Arbëri

Kurti e Veliu përplasen në distancë për aksionin në Karaçevë

Aksionin e mbrëmshëm të policisë në Karaçevë të Kamenicës e ka mbështetur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndonëse edhe e ka kritikuar atë.

Në një konferencë për media të shtunën, Kurti ka thënë se procesi mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse veprojnë institucionet e tjera të drejtësisë. Kreu i kësaj partie opozitare ka deklaruar se njerëzit kryesorë të krimit gjenden në Prishtinë e jo në Karaçevë, raporton KOHA.

“Nëse ky i mbrëmshmi ka qenë krim i madh e i organizuar, atëherë më duhet të them se e kanë kapur veçse për bishti. Koka e këtij krimi është diku tjetër, mbase në Prishtinë”, ka thënë Kurti.

Por, këtë deklarim të Kurtit e ka quajtur populist ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

“Krim ka të organizuar, ka edhe vepra të tjera krimi që duhet të hetohen. Por ato duhet të nisen e të vazhdojnë e të mos mbetet vetëm me një aksion... Janë deklarime të tij populiste që më nuk i ha pazari, e s’i beson askush”, ka deklaruar Veliu për KOHËN.

Veliu tha të premten se Kurti nuk kishte dhënë leje që i njëjti operacion të realizohej gjatë kohës kur Vetëvendosje udhëhiqte me Qeverinë.

Por, Kurti tani në opozitë ka thënë se Veliu nuk kishte pasur plan të shkruar se si duhej të realizohej aksioni, por vetëm fjalë goje.

Për këtë rast, ministri Veliu e ka akuzuar Kurtin se nuk ka pasur guxim të jepte aprovimin për dy aksione kundër krimit të organizuar.

Përplasjet publike ndërmjet tyre kanë nisur nga pjesa e parë e këtij viti, kur Kurti si kryeministër shkarkoi Veliun nga posti i ministrit të Brendshëm, me arsyetimin se punonte kundër qeverisë së tij.