2 perditesime
23:37

Grubi thotë se procesi zgjedhor në Maqedoni nuk ndikoi në rritjen e rasteve me COVID-19

Sekretari i BDI-së, Artan Grubi, ka thënë se në Maqedoninë e Veriut procesi zgjedhor nuk ka sjellë valë të re të infeksioneve me koronavirus.

Dy javë pas procesit zgjedhor, Grubi ka thënë në Interaktiv të KTV-së se në ditën e zgjedhjeve në Maqedoni “më sigurt ka qenë të dalësh të votosh se të shkosh në dyqane për të blerë gjëra”.

“Jemi në ditën e 14-të, dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe nuk është paraqitur një klastër zgjedhor, sepse zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë jashtëzakonisht të mirë. Prandaj nuk ka edhe klaster, nuk ka infektime të cilat janë rezultat nga procesi zgjedhor e as edhe nga fushata”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rastet ditore në Maqedoni të Veriut janë 8-10 për qind nga testimet, që janë përafërsisht 1000 në ditë. Në Maqedoni kanë vdekur 551 persona si pasojë e COVID-19. Numri total i rasteve të regjistruara deri tash është 13076.

23:35

Artan Grubi kritikon opozitën shqiptare në Maqedoni

Artan Grubi, sekretar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe i propozuar për ministër dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e re të Maqedonisë, ka vlerësuar të dëmshëm rolin e opozitës shqiptare në Maqedoni.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Grubi ka thënë se partitë shqiptare duhet të bëhen bashkë kur bëhet fjalë për interesat e shqiptarëve në këtë vend.

Grubi ka thënë se situata në Maqedoni ndryshon krahasuar me Kosovën e Shqipërinë ku garohet mes partive shqiptare.

“Po flas për një skenë të uzurpuar opozitare shqiptare, duke mos lejuar një rritje të shëndoshë të opozitarizmit konstruktiv në vend, i cili do të jepte përkrahje për procese avancuese për të drejtat e shqiptarëve. Ju e shihni, nesër do të duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit, shqiptar, dhe kemi një opozitë e cila hamendësohet a do të votojë apo nuk do të votojë. Nuk do të ndodhte kjo as në Kosovë, as në Shqipëri as në ndonjë vend tjetër, as në Mal të Zi, që të hamendësohet një shqiptar për të votuar shqiptar tjetër për kryetar Kuvendi. Sepse ne nuk jemi në një shoqëri mono-etnike apo le të themi si në Kosovë apo Shqipëri ku garojnë partitë politike shqiptare mes vete dhe nuk kanë garë mes komuniteteve të ndryshme. Kemi nevojë për të bashkërenditur veprimet për ta përkrahur njëri-tjetrin”, ka thënë Grubi.

Ai ka lavdëruar liderin e partisë së tij, BDI, Ali Ahmeti, duke thënë se që nga viti 2002 ka fituar të gjitha zgjedhjet mes shqiptarëve.

“Qëndrimi i zotit Ahmeti gjithmonë ka qenë që Maqedonisë i nevojiten dy parti. Një parti në vend është shfaqur e dëmshme sa tri parti. Maqedonia ka nevojë për një parti në pozitë dhe një në opozitë dhe të garojnë në mënyrë të shëndoshë. Por neve nuk kemi nevojë për uzurpim të skenës politike. E dini, në 20 zgjedhjet e fundit, Ahmeti ka ngadhënjyer, që nga viti 2002 deri më sot, qofshin ato parlamentare, lokale, presidenciale apo referendume”, shtoi Artan Grubi, që në Qeverinë e re pritet të jetë ministër i Sistemit Politik dhe zëvendëskryeministër.

23:33

Sipas Grubit, prioritet i rajonit është marrëveshja Kosovë – Serbi

Artan Grubi, sekretar i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se prioritet i rajonit është arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

Në Interaktiv të KTV-së, Grubi ka thënë se Ministria e Jashtme e Maqedonisë do të punojë në integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se tash koha kërkon që rajoni të jetë “i qetë, i integruar, stabil, dhe të ketë bashkëpunim mes njëri-tjetrit”.

“Është prioritet për të gjithë rajonin tonë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare stabile me njohje reciproke mes Prishtinës dhe Beogradit dhe vlerësoj se këtu mund të japim kontributin e duhur. Integrimi rajonal është një nga prioritetet tona. Na duhet rajon pa kufij, që e sjell Evropën këtu dhe që e bën Ballkanin gati për Bashkim Evropian. Ne duhet t’i largojmë kufijtë, të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të zhvillojmë ekonomitë e të përbëjmë një treg shumë më të madh sesa kur të jemi të ndarë”, ka thënë ai.

“Maqedonia tashmë është në NATO dhe Kosova kufizohet me një vend që është anëtar në NATO dhe ne jemi këtu për t’i dalë në krah Kosovës, për t’i dalë në krah gjithë rajonit në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë në standarde evropiane e të unifikuar”, ka shtuar Grubi.