Arbëri

Rreth 7 mijë euro u paguan për tri udhëtime të Skënder Hysenit për dialogun

Mbi 6 mijë e 800 euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës tri udhëtime të koordinatorit shtetëror për dialogun, Skënder Hyseni, dhe stafit të tij.

Rreth gjysma e tyre apo 3 mijë e 66 euro u shpenzuan për udhëtimin e Hysenit në Amerikë javën e parë të gushtit. Prej tyre 1 mijë e 290 për biletë, 659 euro për akomodim e 540 euro për dreka e darka.

Njëra prej darkave të Hysenit, sipas faturave të siguruara përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, kap shifrën 311 dollarë. Në restorantin ku ai qëndroi për darkë, përveç 261 dollarëve sa i ka kushtuar darka, Hyseni me para të taksapaguesve la bakshish 50 dollarë, raporton KOHA.

Nënshkrimi i Hysenit është vënë edhe në një faturë tjetër, e që ka shifrën prej 244 eurosh, prej të cilave 36 dollarë janë lënë po ashtu për bakshish.

Katër netët nga vizita e tij në Amerikë, koordinatori shtetëror për dialogun i kaloi në këtë hotel në Washington DC, ku për një natë pagoi 169 dollarë.

Para se të udhëtonte për në Amerikë, Hyseni qëndroi në Bruksel. Për tri ditë Hyseni e shoqëruesit e tij, Gazmend Qorraj e Muhamet Mustafa, shpenzuan 1 mijë e 870 euro e 44 centë.

Për një darkë në Bruksel koordinatori shtetëror për dialogun, Skënder Hyseni, pagoi 169 euro e 50 centë. Prej tyre 63 euro për 300 gramë biftek irlandez, e 46 euro për verë.

Biftekë e verë Hyseni porositi edhe në ditën e fundit të qëndrimit në Bruksel, darkë për të cilën pagoi mbi 145 euro.

Më lirë sesa darka Hysenit i kushtoi një natë qëndrimi në hotel. Në këtë hotel, ku qëndroi për tri ditë, ai pagoi 119 euro për akomodim.

Porosinë e njëjtë, biftekë e verë, Hyseni e bëri edhe gjatë udhëtimit të tij të parë për në Bruksel, një ditë pasi u emërua në postin e koordinatorit për dialog.

Për dy darka ai pagoi 252 euro e 50 centë. Më shumë se gjysmën prej tyre, apo 135 euro për dy verëra.

Detyrën si udhëheqës i bisedimeve me Serbinë në nivel të ekspertëve Skënder Hyseni e mori më 21 korrik.