3 perditesime
16:50

Përfundon takimi, Limaj: Koalicioni është stabil, s’diskutuam për çështjen e presidentit

Ka përfunduar takimi i thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti me partnerët e koalicionit.

Kryetari i Nismës Fatmir Limaj pas përfundimit të takimit me liderët e koalicionit ka thënë se tema kryesore e diskutimit mes tyre ka qenë dialogu me Serbinë dhe takimi i Washingtonit.

Sipas Limajt, ne takim nuk është diskutuar çështja e presidentit. Kreu i Nismës ka thënë se në takim kanë diskutuar edhe për përplasjet mes parterëve të koalicionit.

Ai ka thënë se ka qenë dakordim i përbashkët që në dialog Kosova është e gatshme të marrë pjesë me qëllime të qarta.

Limaj ka shtuar se në dialog do të shkojnë për njohje, dhe nuk do të lejojnë që të bisedohen tema teknike.

Ai ka thënë se qëndrimi i Nismës është që nuk duhet të bisedohet çështja e presidentit sepse sipas tij, vendi ka president, duke shtuar se kjo temë është e turpshme dhe nuk duhet të bisedohet.

“Koalicioni është i qëndrueshëm aq sa ka partneritet”, ka thënë ai.

Përveç Limajt lidhur me takimin nuk janë deklaruar ndonjë prej pjesëmarrësve të tjetër.

15:12

Liderët e partive të koalicionit mblidhen në ndërtesën e Qeverisë

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka arritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës ku pritet të mbahet takimi mes liderëve të koalicionit. Para tij, ka mbërritur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Takimi është paraparë të fillojë në orën 15:00, derisa pritet të diskutohet takimi i 4 shtatorit në Uashington.

Përveç dialogut në këtë takim pritet të diskutohen edhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet rreth koalicionit qeverisës.

Dje, ministri nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi, tha se mund të flitet edhe për postin e presidentit.

09:40

Mustafa: Nuk ka vullnet për zgjedhje, VV-së i ka mbetur letra e mocionit në duar

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, vlerëson se nuk ka vullnet të partive për të shkuar në zgjedhje të reja dhe se mocioni i iniciuar nga VV-ja për rrëzimin e qeverisë, “i ka mbetuar në duar” kësja partie, duke iu referuar mospërkrahjes nga të tjerët.

Mustafa ka folur pak orë para takimit të paraparë për sot në orën 15:00, ku pritet të takohen krerët e partive të kolaicionit qeverisës.

Sipas njoftimit zyrtar, temë është procesi i dialogut me Serbinë, por të dielën, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, që vjen nga LDK-ja, tha se mund të flitet edhe për postin e presidentit që po e kërkon Ramush Haradinaj i AAK-së.

“Sa i përket iniciativës së VV-së për mocion, ne nuk kemi asnjë telashe të shkojmë në zgjedhje në momentin që vendos shumica. Unë nuk shoh disponim të shumicës për rrëzim të qeverisë dhe zgjedhje të tjera. Prandaj mocioni bie që është sfidë për Vetëvendosjen dhe jo për LDK-në, sepse atyre iu kanë mbetur letrat në duar”, tha Mustafa për KP-në.

Mustafa ka shtuar në partinë që ai udhëheq nuk është trajtuar pozita e presidentit. Veç kësaj ai tha çështja e presidentit nuk do të trajtohet derisa nuk do të sfidohen me mandatin kushtetues.

“Në LDK nuk është trajtuar pozita e presidentit dhe nuk do të trajtohet derisa nuk sfidohemi me mandatin kushtetues, prandaj edhe nuk kemi kurrfarë kundërshtimesh por as pajtimesh me askënd”, ka thënë Mustafa.

Ditë më parë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është i gatshëm për postin e presidentit.

08:08

Sot takohen partnerët e koalicionit për përçarjet dhe postin e presidentit

Partnerët e koalicionit LDK, AAK dhe NISMA-AKR, sot në orën 15:00 pritet të takohen.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka njoftuar se temë diskutimi do të jenë zhvillimet e deritashme në procesin e dialogut dhe pritjet për takimin e radhës në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator.

Por, pritet të diskutohet edhe për postin e presidentit. Për këtë post ka shprehur interesim kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e së fundi edhe LDK-ja si partneri kryesor në Qeveri. Të paktën kështu ka deklaruar të dielën ministri i Infrastrukturës dhe zyrtari i lartë i kësaj partie, Arban Abrashi.

Në takim pritet të marrin pjesë, pos kryeministri Hoti dhe krerët e AAK-së, Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj.

Posti i presidentit pritet të mbetët i lirë më së largu në pranverë kur e kryen mandatin 5-vjeçar Hashim Thaçi, por mund të mbetet edhe më herët në rast se konfirmohet aktakuza ndaj tij nga Specialja.

Së fundi, mes partnerëve të koalicionit janë shfaqur shumë përçarje për tema të ndryshme, sidomos mes LDK-së dhe AAK-së.