Arbëri

Zemaj konsideron se janë bërë hapa progresivë në luftimin ndaj pandemisë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, insiston se janë bërë hapa para për luftimin e pandemisë së koronavirusit në Kosovë, pavarësisht shtimit të rasteve.

Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, Zemaj është shprehur se megjithatë duhet të ketë më shumë respektim të masave.

“Kemi bërë hapa progresivë. Këtë javë kemi hartuar edhe protokollin e ri klinik i cili është i rendësishëm në menaxhimin e COVID-19 dhe besojmë që ky udhërrëfyes klinik që synon t’i trajtojë personat e dyshimtë. Pjesa tjerë, angazhimi jonë për ngritje të kapaciteteve qofshin në aspektin human dhe infrastrukturor, sot kemi një nivel ndryshe të trajnimit të pacientëve dhe të gjithë personalëve në gjithë Kosovës. Me lirimin e masave është parë e domosdoshme rritja e kapaciteteve spitalore. Kemi autorizuar edhe spitalet rajonale të ofrojnë këtë shërbim dhe në numër të konsiderueshëm. Shqetësues është vdekshmëria në të gjitha nivelet”, ka thënë Zemaj, raporton KP.

Ministri është zotuar se do të ketë shtim të testimeve në nivel vendi.

“Resurset humane janë të domosdoshme kemi kapacitete të limituara kemi filluar me fazën e angazhimit të 200 profesionistëve e kemi fazën e specializimin dhe 350 profesionistëve shëndetësorë që do japin kontributin dhe me javën tjetër do zgjerohemi për testime që të bëjmë teste në gjashtë qendrat rajonale të IKSHPK-së. Jemi në fazën përfundimtare, do sigurojmë shtatë aparatura për testim, një në IKSHPK dhe gjashtë në qendrat rajonale të IKSHPK-së. E kemi të siguruar një donacion nga OBSH-ja. Pritet ardhja e aparaturave, dy do të vendosen në QKUK dhe një ku jetojnë komunitetet pakicë. Janë licencuar 40 laboratorë privatë për teste serologjike dhe dy për PCR dhe kemi autorizuar inspektoratet për kontrollim”, ka deklaruar tutje ai.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar rreth 11 mijë raste pozitive me COVID-19. 373 persona kanë vdekur e më shumë se 6600 janë shëruar.