23:56

Reshitaj: Nuk ka vullnet për zgjedhje të reja

Albena Reshitaj deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se në Kosovë s’ka vullnet për zgjedhje të reja.

Kërkesën e Vetëvendosjes për zgjedhje të reja, Reshitaj e vlerëson vetëm për interesa partiake.

“VV-ja ka kërkuar që në periudhë pandemie mos të ndërrohet qeveria dhe tash është paradoksale që VV-ja në këtë periudhë të kërkojë rrëzimin e qeverisë. Më bën të kuptoj që kjo kërkohet vetëm për interesa partiakë”, tha Reshitaj në Interaktiv.

Ka shtuar se ndryshime në Kosovë s’do të ketë derisa të ketë unifikim.

“Nuk e shoh as PDK-në të gatshme për zgjedhje parlamentare. Mund të jenë të interesuar për ndonjë ndryshim, ku do të përfitonin edhe ata si parti politike, por nuk i shoh të interesuar për zgjedhje”, shtoi Reshitaj.

23:49

Reshitaj: Kemi shtuar një nen në projektligjin për pandeminë që ndihmon mjekët

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj, pret që Projektligjit për pandeminë t’i shtohet edhe një nen përmes të cilit do të ndihmohet personeli shëndetësor.

Ajo ka sqaruar se më këtë nen do të kompensohen të gjithë profesionistët shëndetësor, veçanërisht ata të cilët po merren me të infektuarit me COVID-19.

"Përderisa ne kërkojmë që të bëhet një mobilizim i të gjithë personelit shëndetësor në këtë situatë, duhet si shtet njëherë e mirë ta kuptojmë që nëse nuk e trajtojmë dinjitetshëm mjekun, nëse nuk e respektojmë punën dhe sakrificën e tij, atëherë ne jemi të dështuar që në fillim. Prandaj, ne jemi vetëm në një fazë të menaxhimit të pandemisë. Fatkeqësisht edhe si personel shëndetësor ja kam frikën, konsideroj se vjeshta dhe dimri mund të vijnë me shumë të panjohura nëse nuk arrihet të krijohet një vaksinë, prandaj nuk e kemi komoditetin si shtet të presim apo të lejojmë të na infektohen personeli shëndetësor dhe njëherësh disa ta humbin betejën me COVID-19. Një trajtim i dinjitetshëm i tyre, një motivim shtesë është i domosdoshëm dhe ne si qeveri jemi të obliguar tu japim një ndihmë shtesë".

"Presim të futet një amandament i ri, të rregulloj kompensimin shtesë financiar për të gjithë profesionistët shëndetësor, në veçanti për ata në vijë të frontit".

Reshitaj thotë se tashmë është caktuar edhe një takim me të gjitha strukturuar e përfshira në sistemin shëndetësor, nga të cilët do të marrin rekomandimet për amandamentim të projektligjit.

"Ne menjëherë kemi fillu punën si komision dhe unë kam caktuar për të hënën një takim, në të cilin kam ftuar të gjithë deputetët mjekë për personel shëndetësor që kemi brenda Kuvendit që të jenë pjesë e takimit. Kam ftuar të gjithë përfaqësuesit e odave të mjekëve, infermierëve, farmacistëve, stomatologëve si dhe përfaqësues të ekspertëve ligjorë dhe disa OJQ-ve që përkrahin shëndetësinë dhe ligjet në shëndetësi dhe përfaqësues të IKSHPK-së, u.d të QKUK dhe një përfaqësues nga MSH. E gjithë kjo është me qëllimin e mirë që të marrim rekomandimet nga të gjithë këta akterë përgjegjës dhe të jemi sa më të saktë në amandamentime, sepse kam kërkuar sot nga Kuvendi që të shtojmë edhe një nen brenda këtij ligji për të përkrahur personelin shëndetësor dhe stafin mbështetës".

"Ne si komision kemi kërkuar që ky projektligj të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar, sepse edhe ashtu jemi vonë dhe për shkak të situatës në të cilën ndodhet Kosova dhe nevojës imediate që ky ligj të miratohet sa më shpejt".

23:44

Reshitaj: Kemi kërkuar të shtohet një amandament për blerjet emergjente

Albena Reshitaj tha se në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar të shtohet edhe një amandament për blerjet emergjente.

“Nëse kemi nevojë për blerje të respiratorëve, për oksigjenoterapi apo barna tjera”, ky amandament do të ndihmonte.

Reshitaj tha se Kosova është në gjendje të jashtëzakonshme.

“Duhet të vërehet dora e shtetit”, tha Reshitaj.

Projektligji për luftimin e pandemisë, meqenëse është i përkohshëm, Reshitaj tha se është shumë i nevojshëm.

Me 14 gusht, tha Reshitaj, është caktuar seanca kur pritet të votohet ky projektligj.

23:37

Reshitaj: Kam kërkuar që në ligj të futet edhe blerja e vaksinave

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, ka thënë se ka kërkuar që në Ligjin për luftimin e pandemisë të futet edhe blerja e vaksinave kundër COVID-19.

Reshitaj thotë se që nga fillimi i pandemisë janë bërë politika të gabuara me menaxhim, derisa shton se fokusi do të duhej të jetë në rritjen e kapaciteteve për ta përballuar dhe parandaluar virusin.

"Faktikisht këto janë politikat e gabuara që janë bërë që nga fillimi, për shkak se është dashtë të menaxhohet dhe të punohet më shumë në rritjen e kapaciteteve dhe rritjen e mundësive për testime. Fokusimi i investimit është shumë me rëndësi në këtë kohë, sepse nëse ne fokusohemi në rritjen e numrit të testimeve, aty i fokusojmë mundësitë tona dhe lëmë diçka tjetër që mund të presë, është sukses. Nëse arrijmë të marim informata profesionale që në vjeshtë ose dimër ka mundësi të kemi përkeqësim të situatës dhe çka na duhet, na duhet rritja e numrit të respiratorëve, oksigjeno-terapi, barnat, atëherë do të fokusohemi që buxhetin që e kemi ta ndajmë dhe ta ruajmë për këtë pjesë. Ose për vaksinat, kam kërkuar që edhe brenda këtij ligji të cilin po e përkrahim, që të ketë hapësirë që nëse arrin të dalë një vaksinë që ne të kemi kapacitet dhe mundësi me e marrë. Është shumë me rëndësi që ne ta kemi vaksinën për të gjithë qytetarët dhe duhet që nga tani ta planifikojmë sepse kur bëhet vonë është shumë problem", tha Reshitaj në Interaktiv.

Për mospërfshirjen e Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Reshitaj vë në faj politikën, për të cilën thotë se ka penguar anëtarësimin e Kosovës.

"E kam kuptuar me të marrë mandatin në komision, kam kërkuar informata pse si Kosovë nuk jemi pjesë e OBSH-së. Kam bashkëpunuar edhe si profesioniste shëndetësore dhe kam qenë në Uashington, në degën e OBSH-së dhe nuk e kuptoj si arrihet që probleme politike, pengesa politike, deri në këtë nivel të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në OBSH", tha ajo.

23:33

Reshitaj: Duhet të shtohet numri i testimeve

Albena Reshitaj kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale tha në Interaktiv të KTV-së se në Kosovë duhet të shtohet numri i testimeve.

“E kam kërkuar nga fillimi i pandemisë të rritet numri i testimeve sepse duhet të përgatitesh edhe t’i pranosh testet”, tha ajo.

Reshitaj ka shtuar se është lajm i mirë që janë licensuar 33 laboratore private për t’i bërë testimet për COVID-19.

“Kjo e lehtëson punën, sepse kapaciteti ka qenë i fokusuar në IKSHPK dhe kjo e ka mbingarkuar sistemin. Mundësia e testimeve sterologjike, që ka qenë një nga parimet e qeverisë, do ta lehtësojë situatën”, shtoi ai.

Ka shtuar se gjurmimet dhe vatrat, janë të rëndësishme të gjenden nga eksperët shëndetësorë.