Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë” për tremujorin e dytë të vitit 2020.
Pjesë e anketës ishin 199 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.
ASK thotë se për shkak të pandemisë, me vendim të Qeverisë së Kosovës, hotelet kanë qenë të mbyllura gjatë muajve prill dhe maj 2020. Andaj, të dhënat e publikuara në këtë tremujor paraqesin rezultatet vetëm të muajit qershor 2020, pasi hotelet kanë filluar të punojnë nga data 01 qershor 2020.
“Në TM2 2020, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 6.831, prej tyre 47.96% janë vendorë dhe 52.07% janë të huaj. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 10.466, prej tyre 48.45% nga vendorët dhe 51.55% nga të huajt”, thuhet në njoftim.
Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka Rajoni i Prishtinës, me 2.439 vizitorë dhe 3.626 net-qëndrime.
Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, etj.