Arbëri

Kuvendi ende nuk ka proceduar për dekretim Ligjin për buxhetin

Ligji për buxhetin i rishikuar, i miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, ende nuk është proceduar në Zyrën e Presidentit për dekretim.

Zyrtarë të Kuvendit të Kosovës kanë thënë për KosovaPress se ligji është në fazën e inkorporimit dhe harmonizimit të amendamenteve dhe se pas përfundimit të këtij procesi, ai do të procedohet në Zyrën e Presidentit.

“Ligji është në fazën e inkorporimit dhe harmonizimit të amendamenteve, të miratuara në seancë. Pas përfundimit të këtij procesi, ligji do të procedohet në Zyrën e Presidentit”, thuhet në përgjigjen nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit më 30 korrik, ishte miratuar me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.