Pas thirrjeve të shumta për dhurim të gjakut, gjendja për rezerva është stabile, megjithëse kritike ka mbetur sigurimi i grupit negativ.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi, kërkon që të vazhdohet dhurimi i gjakut për të evituar mungesat e mëvonshme.
“Ka stabilizim të gjendjes së gjakut, por nëse nuk vazhdohet me dhurim të gjakut përsëri do të biem në gjendje kritike”, ka thënë ajo, duke shtuar se në mesin e pacientëve që po kanë nevojë për gjak janë edhe ata me COVID-19.
Zhubi tha për KP se ekziston mungesë e grupit negativ të gjakut.
“Kërkesat e grupit 0 nga ana e pacientëve kanë qenë shumë të mëdha dhe kjo ka shkaktuar ulje të përkohshme të këtij grupi. Zero pozitiv ka qenë më i mangëti në këto dy javët e fundit, por sigurisht grupet negative janë problemi kryesor të cilat e kanë të gjitha transfuzionet e gjakut”, tha ajo.
E njëjta gjendje është edhe në Njësinë Rajonale të Transfuzionit të Gjakut të Prizrenit. Shefi i këtij shërbimi, Shasivar Sallahu, ka thënë se gjendja është stabile por se për shkak të pandemisë ka rënë numri i dhuruesve të gjakut.
Që nga përhapja e koronavirusit në vend, vazhdimisht është bërë thirrje për shurim të gjakut për shkak të mungesës në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.