17:30

Policia arreston një drejtor për kacafytjen në Postë

Policia e Kosovës ka njoftuar pasditen e së enjtes se ka arrestuar një drejtor të Postës pas përfshirjes në një kacafytje në mëngjes.

Rasti ndaj tij është hapur për “sulm ndaj personit zyrtar”. Të enjten, Posta e Kosovës kishte njoftuar se në mëngjes janë përfshirë në një kacafytje dy drejtorë të menaxhmentit të saj.

“Sot rreth orës 09:30 kemi pranuar informatën për një mosmarrveshje që ka ndodhur brenda objektit të Postës së Kosovës. Hetuesit policor në koordinim të ngushtë me prokurorinë përkatëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me rastin në fjalë, përfshirë këtu edhe arrestimin e personit të dyshuar. Rasti është hapur sulm ndaj personit zyrtar Me urdhër të prokurorit personi i dyshuar V. T është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

14:30

Kacafytje mes dy drejtorëve të menaxhmentit në Postën e Kosovës

Posta e Kosovës përmes një kumtese për media, njofton për një kacafytje që ka ndodhur sot mes dy drejtorëve të menaxhmentit të ndërmarrjes, emrat e të cilëve nuk i ka bërë të ditur.

“Sot paradite në objektin e administratës qendrore të Postës së Kosovës, ka ndodh një incident i vogël i fjalosjes dhe kacafytjes në mes të dy drejtorëve të menaxhmentit të ndërmarrjes. Për këtë rast janë duke u marrë organet e rendit, ndërsa dy drejtorët janë duke u intervistuar në Policinë e Kosovës në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Postës.

Tutje, theksohet se Menaxhmenti i ndërmarrjes, do të ndërmerr masat disiplinore gjatë ditëve në vijim, sipas rregulloreve të brendshme të ndërmarrjes dhe ligjeve në fuqi.

Zëdhënësja e Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti tha për KOHËN se rasti është duke u hetuar dhe të njëjtit, përfshirë dëshmitarët, janë duke u intervistuar.

“Sot rreth orës 09:30 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje që ka ndodhur brenda objektit të Postës së Kosovës. Aktualisht rasti ndodhet në fazën fillestare të intervistimi, nga njësitet kompetente po intervistohen palët e përfshira si dhe dëshmitarët. Hetuesit policor në koordinim të ngushtë me prokurorinë përkatëse do të ndërmarrin veprimet e mëtejme lidhur me rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e policisë për KOHËN.