Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se institucionet duhet të bëjnë më shumë lidhur me gjendjen ekonomike në vend.
Ai ka thënë se nëse nuk intervenohet, në tetor kolapsi ekonomik është i pashmangshëm, e që sipas tij, do të përcillet me humbjen e shumë vendeve të punës dhe mbylljen e shumë bizneseve.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se institucionet po tregojnë paaftësi në trajtimin e kësaj gjendjeje.
“Ne kemi qenë aktiv në kërkesat tona dhe janë dy konstatime që i kemi edhe sot, që gjendje ekonomike është e rëndë dhe që institucionet po tregojnë paaftësi për trajtimin e kësaj gjendjeje. Nga fillimi i pandemisë humbjet në ekonominë e vendit janë në vlerën 1 miliardë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo është arsye e jashtëzakonshme për shqetësim dhe alarm për ata që marrin vendime dhe që duhet të ndërhyjnë shpejtë, për pjesën e përgjegjësisë që e ka qeveria dhe parlamenti në adresimin e kësaj situate të rëndë që e kemi”, ka thënë ai.
Ndërkaq edhe sot ka dështuar votimi i projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se është për keqardhje mosvotimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Tash disa muaj prej kur dy odat kanë bashkuar forcat në shumicën e rasteve për të adresuar problemet e sektorit privat gjatë pandemisë. Është për keqardhje jo vetëm fakti që deputetët kanë qenë në pushim për më shumë se një muaj por edhe që në seancën e parë pas kthimit nuk e votojnë një ligj që është esencial për ringjalljen ekonomike tash pas efekteve që ka shkaktuar pandemia. Hapen investime për mundësi të reja infrastrukturore që i nevojiten Kosovës, investime në transport dhe investime që e shndërrojnë Kosovën”, ka thënë ai.