23:57

Zeka: Qeveria të mos e shohë si masë mbështetëse vendimin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, e ka vlerësuar veprim të mirë të Qeverisë së Kosovës moskompenzimin e mjeteve të tërhequra në Trust, por ka shtuar se Qeveria nuk duhet ta shoh këtë si masë mbështetëse për qytetarët.

50 për qind e 630 mijë qytetarëve kanë kursime të pakta në Trust. Sipas të dhënave, 160 mijë qytetarë kanë vetëm nga 80 euro të kursyera që i bie se mund të tërheqin vetëm nga 8 euro.

“Do të ketë qytetarë që nuk do të përfitojnë fare nga kjo masë. Qeveria nuk duhet ta shoh si masë mbështetëse, më tepër është kontribut i qytetarëve për ekonominë e vendit sesa masë përkrahje direkte nga ana e shtetit”, tha Zeka në Interaktiv.

Zeka shtoi se plani fillestar i qeverisë për kompenzimin e shumave “ishte gabim”, sepse sipas tij, do të bëhej një padrejtësi te qytetarët sepse jo të gjithë marrin mjete të njëjta.

“Vendimi i mirë është moskompenzimi i mjeteve të Trustit”, tha Zeka.

Qeveria e Kosovës më 22 korrik ka aprovuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19. Me anë të këtij projektligji ndryshohen dhe plotësohen disa ligje, në mesin e tyre Ligji për fondet pensionale të Kosovës dhe Ligji për tatimin në të ardhura.

Për mjetet e tërhequra nga Trusti, Qeveria ka bërë të ditur se nuk do të ketë tatim. Propozimi për tërheqjen e këtyre mjeteve është bërë me qëllim të ngritjes së kërkesës agregate.

23:54

Zeka: Politika po ndikon që në Kosovë të mos ketë konsensus ekonomik

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se në Kosovë po mungon konsensusi ekonomik dhe dëshmi për këtë ai thotë se është mosvotimi i sotëm i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Ajo që është për keqardhje është se nuk po pranohet ideja e një konsensusi ekonomik dhe shembulli i mosvotimit i Projektligjit për Rimëkëmbje është dëshmia e kësaj. Sërish deputetët mund të vazhdojnë të përplasen me mospajtimet me shtete fqinje dhe çështje të tjera politike, por sa i përket aspekteve ekonomike duhet konsensus më i madh sepse kjo do të garantonte qasje më strategjike që do të ndiqej përgjatë viteve tjera. Kemi pasë ndërrim të qeverive gjatë viteve dhe ndërrim edhe të prioriteteve ekonomike, por asnjëherë shtyerje deri në fund të prioriteteve që qeveria ia ka vënë vetes”, tha ai në Interaktiv të KTV-së.

Zeka ka thënë se nuk po shihet se është krijuar terren për investime nga diaspora. Ai shton se ideja që kanë pasur odat ekonomike për të ndryshuar modelin e zhvillimit ekonomik të vendit, si zhvendosja e varësisë së remitencave dhe krijimi i bazës për tërheqjen e investimeve të diasporës, nuk është marrë në konsideratë.

“Meqë kemi dështuar ta bëjmë këtë dy herë, një herë pas çlirimit në 99-ën dhe pas shpallës së pavarësisë, kemi konsideruar se ky është momenti më i mirë që të nisemi nga fillimi. Nuk po e shohim që kjo është paraparë diku me disa prej masave tjera përcjellëse me atë që ka qenë kërkesë e jona. Ligji do jetë konturë e përgjithshme se çfarë masa do parashihen dhe do jetë udhëzimi administrativ që rregullon kriteret e përfituesve”, përfundon ai.

23:41

Zeka: Deputetët ta shohin me shqetësim mosvotimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se është veprim negativ që sot në Kuvendin e Kosovës nuk u votua Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Bizneset po ballafaqohen me shumë vështirësi. Nivelet e qarkullimit janë dukshëm më të ulëta se para shpërthimit të pandemisë. Duhet të shihet me shqetësim kjo, por befasia tjetër është që deputetët nuk po e shohin me shqetësim”, tha Zeka.

Ai tha se Pakoja për Rimëkëmbjen Ekonomike duhet votuar për shkak se shumë biznese janë duke humbur shumë.

“Në anën tjetër, diaspora shihet se nuk do të mund të japë kontributin e vet të plotë”, tha ai në Interaktiv.

Zeka shtoi se kanë kërkuar lehtësim të qasjes në financa, që është problemi më i madh te bizneset, por nuk është realizuar.

“Bizneset më së shumti janë ballafaquar me likuiditetin”, tha ai.