Arbëri

Tërheqja e 10-përqindëshit nga Trusti: Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nesër hidhet sërish në votim

Descriptive Text

Pasi që në mungesë kuorumi nuk kishte kaluar gjatë muajit të kaluar, Kuvendi nesër do të hedh sërish në votim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, që midis tjerash, parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti. Për të do të votohet në parim. 

Është kjo njëra nga pikat e papërfunduara, për të cilat do të votohet të enjten.

Krahas Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, Kuvendi do të votoje edhe rreth dy propozim-rezolutave rreth menaxhimit të pandemisë, asaj të VV-së dhe të PDK-së.

“Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, pas lejimit të përmbarimit të Vendimit Përfundimtar OEN nr. 20990/MHM, të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Paris, të propozuar nga GP i LVV-së”, është ndërkaq pika e dytë.

Krahas tyre, legjislativi po ashtu do të votojë në parim rreth Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Mungesa e kuorumit kishte bërë që Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike të mos votohet në lexim të pare gjatë gushtit. Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin refuzuar ta votojnë këtë projektligj, edhe pse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, u bëri thirrje ta votonin.