23:38

Ish-kryetari i Kamenicës kërkon që Policia e Kosovës të patrullojë vazhdimisht në Karaçevë

Ish-kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli, i ka quajtur simbolike lëvizjet e Policisë së Kosovës në Karaçevë, pak ditë pasi aty u panë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe. Ai ka kërkuar që të ketë më shumë policë të Kosovës e patrullimet të jenë të shpeshta.

Surdulli shton se Policia e Kosovës kanë dalë vetëm dy herë pas atij rasti. Sipas tij, “kanë bërë një patrullim në mënyrë simbolike për t’u parë prezenca e tyre nga qytetarët e Karaçevës”.

“Përndryshe, ne sot patëm protestë, aty nuk u pa uniforma e Policisë së Kosovës, ndërsa protesta u zhvillua në territor të Kosovës”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Surdulli po kërkon që Policia e Kosovës të jetë vazhdimisht e pranishme në vijën kufitare me Serbinë.

“Është e natyrshme që të kthehet PK-ja dhe të ketë qasje të papengueshme në Karaçevë. Momentalisht, siguria e qytetarëve të Karaçevës është e përqëndruar në dy policë që punojnë në një zyre”, ka vazhduar Surdulli.

23:30

Surdulli: Kuvendi të nxjerrë rezolutë për sigurinë në Karaçevë

Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka kërkuar përfshirjen e Kuvendit të Kosovës për sigurimin e mbrojtjes së banorëve të Karaçevës, pak ditë pasi aty u panë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe. Sipas tij, Kuvendi duhet të nxjerrë një rezolutë për sigurinë në Karaçevë.

Surdulli ka thënë se zyra e Policisë në këtë fshat ka vetëm dy pjesëtarë policie. Sipas tij, kjo s’është e mjaftueshme.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka kërkuar edhe patrullim të përbashkët të Policisë së Kosovës me KFOR-in përgjatë zonës kufitare.

“Për gjendjen e sigurisë në Karaçevë të merret edhe Kuvendi i Kosovës dhe të nxirret një rezolutë që para së gjithash qasja e Policisë së Kosovës të jetë në nivelin e duhur. Në Karaçevë është vetëm një zyre e policisë, dy pjesëtarë janë banorë të Karaçevës dhe vetëm në ata dy pjesëtarë është e mbështetur siguria e qytetarëve të Karaçevës. Për këtë arsye kemi kërkuar që Policia e Kosovës dhe FSK-ja të bëjnë patrullime të përbashkëta me KFOR-in amerikan dhe të tjerë përgjatë zonës kufitare, me këtë rast qytetarët ta ndjejnë veten më të sigurt”, tha Surdulli.

Ditë më parë, në Karaçevë të Kamenicës janë parë xhandarmëri serbe brenda territorit të Kosovës. Sipas KFOR-it, këto lëvizje kanë qenë të sinkronizuara dhe janë rutinë.