Arbëri

MPJD-ja dhe klubi Gjilani dënojnë djegien e flamurit grek

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dënuar djegien e flamurit të Greqisë nga një grup tifozësh pas humbjes së Gjilanit në ndeshjen e xhiros së parë kualifikuese të Ligës së Evropës nga ekipi qipriot APOEL. Njëjtë e ka dënuar edhe vetë klubi Gjilani.

Sipas njoftimit të MPJD-së, flamuri është djegur në një nga sheshet e Prishtinës të enjten mbrëma, pak kohë pasi Gjilani humbi 0:2 ndaj APOEL-it, pas vazhdimeve.

“Dënojmë fuqishëm çdo lloj akti fyes të simbolit kombëtar të cilitdo shtet, në rastin konkret të Greqisë. Kosova dhe Greqia kanë vendosur dialog praktik, kanë zyra ndërlidhëse në kryeqendrat e tyre dhe të dyja palët punojnë për të thelluar dialogun edhe më tej”, ka deklaruar kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Sipas njoftimit, MPJD-ja pret që organet e rendit të reagojnë shpejtë dhe të vendosin para drejtësisë autorët e këtij akti.

Ndërkohë, edhe klubi Gjilani, përmes një reagimi tha se këto akte janë të papranueshme.

“Pas veprimeve të disa individëve në natën e mbrëmshme gjatë zhvillimit të takimit Gjilani-APOEL, që kanë djegur flamurin e Greqisë, SC Gjilani dënon rënd këtë akt jo të hijeshëm. Vepra të tilla nuk kanë vend në sportin më të popullarizuar në botë, e aq më pak te ne si komb ku duhet të jemi shembull në mikpritjen e ekspeditave udhëtuese”, thuhet në reagimin e klubit Gjilani në Facebook.