14:01

Në mungesë kuorumi, Kuvendi shkon në pauzë

Për shkak të mungesës së numrit të mjaftueshëm për votim në Kuvendin e Kosovës, deputetët kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:00 për të vazhduar më pas me pikat e mbetura të rendit të ditës.

Pas pauzës Kuvendi pritet të shqyrtojë në lexim të dytë projektligjin për parandalim dhe luftimin e pandemisë Covid-19, formimin e komisionit hetimor për hidrocentralet dhe shqyrtimin në lexim të parë për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

12:11

Deputetët kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e vendit pas hyrjes së xhandarmërisë serbe në Kareçevë të Kamenicës ditë më parë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti duke thënë se s’ka ndërmarrë asgjë pas këtij incidenti, të cilin e ka cilësuar si më të rëndin prej 2012-s.

“Kushtetuta në të cilën thirrej me plotë gojë Avdullah Hoti me 7 gusht bë copë-copë dhe u shkel rëndë në mes të ditës. Hyrja e personave të uniformuar është një nga incidentet më të rënda që nga viti 2012, ky është një provokim i hapur, cenim integritetit, cenim i sovranitetit shtetëror dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare... ky incident më shumë se incident i sigurisë është diplomatik dhe duhet të shihet në këtë rrafsh në raport me dialogun. Por kjo qeveri nuk bëri asnjë hap as në rrafshin e sigurisë, e aq më pak diplomatik” ka thënë ai.

E ashpër në reagimin e saj ishte edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha këto provokime të Serbisë paraqesin rrezik për Kosovën.

“PDK-ja është thellësisht e shqetësuar nga shkelja flagrante e sovranitetit territorial të Kosovës nga xhandarmeria serbe e cila jo rrallëherë po synon të shkaktojë konflikt që askush nuk do të dëshironte. Hyrja e xhandarmerisë serbe në atë zonë dhe kontrollet që i bëjnë janë kërcënim direkt për qytetarët e Karaçevës veçanti dhe Kosovës në përgjithësi. PDK-ja më shqetësues e sheh faktin se qeveria dhe institucionet nuk e kanë prishur komoditetin e tij, e kanë neglizhuar dhe kaluar në heshtje këtë provokim”, është shprehur Musliu.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha kërkoi që ky incident mos të relativizohet nga askush, derisa kritikoi ministrat që mbulojnë sektorin e sigurisë për mos raportim para kuvendit.

“Incidenti ndërkufitar me Serbinë nuk bën të relativizohet nga askush. Qofshin nga ata që janë në qeveri apo opozitë. Pavarësisht se kush është në detyrë...nëse i kanë marrë detyrat këta persona atëherë të përballen me përgjegjësi. Ndonjëherë duhet dhënë përgjegjësi besa shpesh sidomos njerëzit që i kemi zgjedhur për këto detyra”, u shpreh ai.

Por, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi këtë e konsideron si teknike që veprohet tash e 20 vjet.

“Kjo hyrje është bërë në bashkëpunim dhe patrullim me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Kjo përsëritet qe 20 vite sepse edhe forcat e NATO-s kalojnë në anën tjetër, pra është çështje teknike... e dimë që është problem një pjesë e kufirit të Kosovës, ky është problem por ejani ta zgjidhim. Jo të ndërtojmë kauza dhe akuza të paqena me qëllim që të fitojmë opinionin publik përkohësisht por besoni që nuk e fitoni”, ka thënë Gashi.

11:55

Nis seanca e Kuvendit, pritet shqyrtimi i projektligjit për luftimin e pandemisë

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë. Po ashtu pritet të bëhet edhe shqyrtim i parë i projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Po ashtu në këtë seancë deputetët pritet të formojnë Komisionin Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Ky është rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës,

4. Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19,

08:25

Kuvendi shqyrton projektligjin kundër pandemisë Covid-19 dhe për rimëkëmbjen ekonomike

Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për të shqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19.

Po ashtu në këtë seancë që pritet të fillojë në ora 11:00, deputetët pritet të formojnë Komisionin Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Ky është rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës,

4. Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19,