Arbëri

Pacientë me dhe pa COVID-19 po trajtohen në të njëjtat dhoma në QKUK

Familjari i një prej pacientëve të shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë prapa kamerës i ka thënë KOHËS se familjari i tij ndonëse kishte rezultuar negativ në COVID-19 është shtrirë në një dhomë me pacientë të tjerë të prekur me këtë virus.

Ai është shprehur i shqetësuar për shëndetin e familjarit të tij pasi, sipas tij, rreziku për t’u infektuar me virus, me gjithë problemet e tjera shëndetësore në mushkri, është i pashmangshëm.

E kontaktuar për këtë çështje, drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, ka pohuar se ekzistojnë raste të tilla kur pacientët e kësaj klinike rezultojnë negativë në testim, por që ndryshimet radiologjike në organizmin e tyre janë identike sikurse të personave të infektuar me Covid – 19.

Për këtë Mehmeti thotë se këta pacientë mund të zgjedhin nëse do të qëndrojnë në dhomë me persona që janë të infektuar, apo të shkojnë në shtëpi, pa marrë trajtimin adekuat.

“Të gjitha rastet të cilat pranohen këtu janë hipotetikisht pozitive. Kemi edhe ankesa nga familjarët që ankohen se rastet pozitive me Covid janë të vendosura me rastet negative. Mirëpo ata duhet të mendojnë dhe të zgjedhin nëse dëshirojnë të qëndrojnë me një dhomë me pacientë pozitivë apo t’i dërgojmë në shtëpi, ku mundësia me vdekë është më e madhe, e këtu i jepet një shans që të jetojnë. Kur pacienti pranohet tek ne dhe ka ndërrime radiologjike identike si ai që është pozitiv, si ai negativ, atëherë për ne edhe ai që ka rezultuar negativ do të trajtohet sikurse ai pozitiv”, ka thënë Rukije Mehmeti, drejtoreshë në Klinikën e Pulmologjisë.

Ndërkohë në këtë klinikë aktualisht po trajtohen 77 pacientë të infektuar me Covid – 19, 68 prej të cilëve janë duke marrë oksigjenoterapi.