00:16

Aktualisht PDK-ja pa qëndrim nëse Veselit i konfirmohet aktakuza nga Specialja

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se partia e saj nuk ka bërë ndonjë plan “B” për të ardhmen e partisë nëse konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale për kreun e kësaj partie, Kadri Veseli.

Ajo ka thënë se nuk mund të deklarohet për “situata hipotetike”.

“Dua të besoj se nuk do të ketë konfirmim të aktakuzave. Por nuk kemi diskutuar deri tash për asgjë, sepse kjo është vetëm situatë hipotetike. Dua të besoj se nuk do të ketë konfirmim të aktakuzave”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

23:59

Deliu-Kodra: Do të vazhdojmë të jemi në opozitë

Blerta Deliu-Kodra, deputete e PDK-së, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se do të vazhdojnë të jenë në opozitë.

Ajo ka thënë se ka shumë kërkesa nga deputetët, pyetje dhe hipoteza që nesër do të parashtrohen. Seanca e nesërme do të shërbejë se çfarë do të ketë në afat të shkurtër kohor. Ka pasur mosmarrëveshje edhe ndërmjet vet partnerëve të koalicionit që ka rënduar situatën politike.

Dliu-Kodra ka treguar se pse nuk e mbështesin mocionin e iniciuar nga Vetëvendosje.

“Ka një hile edhe në këtë mocion të Vetëvendosjes. Ajo që është evidente është se nuk ka mundësi që VV-ja t’i sigurojë 40 nënshkrime që ky mocion të ketë legjitimitetin e tij dhe të vjen në parlament. Ne do ta jemi aty të kryejmë obligimin tonë”, ka thënë ajo.

Sipas saj ky mocion i Vetëvendosjes është jo serioz.

“Ne kemi thënë që në fillim që ka pas shumë pyetje ndaj Vetëvendosjes. Për ne ka qenë e habitshme pasi ka një diskurs përjashtues me PDK-në, dhe kemi kërkuar sqarime se çfarë po ndodh në këtë bashkëpunim. Kjo nuk është hakmarrje. Tashmë kemi një përafrim të saj që në fillim nuk ka ofruar një ulje për dakordësim. Kur ka një iniciativë të një anshme dhe si iniciator nuk merr mundin të ulesh që të dakordësohesh e shohim sa joserioze është. Qëndrimet në opozitë dakordësohen, por mungon një harmonizim. Asgjë serioze nuk ka në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra ka konfirmuar se do të vazhdojnë të jenë në opozitë.

“Nga zgjedhjet e tetorit e kemi thënë saktë dhe e kemi pranuar rezultatin. Kemi vendosur të jemi në opozitë, jemi duke punuar thellësisht në strukturën e brendshme dhe kemi çdo ditë vizita në terren. Do të vazhdojmë të jemi në opozitë”, ka thënë Deliu-Kodra.

23:51

Deliu-Kodra: Nga marrëveshja me Serbinë s’pranojmë asgjë tjetër përveç njohjes së ndërsjellët

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se nga dokumenti me zotime i cili u arrit në Washington mes Kosovës dhe Serbisë janë prekur edhe çështjet e brendshme të Kosovës.

Sipas saj, nuk do të duhej të diskutoheshin resurset ekonomike të vendit si dhe tema e Mini-Schengenit.

Ajo e ka quajtur të çuditshëm ndryshimin e diskursit të liderëve politik lidhur me Mini-Schengenin, duke thënë se të njëjtit vetëm pak kohë më parë e kundërshtuan këtë ide kategorikisht.

Deliu-Kodra ka thënë se e rëndësishme është që të mos të humbet momentumi për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi një (president të Serbisë Aleksandar) Vuçiq që ka marrë përkrahje në zgjedhjet e fundit në Serbi dhe ne nuk duam të besojmë që ndër vite Kosova ta zvarrisë këtë proces dhe të mos e marrë njohjen. Qytetarët e meritojnë që ne ta përmbyllim këtë kapitull të dhimbshëm edhe aspak të lehtë për ne”, ka thënë ajo.

Ajo është shprehur pesimiste që së shpejti do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Ne kemi bërë thirrje në vazhdimësi që opozita të përfshihet në dialog, porse ne kemi marrë në vazhdimësi përgjigje negative”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nga marrëveshja finale me Serbinë nuk do të pranojnë asgjë përveç njohjes së ndërsjellët dhe ulësen në Organizatat ndërkombëtare.

23:46

Deliu-Kodra mbron Thaçin në kërkesën e tij që t’i ndalohet Hotit negocimi për Asociacionin

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra i ka dalë në mbrojtje presidentit të vendit, Hashim Thaçi, pasi ai kërkoi një rezolutë urgjente nga Kuvendi i Kosovës për t’ia ndaluar kryeministrit Avdullah Hoti që të negociojë çështjet e brendshme të Kosovës në dialogun me Serbinë, një ditë para takimit në Bruksel.

Edhe pse ka thënë se partia e saj ende s’ka një qëndrim për kërkesën e presidencës, Deliu-Kodra në Interaktiv të KTV-së ka shtuar se Thaçi është ndër njerëzit më të informuar për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë.

“Kemi kuptuar përmes raportimeve në media. Ajo që dua të them sot është se nëse dikush është i njoftuar me procesin dhe ka informacione, padyshim është presidenti Thaçi. Ne si grup do të kemi qëndrimin tonë”, ka thënë ajo.

Presidenca e ka quajtur “gabim të madh dhe të rrezikshëm” hapjen e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit, ndërsa Hoti ka thënë se ka përpjekje për shtrembërim me informata. Kjo, sipas Deliu-Kodrës, nuk qëndron.

“Nuk e besoj që qëndrojnë deklaratat e Hotit. Ai (Thaçi) ka qenë bartës i këtij procesi dhe është ndër më të informuarit për dialogun, por edhe me përvojën paraprake ka memorie institucionale e background të dialogimit e është e pakuptimtë të thuhet se i mungon informacioni lidhur me këtë proces”, ka shtuar ajo.

Deputetja e PDK-së ka kritikuar Qeverinë Hoti se nuk i është përmbajtur premtimeve se do të shkojë në Washington në fillim të shtatorit për njohjen reciproke me Serbinë.

“Pas takimit të Washingtonit kemi shfaqur qëndrimet tona dhe kemi bërë të ditur se përkrahim SHBA-në si ndërmjetëse. Shqetësimet tona ishin me delegacionin tonë sepse janë rikthyer temat që kanë marrë epilogun. Kemi pas shqetësime në temat. Është dëgjuar disa herë që ka thënë se shkon për njohje të ndërsjellë. E nesër do ta pyesim ku janë këto qëndrime. E dimë që ka thënë se shkon vetëm për njohje. Jemi në përfundim të procesit të gjatë dhe kemi pritur të marrë epilogun e të marrë njohje. Mendojmë se ka humbur momentumin për këtë”, ka thënë ajo teksa e ka quajtur të habitshme se si “Kosova ka lejuar të kthehen disa tema”.

Deliu-Kodra ka thënë se Qeveria Hoti është treguar joserioze në qasjen e saj për dialogun.