Arbëri

Mustafa: PDK-ja ta tërheqë projektligjin për vlerat e UÇK-së

Pavarësisht se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte paralajmëruar se do ta mbështesë në lexim të parë projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, kryetari i kësaj partie Isa Mustafa ka thënë se e sheh të nevojshme tërheqjen e këtij projektligji nga Partia Demokratike e Kosovës, që ishte iniciuese.

Vetëm një ditë para shqyrtimit në lexim të parë në Kuvend, Mustafa në një intervistë për televizionin publik ka thënë se ka vërejtje dhe paqartësi sa i përket këtij projektligji.

“Ai ligj është më mirë të tërhiqet prej procedurës. Do të bënte mirë PDK-ja që ta tërhiqte. Ka mjaft shumë vërejtje e shumë pasaktësi”, është shprehur ndër tjerash ai. “Ka shumë vend që u jep të drejtë ambasadorëve... Mendoj se ligji duhet të tërhiqet, duhet të bisedohet edhe me ndërkombëtarët për të parë vërejtjet esenciale të tyre, ndërkaq a ka nevojë që ne tash të sjellim ligj të veçantë për UÇK-në apo jo është tjetër. Roli i UÇK-së ka qenë shumë i madh dhe rol që s’mund ta mohojë askush në çlirimin e vendit, qysh s’mund ta mohojë askush rolin e NATO-s e as të Ibrahim Rugovës e as të LDK-së e lëvizjes paqësore. Pa intervenimin e NATO-s këtë punë s’mund ta mbyllnim, me intervenim ka pas edhe viktima. Pa punën e Rugovës dhe të subjekteve të asaj kohe, kjo punë s’do të bëhej. Ndërsa ne tash të sjellim një ligj për UCK-në dikush mund të kërkojë nesër për Rugovën dhe po të bëjë dikush të flasë keq për Rugovën duhet të shkojë në burg... kështu që për mua edhe motivi nuk është shumë i qartë”, ka vazhduar ai duke thënë se s’duhet të ketë ligje në mënyrë separate.

Projektligji për vlerat e UÇK-së ishte kritikuar vazhdimisht nga bashkësia ndërkombëtare, në veçanti nga ambasadori amerikan, Philip Kossnet.

Të martën, nga LDK-ja kishin thënë se janë në një vijë me kritikat e bashksësisë ndërkombëtare, por përkundër kritikave kishin thënë se kjo parti do ta mbështesë projektligjin nëse bëhen ndryshimet e kërkuara.

Projektligji për vlerat e UÇK-së, në seancën e fundit parlamentare, kishte shkaktuar debat të zhurmshëm midis partive, por që në fund nuk u arrit që të hidhej për votim për shkak të mungesës së kuorumit. Së fundmi, pas reagimit të Ambasadës amerikane, asaj gjermane dhe asaj të Zvicrës ka reaguar edhe BE-ja, duke e cilësuar këtë nismë si nismë që minon lirinë e shprehjes.

KOHA ka provuar të mërkurën që të marrë një qëndrim të Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me deklaratën e kreut të LDK-së. Shumë deputetë të PDK-së nuk kanë hapur telefonin, ndërsa disa të tjerë nuk kanë pranuar të flasin për çështjen. Njëjtë kanë vepruar edhe disa deputetë të LDK-së.