1 perditesime
Arbëri

Bardiqi: Mbi 70 donacione me pajisje medicinale kanë ardhur prej Serbisë nga 2016 deri më 2019

Bardiqi: Mbi 70 donacione me pajisje medicinale kanë ardhur prej Serbisë nga 2016 deri më 2019
Foto: Alban Bujari \ KOHA
15:43

Bardiqi: Mbi 70 donacione me pajisje medicinale kanë ardhur prej Serbisë nga 2016 deri më 2019

Ish-Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Naim Bardiqi ka thënë se mbi 70 donacione me pajisje e produkte medicinale kanë ardhur nga Serbia gjatë viteve 2016-2019.

Këtë ai e tha gjatë raportimit tek Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e Covid-19, raporton KOHA.

Sipas tij donacione janë pranuar një ose dy herë brenda muajit.

"Rreth pranimit të testeve nga Serbia, korrespodenca ka qenë me kryetarin e federatave të bashkuara të shëndetësisë z. Blerim Syla dhe jo znj.Vjosa Osmani. Rreth furnizimit nga Serbia me pajisje medicinale, në vazhdimësi ka pasur donacione. Në vazhdimësi MSH ka pranuar donacione nga Serbia, një ose dy herë brenda muajit. Në cilësi të Sekretarit të Përgjithshëm, ky është institucion që e përcjell pasi që është trajtuar një donacion nga Komisioni. Kemi pasur këtu më shumë të bëjmë me pajisje dhe produkte medicinale. Kemi të bëjmë me mbi 70 donacione", ka thënë ai.

Ish-sekretari në MSh, Naim Bardiqi ka thënë se nuk e beson që ka pasur leje importi për 1000 testet nga Serbia për Covid-19.

I pyetur se a është kjo kontrabandë, ka thënë se “nuk e di”.

13:28

Testet e marra nga Serbia nuk janë përdorur

Kryetari i Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, ka raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e COVID-19.

Ramadani ka thënë se 1.000 testet e pranuara si ndihmë nga Serbia muaj më parë, janë ende të papërdorura.

Ramadani ka thënë se ky Institut ka bërë kërkesën për furnizim me reagensë për testime për COVID-19, qysh pas fillimit të rasteve të para në botë në janar, raporton KOHA.

"Komiteti për Sëmundjet Ngjitëse është formuar në javën e tretë të janarit. Është komunitet i përgjithshëm që ka të bëjë me sëmundje ngjitëse e ku hyn edhe pandemia COVID-19. Së pari është bërë plani për gatishmëri dhe reagim për COVID-19 dhe i është dërguar ministrit. Ka qenë që të themelohet komiteti drejtues ku hyjnë ministri, sekretari i përhershëm dhe të aktivizohet plani i reagimit kombëtar. Më 7 janar kemi bërë kërkesën për furnizim me reagensë, menjëherë pas konfirmimit me rastet e para me COVID-19. Ekipi mjekësor ka ekzistuar në aeroport, por më pas ne kemi dërguar edhe ekipe plotësuese", ka thënë ai.


Ramadani: Asnjë qytetar që ka pasur indikacione epidemiologjike nuk ka mbetur pa u testuar

Kryetari i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Naser Ramadani, ka thënë se asnjë qytetar që ka pasur indikacione epidemiologjike të COVID-19 nuk ka mbetur pa u testuar, pavarësisht resurseve humane të kufizuara.

Sipas tij, qytetarët kanë shkaktuar huti duke thënë që nuk po bëhen testime.

"Ekzistojnë udhëzues të organizatave (OBSH e ECDC) që flasin për testime. Testimet që kanë filluar me maksimën test, test, test kanë shkaktuar huti dhe popullata ka thënë që nuk po testoni. Neve na kanë shkaktuar luhatje në besimin qytetar për shkak të disave që kanë dashur me keqinterpretu", ka thënë ai, raporton KOHA.

Gjatë kohës së pandemisë shumë qytetarë janë ankuar se nuk po u bëhen testet. Në fakt, edhe mjekët e qendrave të mjekësisë familjare nëpër vend janë udhëzuar që diagnostikojnë pacientët me COVID-19 pa i testuar dhe se ata pozitivë t’i këshillojnë për vetizolim.