Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Agjencia Për Menaxhimin e Emergjencave së bashku me FSK-në do të jenë në gatishmëri për të intervenuar sipas nevojave që paraqiten nga komunat.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se priten vërshime nga të reshurat e shumta të shiut.
“Sipas Institutit Hidrometeorologjik, mund të priten vërshime nga të reshurat e shumta. Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave së bashku me FSK-në do të jenë në gatishmëri për të intervenuar sipas nevojave që paraqiten nga komunat. Sapo i njoftuam Kryetarët e Komunave se dy ministrat, Veliu dhe Quni, janë angazhuar tanimë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Reshjet e shiut që kanë filluar mbrëmë kanë vërshuar shumë rrugë në kryeqytetin e Kosovës. Kjo si pasojë e bllokimit të rrjetit të kanalizimit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka sqaruar se sistemet e kanalizimeve janë të përbashkëta (atmosferike e fekale) dhe kjo e rëndon dukshëm gjendjen e funksionimit sidomos në rastet kur ka reshje të vrullshme apo të shumta të shiut, si rasti i sotëm.
Kjo kompani ka thënë se linjat e kanalizimit në Prishtinë janë të vjetra dhe se KRU Prishtina nuk ka buxhet për investime e as kompetencë.
“Linjat e Kanalizimit (ujërat fekale) në qytetin e Prishtinës janë në shumicë linja të vjetra, të cilat janë dimensionuar dhe vendosur shumë kohë me përpara. Sistemet e kanalizimeve janë të përbashkëta ( Atmosferike dhe Fekale ) dhe kjo e rëndon dukshëm gjendjen e funksionimit sidomos në rastet kur ka reshje të vrullshme apo të shumta shiu, siç po ndodhë ditën e sotme. Përderisa, qyteti i Prishtinës pothuajse në çdo lagje ka pësuar ndryshime në ndërtime te larta – objekte banesore – rritje e tejskajshme e numrit të banorëve, është dashtë që autoritetet tjera të intervenojnë edhe në infrastrukturën ekzistuese prandaj, kjo me automatizëm ndikon në ngarkesë më të madhe shkarkuese të sistemit të kanalizimit dhe përmbytje në shumë lokacione brenda qytetit . Ujësjellësi i Prishtinës ka një buxhet të paraparë për investime ( riparim, puseta, zhbllokime, pastrime ) në këtë sektor, gjithsesi ka edhe ekipet profesionale që merren me mirëmbajtjen e sistemeve të kanalizimeve të ujërave të ndotura fekale por assesi nuk mirëmbanë as nuk ndërton rrjeta të kanalizimeve atmosferike pasi që kjo përgjegjësi e autoriteteve të tjera. Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit të KRU,,Prishtina,, sh.a. janë të gatshëm çdoherë që tu dalin në ndihmë qytetarëve në rastet kur kemi të bëjmë me zhbllokime e pastrime të pusetave të ujërave fekale, por duhet të kihet parasysh që vërshimet pas reshjeve nuk ndodhin për shkak të punës dhe përgjegjësisë tonë!” – thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.