3 perditesime
19:39

Hoti: Do ta respektojmë plotësisht marrëveshjen për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimeve në Bruksel sot ka thënë se do të respektojnë plotësisht marrëveshja e vitit 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se në raundin e fundit të diskutimeve me Serbinë në Bruksel janë hapur dy çështje kryesore: çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pretendimet financiare në mes të të dyja vendeve.

“Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë Asociacion dhe ne nuk po mundohemi në asnjë mënyrë që t’i ikim asaj marrëveshjeje, ne do ta respektojmë plotësisht atë, por jemi pajtuar që të punojmë së bashku që të arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, ku përfshihet edhe Asociacioni dhe çështje tjera”, ka deklaruar ai.

17:59

Hoti eurodeputetëve: Marrëveshja e Washingtonit e plotëson dialogun në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u ka shpalosur eurodeputetëve detaje të Marrëveshjes së javës së kaluar të arritur në Washington.

Gjatë fjalimit të tij në Komitetin evropian për Marrëdhënie me Jashtë, ai ka thënë se kjo marrëveshje e plotëson dialogun që po zhvillohet në Bruksel, nën ombrellën e BE-së.

“Gjatë javës së kaluar arritëm marrëveshje në Washington, për të cilën kemi punuar për një kohë dhe ajo paraqet një hap të madh drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. E quajmë marrëveshje për normalizim ekonomik, pasi që pjesa më e madhe merret me çështje ekonomike… Mënyra se si e shoh këtë marrëveshje është se ajo e plotëson dialogun që po zhvillohet në Bruksel”, ka thënë ai.

Hoti njëkohësisht u ka thënë eurodeputetëve se shpreson se gjatë Presidencës Gjermane, Kosovës do t’i jepet liberalizimi i vizave.

“E panevojshme të thuhet që jemi shteti i vetëm në rajon pa liberalizim. Dihet që i kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe qeveria jonë po mundohet të sigurojë se ato kritere mbesin të përmbushura dhe avancohen gjatë tërë kohës. E meritojmë liberalizimin e vizave dhe dua ta shfrytëzoj mundësinë për t’i falënderuar eurodeputetët për përkrahjen e dhënë…. Kemi popullsinë më të re në Evropë dhe u duhet liberalizimi. Shpresoj se gjatë Presidencës Gjermane mund të ecet përpara”, ka thënë ai.

Hoti po ashtu u ka rikujtuar eurodeputetëve se shkaku i kërkesave të BE-së, ai në fillim të mandatit kishte marrë disa vendime “tejet të jopopullarizuara”, duke përmendur heqjen e barrierave jotarifore dhe reciprocitetit.

“Arsyeja është se këtë na e kanë kërkuar partnerët tanë në BE. Në këtë proces kemi qenë të përfshirë që nga samiti i Parisit, ku ne si qeveri prezantuam parimet se si e shohim këtë proces të rëndësishëm…. Deri më tani janë organizuar dy takime të nivelit të lartë me Serbinë. Kemi arritur përparim në disa çështje. Kur e nisëm këtë proces, e bëmë të qartë se synojmë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë me Serbinë e mund të arrihet vetëm përmes njohjes reciproke. Nuk jemi të interesuar për zgjidhje afatgjatë, por zgjidhje të përhershme e kjo arrihet vetëm përmes njohjes reciproke”, ka thënë ai.

17:11

Hoti: Takim frytdhënës me Sassolin për menaxhimin e pandemisë dhe liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Twitter ka thënë se ka pasur një takim frytdhënës me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli.

Ai ka bërë të ditur se me të kanë diskutuar për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe për procesin e liberalizimit të vizave, transmeton KOHA.

“Shumë i nderuar të takoj presidentin David Sassoli, me të cilin patëm bisedime frytdhënëse për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe të ardhmen evropiane të Kosovës, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave”, ka shkruar Hoti.

08:17

Kryeministri Hoti sot për vizitë zyrtare në Bruksel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Bruksel.

Gjatë kësaj vizite kryeministri do të zhvillojë disa takime në Parlamentin Evropian, ku ndër të tjera do të takojë presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, Grupin e Miqësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian, eurodeputetë, si dhe Komisionin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian.