të ndryshme të organizatave joqeveritare lokale për fuqizimin e rolit të gruas në biznes.

Igballja përherë kishte mbështetjen e babait jorganxhi, shembull i një burri, pavarësisht vështirësive ekonomike e rrethanave shoqërore në Kosovën e pushtuar.

“Babai im jorganxhi nuk ka pasur shkollim. Ka pasur një shkollë fillore se edhe alfabeti atëherë duket ka qenë qirilicë”, tregon ajo. “Domethënë, njeri pa shkollë, por njeri që ka besuar në të drejtat e barabarta, ta quaj ashtu, sepse kurrën e kurrës nuk na ka ndarë neve vajzave, me u sjellë ndryshe se jemi vajza”.

Shumë kujtime, personale e shoqërore, të Igos janë të lidhura me sheshin. Po i mungon fryma e zakonshme e sheshit, por edhe ajo e aktiviteteve shoqërore. Këtu protestoi paqësisht për barazi gjinore.

Për të, sheshi ka përnjëmend kuptimin e arenës së demokracisë. Është shpirti i saj. Igoja, një luftëtare e madhe e të drejtave të grave.

Përherë, zëri i tyre.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism” që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF dhe Ambasada Suedeze.)