Arbëri

Në ndërmarrjet publike situata me COVID-19 po shkon drejt përmirësimit

Qëkur filloi të përhapej në Kosovë në muajin mars, mbi 10 mijë persona janë prekur nga COVID-19, e 327 raste kanë përfunduar me vdekje

Këtij virusi nuk i kanë shpëtuar as punonjësit e institucioneve publike e private, që kanë direkt kontakt me qytetarë.

KEDS-i, Telekomi i Kosovës e Posta e Kosovës janë vetëm disa prej kompanive të cilat kanë pasur raste të konfirmuara me Covid-19 tek punëtorët e tyre.

E në këtë të fundit situata më e rëndë ishte në qershor, kur iu infektuan 25 punëtorë.

Por Xhevdet Smakiqi, koordinator për zbatimin e masave mbrojtëse kundër përhapjes së Covid-19 në Postën e Kosovën, thotë se tani gjendja është shumë më e mirë. Sipas tij, momentalisht nuk ka pothuajse asnjë të infektuar, kurse në total janë dy raste të vdekjeve, por që të njëjtit infeksionin nuk e kanë marrë brenda Postës.

“Ndërsa aktualisht Posta e Kosovës pothuajse nuk e ka asnjë të infektuar. Fatkeqësisht dje e kemi pas një koleg që ka ndërru jetë. Ai ka qenë në Shqipëri dhe nuk është infektu në zyrën postare, ashtu siç nuk është infektu asnjë anëtar brenda objektit të postës”, ka thënë Smakiqi.

Ai ka shtuar se një pjesë e stafit punon nga shtëpia e një tjetër nga distanca, varësisht prej nevojave.

Gjendje e mirë duket se është edhe në KEK. Nga kompania e cila bën shpërndarjen e energjisë elektrike tek konsumatori, KEDS nuk kanë dhënë numra të të infektuarve, me arsyetimin që është vikend dhe nuk mund të japin të dhëna statistikore.

Zëdhënësi Viktor Buzhala ka thënë se rastet në KEDS janë evidentuar e izoluar me kohë.

“Sot, disa muaj pas, kur analizohet komplet ecuria e punës gjatë pandemisë, KEDS ia ka dalë. Falë reagimit me kohë dhe politikave strikte, të gjitha rastet e evidentuara kanë qenë në vetizolim disa ditë më herët, nga momenti kur kanë rezultuar pozitive. Numri i rasteve është dukshëm më i vogël se mesatarja e rasteve për institucionet e natyrës së njëjtë. Fatmirësisht nuk ka asnjë rast që ka përfunduar me fatalitet”.

Sipas Buzhalës, po bëhet matja e vazhdueshme e temperaturës në secilën hyrje të KEDS-it, ndërsa punëtorët e moshuar e ata me sëmundje kronike, ose po lirohen nga punët ditore, ose po u mundësohet puna nga shtëpia.

E paprekur nga pandemia nuk ka mbetur as ndërmarrja që po kalon në krizë, Telekomi i Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje, Fadil Lepaja, ka bërë të ditur se rreth 20 punëtorë të Telekomit deri tani janë infektuar me koronavirus, ndërsa aktivë vazhdojnë të mbesin vetëm dy raste. E nga COVID-19 ka vdekur një punëtor.

“Bazuar në të dhënat e raportuara nga stafi i Telekomit të Kosovës, përkatësisht nga departamentet, njësitë dhe regjionet e TK-s-së, rezulton se nga fillimi i pandemisë janë infektuar me Covid-19 rreth 30 punonjës të Telekomit të Kosovës. Nuk përjashtohet mundësia që numri i të infektuarve të jetë më i madh, mirëpo mund të jenë raste të stafit joesencial (stafit të cilët nuk vijojnë në punë, punojnë nga distanca), të cilët nuk janë raportuar si të infektuar”.

Sipas Lepajës, dezinfektimi dhe furnizimi me material higjienik po vazhdojnë normalisht, kurse nëpër zyrë po punohet me staf esencial.

Reduktimi i punonjësve në staf esencial dhe angazhimi i tyre me punë nga shtëpia, përgjysmimi i personave në secilën zyrë në përputhje me manualin për parandalimin e pandemisë, si dhe mbyllja e zyrave apo njësive në të gjitha institucionet publike dhe biznese private, ku ka raste pozitive, kanë qenë ndër masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.