Arbëri

Uka: Ligji për pandeminë do të ndihmonte Qeverinë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Fitim Uka, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se një ligj për luftimin e koronavirusit do të ndihmonte ndjeshëm Qeverinë në menaxhimin e situatës.

Pasi që të premten pritet të bëhet shqyrtimi i parë i këtij projektligji, Uka ka thënë se Qeveria Hoti “më në fund ka hequr dorë nga inatet personale”. Sipas tij, ndihma më e madhe me ligjin e ri do të ishte çështja e gjobave ndaj atyre që shkelin rregullat.

“Një projektligj i tillë do t’i lehtësonte punën qeverisë aktuale dhe do të mundësonte po ashtu që të luftohet më mirë pandemia, sepse ajo që do të krijohet në projektligjin aktual është edhe pjesa e gjobave të cilat nuk kanë qenë të definuara mirë. Ka qenë një zbrazëtirë e tillë ligjore dhe që nuk ka funksionuar siç duhet deri më tash. Po besoj që edhe si Komision Parlamentar për Shëndetësi e kemi treguar vullnetin tonë që të shtyjmë përpara një projektligj të tillë e tashmë më në fund edhe Qeveria e ka parë që nuk ka rrugëdalje tjetër dhe duhet t’i lërë anash inatet politike, personale e t’i japë mundësinë të kalojë një projektligj i tillë në Kuvend”, ka deklaruar Uka.

Sipas tij, Qeveria Hoti ka pranuar një projektligj të tillë “për shkak të presionit të vazhdueshëm”.