Arbëri

Thaçi përkrah njërën listë të shqiptarëve në Mal të Zi, dekoron anëtarin e tjetrës

 

Mehmet Zenka nga koalicioni “Bashkë nji za”, që garon në zgjedhjet e përgjithshme në Mal të Zi të dielën e 30 gushtit, është dekoruar të premten me “Urdhrin e Pavarësisë” nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pak ditë pasi ky deklaroi publikisht përkrahjen për një listë tjetër të partive shqiptare në zgjedhjet në vendin fqinj.

“Këtë të diel, shqiptarët në Mal të Zi gjenden përballë mundësisë së zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në institucionet shtetërore të shtetit mik të Kosovës. Komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka qenë gjithmonë faktor stabiliteti dhe ka luajtur rol konstruktiv e kontributdhënës në rrugën e integrimit euroatlantik të tij. Prandaj, duke njohur punën e tyre të vyer në të mirë të interesave kombëtare, edhe sot u bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhje për ta mbështetur Listën Shqiptare, në mënyrë që ta avancojnë përfaqësimin e tyre politik dhe ta sigurojnë ecjen përpara të Malit të Zi drejt së ardhmes euroatlantike, si pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Lista Shqiptare është zgjedhja e duhur për ta vazhduar punën në të mirë të shqiptarëve dhe në drejtim të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Çdo kontribut i dhënë për avancimin e agjendës evropiane të Malit të Zi e çon përpara bashkimin e të gjithë shqiptarëve në familjen e madhe evropiane”, kishte shkruar Thaçi në postimin e 27 gushtit në përkrahje të Listës Shqiptare në Mal të Zi, vetëm një ditë para se të ndante dekoratën për anëtarin e listës tjetër “Bashkë nji za”.