Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, thotë se Kosova në bisedimet me Serbinë po përfaqësohet nga njerëz pa legjitimitet e të paaftë.
Ai ka thënë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë kuptim të ndodhin pa fituesin e zgjedhjeve.
Takimin e së enjtes në Bruksel dhe atë që pritet të mbahet në Uashington mes dy vendeve, Aliu i sheh si të pakuptimta, duke qenë se aty mungon partia fituese e zgjedhjeve.
Përpos që i quan jolegjitimë, Aliu thotë se negociatorët e Kosovës janë të rrezikshëm, për shkak se në të kaluarën kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme për vendin.
“Negociatat nuk ka kuptim të ndodhin pa fituesin e zgjedhjeve. Pra, absolutisht nuk ka sens që të ketë negociata pa fituesin e zgjedhjeve, po këmbëngulja e tyre që ato t'i bëjnë është mjaft frikësuese për shkak se duke e pasur përvojën nga e kaluara, duke e pa çka ka ndodhur në të shkuarën, qysh këta kanë qenë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme për vendin prapë ekziston rreziku që këta të nënshkruajnë diçka të rrezikshme për vendin tonë. Pra, janë edhe jo legjitim edhe janë të rrezikshëm, kjo është më kryesorja”, deklaruar ai për KP.
Madje, ai e sheh si të domosdoshme shkuarjen në zgjedhje, mirëpo thotë se nga zgjedhjet po frikësohen të gjitha partitë e tjera.
LVV-ja ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë Hoti, megjithatë Aliu thotë se për ta rrëzuar qeverinë duhen edhe votat e PDK-së.