3 perditesime
14:15

Sahiti: S’do të lejoj që vendimmarrja të ndikohet nga politika

Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti i cili u zgjodh sot tha se nuk do të lejojë që vendimmarrja të ndikohet nga politika.

Ai ka thënë se prioritetet e tij kanë të bëjnë me procesin e mësimdhënies, përmirësimin e cilësisë, përmirësimin e infrastrukturës së Universitetit të Prishtinës.

Ai ka thënë se ka pasur pritshmëri se do të jetë rektor.

“Rektori duhet të jetë rektor që qëndron prapa interesave të studentëve. Për ekipin kam menduar nuk është që është çështje e kryer, por me kohë do të informoheni për të zgjedhurit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të punojë brenda kornizës ligjore.

“Brenda kornizave të tilla qoftë bashkëpunim legal edhe me politiken do ta përkrahi, por jashtë këtyre nuk do të ndikohet”, ka thënë ai. “Jam i interesuar që vendimmarrja të mos ndikohet nga politika”.

Sahiti ka thënë se ndryshimet në statutin e Universitetit të Prishtinës janë të nevojshme, derisa ka shtuar se do të vazhdojnë t’i bëjnë këto ndryshime që kanë filluar edhe gjatë kohës sa ai ishte prorektor.

13:57

Naser Sahiti zgjedhet rektor i UP-së

Profesori i Fakultetit të inxhinierisë mekanike, Naser Sahiti është zgjedhur rektor i Universitetit të Prishtinës. Ai ka marrë 7 vota, kandidati Faton Berisha 2 vota dhe kandidati tjeter Blerim Rexha, asnjë votë.

Sipas statutit të UP-së, mandati i rektorit është 4 vjeçar, raporton KOHA. 

Kryetari i bordit të UP-së, Ujkan Bajra ka thënë se procesi ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur ndonjë ndikim nga jashtë në përzgjedhjen e rektorit.

10:29

Nis mbledhja e Këshillit drejtues të UP-së, tre kandidatë në garë për rektor

Ka nisur mbledhja e Këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës në të cilën pritet të zgjedhet rektori.

Në garë janë Naser Sahiti, Blerim Rexha dhe Faton Berisha.

Fillimisht do të bëhet intervistimi i kandidatëve dhe pas orës 12 e 30 do të votohet, raporton KOHA.

Pas kësaj këshilli do të mbajë një konferencë për media ku do të njoftojë për procesin.

Kryetari i Këshillit, Ujkan Bajra ka thënë se dëshiron që kjo të jete hera e fundit që zgjidhet nga Këshilli drejtues pasi sipas tij njësitë akademike bashke me stafin dhe studentët e vlerësojnë më së miri nëse një kandidat e meriton t’i drejtojë për 4 vjet.

"Ju bëjë thirrje të gjithë Këshillit drejtues të votojnë në bazë të gjykimit profesional të tyre që e krijojnë gjatë intervistimit të kandidatëve", ka thënë ai.

Sipas tij për shkak të hapësirës së ngushtë në sallë nuk kanë mundur të lejojnë që gjatë kësaj mbledhje të jenë prezente mediat përveç në fillim për pamje.

Këtë proces janë duke e monitoruar Ambasada e Amerikës, USAID, Zyra e BE-së, Agjencia për zhvillim e Austrisë (ADA) dhe nga shoqëria civile organizata ORCA.

08:20

Sot pritet të zgjedhet rektori i UP-së

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, do të mblidhet sot.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues të UP-së, pritet të bëhet intervistimi i kandidatëve dhe zgjedhja e rektorit.

Siç bëhet e ditur, mbledhja do të nis në ora 10:00.

Në garë janë Naser Sahiti, Blerim Rexha dhe Faton Berisha. Kandidat për këtë pozitë ka qenë edhe Zenun Halili por javën e kaluar Agjencia Kundërkorrupsion konstatoi se zgjedhja e tij do të përbënte konflikt interesi.

Sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, zyrtarët e lartë, në të cilën kategori ndodhen edhe anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, në dy vjetët e ardhshëm nuk kanë të drejtë të punësohen ose të emërohen në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, në institucionin ku kanë ushtruar funksionin publik.