Arbëri

Me ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale përfitojnë edhe të dëbuarit nga puna

Rreth 2 mijë punëtorë të KEK-ut ishin larguar nga vendet e tyre të punës gjatë viteve të ‘90-a. Por për pak muaj, atyre nuk po u njihet stazhi i punës pasi që me ligj është e përcaktuar përvoja e punës prej 15 vjetësh për pensionet kontributdhënëse.

Ndonëse nga viti 2000 kanë vazhduar punën në këtë korporatë, thonë se është absurde mosnjohja e përvojës së punës.

Izet Seferi për 3 muaj nuk i është njohur pensioni kontributdhënës.

Për këtë ata i kanë dërguar një letër të gjitha partive politike, që ta ndryshojnë ligjin në Kuvend.

Megjithatë, në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka propozuar debatin parlamentar lidhur me të drejtat e pensionistëve kontributdhënës.

Ajo kërkoi që t’u jepen pensionet kontributdhënëse personave me së paku dhjetë vjet përvojë pune.

Përderisa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se ministria që ai drejton, nuk mund të ndërmarrë veprime të ndryshimit të ligjit, që parasheh rregullimin e pensioneve kontributdhënëse.

Sipas tij, për këtë MPMS-ja ka hartuar koncept-dokumentin për menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve.

Nga ky dikaster, gjithashtu, kanë njoftuar se kanë draftuar plotësim-ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe ky projektligj është futur në agjendën legjislative të Qeverisë.