Kosova nuk duhet të humbasë energjinë me iniciativat të cilat nuk janë prioritete në rrugën integruese, ka thënë drejtori ekzekutiv në institutin “Epik”, Demush Shasha.
Sipas tij, iniciativa për Mini-Shengenin vuan nga një numër defektesh që nga lansimi i saj dhe nuk ka arritur të jetësojë parimin e gjithëpërfshirjes dhe pronësisë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor. Si problem ai e sheh mungesën e institucionalizimit dhe qëndrueshmërisë së iniciativës Mini-Shengen, transmeton KOHA.
Shasha, i cili udhëheq Institutin që ka objektiv mbështetjen e përpjekjet për integrimin evropian të Kosovës, thotë se iniciativat e tilla mund të kenë sukses në dy skenarë. Skenari i parë është kur vetë vendet e rajonit tregojnë vullnetin dhe përkushtimin e tyre për të jetësuar ndonjë iniciativë të bashkëpunimit rajonal.
Skenari i dytë, siç ka thënë ai, është kur një akter i jashtëm, SHBA apo BE - ofron mbështetje politike, institucionale dhe financiare për iniciativën respektive rajonale.
Defektet e Mini-Schengenit
KD: Në takimin e mbajtur në Washington, pala kosovare pas disa vitesh refuzim pranoi të bëhet pjesë e Mini-Schengenit ballkanik. Sa mund t’u japë Mini-Schengeni një dinamikë e drejtim tjetër problemeve politike dhe integrimit të Ballkanit në BE?
Shasha: Sfidat kyç me të cilat ballafaqohet Kosova në procesin integrues nuk janë të ndërlidhura me Mini-Shengenin. Kosova në rrugën e saj integruese ka tri prioritete kyç: (1) dialogun me Serbinë, (2) bashkëpunimin me Gjykatën Speciale; dhe (3) sundimin e ligjit.
Asnjëra nga këto nuk ndërlidhen me iniciativën e Mini-Shengenit. Prandaj, që në fillim duhet nënvizuar që Kosova nuk duhet të humbasë energjinë me iniciativat të cilat nuk janë prioritete në rrugën tonë integruese. Nga ana tjetër, konsideroj se iniciativa e MiniShengenit vuan nga një numër të defekteve që nga lansimi i saj. E para ka të bëjë me pronësinë. Iniciativa është lansuar nga vetëm tri vende, prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si iniciativë rajonale që në fillim nuk ka arritur të jetësojë parimin e gjithëpërfshirjes dhe pronësisë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor.
E dyta ka të bëjë me duplifikimin e procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është krijuar për të ofruar ombrellë dhe shtytje politike për realizimin e qëllimeve të proklamuara nga iniciativa e Mini-Shengenit. Po ashtu duhet pasur parasysh se në kuadër të procesit të Berlinit marrin pjesë liderët e rëndësishëm të BE-së, si kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, prandaj logjikisht lind pyetja përse dikush do ta kishte përkrahur një iniciativë paralele, e cila përjashton nga dialogu liderët e BE-së dhe efektivisht minon procesin e Berlinit?
E treta ka të bëjë me mungesën e qartësisë për qëllimet e iniciativës. Ka kaluar një vit që nga lansimi i iniciativës dhe ende nuk ka qartësi politike dhe teknike se çfarë janë konkretisht qëllimet e saja. Po ashtu duhet nënvizuar se rajoni nuk ka nevojë për iniciativat e reja, pasi që momentalisht ekzistojnë afro 70 iniciativa të bashkëpunimit rajonal.
Ajo çfarë rajoni ka nevojë është vullneti politik për zbatimin e reformave në rrugën integruese të secilit vend të rajonit – jo iniciativat dhe takimet e reja.