Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka premtuar mbështetje për shqiptarët në Luginën e Preshevës, aty ku sot po qëndron për vizitë njëditore.
Bashkë me drejtorin e IKSHPK-së, Zemaj takoi kryetarin e Bujanovcit, Nagip Arifi, të cili i tha se prezenca e qeverisë në Luginë duhet të jetë siguri për qytetarët.
Kryetari i komunës së Bujanovcit tha se është hera e parë që vizitohen nga një ministër i Shëndetësisë, transmeton kp.
"Ministri na premtoi që në kuadër të ndihmës, ka shprehur dëshirën të na ndihmojë edhe në mjetet për luftimin e Covid-19. Është një brengë edhe këtu, edhe në Kosovë. Tani për tani nuk kemi mjete të tjera përveç se të vetëdijesohemi”, tha ai.
Zemaj tha se ai i ka premtuar që këto shërbime t'i marrin në mënyrë të barabartë dhe të sigurtë.
"Ky kujdes është human. Unë zotohem që me të gjitha kapacitet do t'u ofrojmë aq sa mundemi. Prezenca ime këtu tregon që nuk duhet të kemi frikë. Kosova po punon në zgjerimin e testimeve në gjithë rajonet e Kosovës. Atë që mund të ofrojmë për të gjithë qytetarët si të mundohemi edhe për qytetarët e Preshevës”, tha ai.