Arbëri

KFOR-i rikonfirmon përkushtimin për sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë

KFOR-i ka rikonfirmuar përkushtimin për sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë. Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, Komanda Rajonale Lindje, koloneli Eric Riley u takua sot me kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Takimi ishte pjesë e kontakteve të rregullta të mbajtura midis personelit të KFOR-it dhe autoriteteve lokale në Kosovë.

Riley ripohoi angazhimin e KFOR-it për të vazhduar forcimin e përpjekjeve të veta të qëndrueshme dhe të paanshme për të ndihmuar në sigurimin që situata lokale të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve që jetojnë në komunë. Trupat e KFOR-it do të vazhdojnë patrullimin e tyre të rregullt në të gjithë zonën, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe organizata të tjera të sigurisë.

Në Karaçevë të Kamenicës ishte parë xhandarmëria serbe. KFOR-i kishte thënë se ishte patrullim i përbashkët.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi, ripohoi angazhimin e misionit të udhëhequr nga NATO, për të vazhduar të kontribuojë në një mënyrë të paanshme në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizje për të gjithë qytetarët në Kosovë, siç thuhet në komunikatë “e përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

"Që nga viti 1999, në kryerjen e misionit të vet, KFOR-i ka mbështetur zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore, dhe do të vazhdojë të forcojë partneritetin e gjatë që ekziston me institucionet vendore dhe organizatat e sigurisë dhe Komunitetin Ndërkombëtar”, deklaroi gjeneral majori Risi.

Sipas njoftimit KFOR-i theksoi gjithashtu se ka mbështetur reagimin vendor ndaj krizës së koronavirusit. Ka thënë se bashkëpunimi mes KFOR-it dhe Policisë së Kosovë, e po ashtu institucioneve tjera të sigurisë është shumë efikas dhe po rritet çdo ditë përmes mekanizmave të konsoliduar të koordinimit të përbashkët në nivele të ndryshme operative.

“Qëllimi është forcimi i mëtutjeshëm i mbrojtjes, sigurisë dhe lirisë së lëvizjes së të gjitha komuniteteve në Kosovë që KFOR-i dëshiron të sigurojë, në të mirë të sigurisë vendore dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Risi.