Arbëri

Rukiqi: Ka përfunduar ligji për Gjykatën Komerciale, së shpejti hyn për miratim

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se ka përfunduar ligji për Gjykatën Komerciale dhe se pret procedurën formale të miratimit të tij.

Rukiqi në Interaktiv të KTV-së e sheh gjë të mirë përkrahjen e subjekteve politike për krijimin e kësaj gjykate, për të cilën thotë se garanton sigurinë juridike për investitorët.

“Ligji është përfundu, kemi qenë pjesë e draftimit të ligjit dhe besoj se shpejt hyn në procedura formale të miratimit. Është e mirë që çdo parti politike në Kosovë e ka përkrahë krijimin e Gjykatës Komerciale, ka diskutime në mesin e komunitetit të juristëve por nga perspektiva jonë duke e pa mesataren e kohëzgjatjes së një rasti komercial, konsiderojmë të nevojshme që të krijohet ky mekanizëm dhe shpresojmë të jetë shumë më efikas dhe një arsye shtesë që të themi se e kemi rregullu pjesën e garantimit të sigurisë juridike edhe për investitorët tanë dhe të huaj”.

Rukiqi ka thënë se synohet të ketë ndryshim në praktikë me këtë gjykatë, ashtu që ekspertët e rekrutuar aty “të përcjellin rastet dhe të jenë impuls pozitiv në funksionimin e Gjykatës Komerciale”.

“Ka një qasje të tillë që të shkohet me një konturë tjetër që garanton që kjo gjykatë të jetë efikase. Këtu e kam fjalën për në pjesën e administratës apo stafit civil, të jetë një lloj modeli”, ka thënë ai.