Arbëri

VV-ja synon rrëzimin e Qeverisë Hoti përmes mocionit, nis mbledhjen e nënshkrimeve

Foto: Koha / ilustrim

Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje po planifikon ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë “Hoti”, raporton KOHA.

Një gjë e tillë u bë e ditur në konferencën e sotme të kësaj partie nga deputeti, Rexhep Selimi, i cili tha se VV-ja tashmë ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve. "Nga sot Vetëvendosje nis mbldhjen e nënshkrimeve për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë", tha Selimi

I pyetur se a kanë mbështetjen e partive të tjera për këtë mocion, Selimi tha se pretendojnë t'i marrin votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë "Hoti", pa specifikuar nëse kanë pajtimin e PDK-së, apo jo.

Kurse deputetja Arbërie Nagavci e quajti qeverinë aktuale " qeveri jokushtetuese dhe joligjore".

"Kjo qeveri është jokushtetuese dhe jo ligjore, ajo e ka dëshmuar tash se është e paaftë për të qeverisur vendin. Kosovës i duhet një Qeveri që deshmoi se mund të qeverset me duar të pastërta", tha Nagavci. "Në mungesë të planifikimit për t’u përballur me pandeminë, kjo qeveri e ka kolapsuar sistetim shëndetësor edhe ashtu të prishtë të vendit tonë. Kemi me dhjetëra raste të vdekjeve në ditë. Nuk ka asnjë plan. Po ashtu nuk ka ndonjë plan për rimëkëmbje ekonomike. Punëtorët, bizneset e pjesa më e madhe e qytetarëve po vazhdojnë të vuajnë pasojat e pandemisë. Kjo qeveri po e çon vendin drejt një katastrofe humanitare. Ndaloi vettingun, që nënkupton se nuk duan gjyqësor të pavarur, sepse nuk duan ndryshime, por duan të vazhdojë avazi i vjetër. Po ashtu njëjtë veproi me ndërmarrjet. U shkarkuan bordet e pavarurar të emëruara nga Qeveria Kurti pa asnjë arsye, për të sjellë njerëz të partive në to. Kjo Qeveri nuk ka as si të na përfaqësojë në skenën ndërkombëtare. Ndër vendimet e para që mori ishte heqja e reciprocitetit. Po ashtu hoqi dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Edhe pse pa platformë kjo Qeveri po mundohet të tregojë se po negocion me Serbinë. Por, si përfaqësues nxjerr një njeri që nuk ka legjitimitet. Kosova ka pasur gjithmonë nevojë për një Qeveri të mirë, por tash më tepër se kurrë më parë. Një Qeveri që ka dëshmuar se di të udhëheq me duar të pastra, di të menaxhojë me pandemi dhe se interesin publik e ka në rend të parë”.

Kritika Vetëvendosje pati edhe për menaxhimin që kjo Qeveri po bënë me pandeminë Covid -19. Sipas deputetëve të VV-së vendi po shkon drejt një katastrofe humanitare.

Kujtojmë se në mars të këtij viti ish- Qeveria “Kurti” ishte rrëzuar me ngritjen e mocionit të mosbesimit pikërisht nga LDK-ja, partneri i atëhershëm i saj, pas një seri përplasjesh me njëra tjetrën.