9 perditesime
21:24

​Miratohet rishikimi i buxhetit edhe në leximin e dytë

Me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme në lexim të dytë ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Buxheti i rishikuar është prej 2.6 miliardë euro, përderisa të hyrat në buxhet planifikohen të jenë të hyra buxhetore 1 miliardë e 788 milionë euro. Ndërsa, ka një diskrepancë prej rreth 800 milionë euro, që sipas ministres së Financave, Hykmete Bajrami do të mbulohet nga emetimi i letrave me vlerë, huazim i brendshme, të jashtme dhe një pjesë të shfrytëzojmë nga Agjencinë i Privatizimit të Kosovës.

Ajo tha se pasi ligji të kalojë në Kuvend, ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi, ku presidenti i Kosovës ka tetë ditë afat për ratifikim, pas së cilës mund të fillojë ekzekutimi i masave nga pakoja emergjente fiskale për paga, qira dhe çështje sociale.

20:41

​Deputetët votojnë pro pagesës së rrezikshmërisë për zjarrfikësit

Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku po votohen një nga një amendamentet për projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, pothuajse është nga fundi.

Deputetët kanë miratuar amendamentin e propozuar nga deputetët e VV-së për pagesën prej 100 eurove për rrezikshmërinë e zjarrfikësve.

Gjithashtu, është miratuar edhe një amendament për ndërtimin e disa shtëpive në veri.

18:46

Deputetët votojnë kundër ngritjes së pagave për mjekët e policët

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kundër amendamenteve që planifikonin ngritjen e pagës për profesionistët shëndetësorë, policët dhe inspektorët.

Fillimisht deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se amendamenti 64 është në vazhdën e luftës antikovid, konkretisht ngritjen e pagës për policët, andaj kërkoi nga deputetët që të votojnë pro.

“Edhe pse nuk e dhatë për mjekët, po jepeni për policinë se ndoshta iu dënojnë pak dhe jepeni votën pro, se policët dhe mjekët po punojnë e hanë byrek, e nuk kanë as t’i ushqejnë fëmijët e vet, e vlerësojeni se si do të kemi mundësi ta luftojmë pandeminë”, tha ai.

Në fund ky amendament nuk kaloi, pasi morri vetëm 24 vota për.

16:54

​Nuk kalojnë propozimet e Osmanit për blerjen e maskave dhe vaksinave, Bajrami: Kemi maska me bollëk

Gjatë shqyrtimit të dytë të rishikimit të buxhetit, dy amendamentet e propozuara nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, për parandalimin e përhapjes së pandemisë nuk kanë marrë votat e mjaftueshme nga deputetët.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se meqenëse ende nuk dihet se sa zgjatë pandemia, është e nevojshme të ndahen mjete për shpërndarjen e maskave falas për qytetarët.

Po ashtu nuk ka kaluar as amendamenti numër 43 për blerjen e vaksinave për të moshuarit mbi 65 vjeç.

“Shumica dërmuese e amendamenteve që deri tash ne i miratuam kishin të bënin me asfalt ose me shpenzime të tjera të cilat nuk lidhen në fakt me pandeminë. Duke ditur që prioriteti numër një duhet të jetë pikërisht mbrojtja e jetës së qytetarëve kam propozuar meqenëse qeveria ka vendosur pavarësisht pikëpyetjeve për bazën ligjore ka vendosur që të jetë e obligueshme bartja e maskave që ne t’i ndihmojmë qytetarët tanë ashtu siç e kanë shumë shtete të tjera anë e kënd botës. Që të përballojnë edhe këtë shpenzim sa do që dikujt mund t’i duket i vogël, mirëpo duke pasur parasysh përqindjen e qytetarëve që jetojnë në varfëri ekstreme në Kosovë, ne duhet t’i ndihmojmë edhe në përballimin e këtij shpenzimi”, tha Osmani.

Ndërsa ka reaguar ministrja e Financave Hykmete Bajrami, duke thënë se në stoqet Ministrisë së Shëndetësisë ka maska të mjaftueshme.

“Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dola t’iu them këtu që janë 500 mijë maska të cilat Ministria e Shëndetësisë i ka në stok për momentin dhe është duke i shpërndarë nëpër komuna, ndërsa janë 600 mijë të tjera të cilat vijnë me 1 shtator. Kështu që ka sasi të mjaftueshme”, tha Bajrami.

Ajo ka shtuar se me rishikim për Ministrinë e Shëndetësisë janë ndarë tre milionë euro më shumë për produkte farmaceutike, edhe për vaksina.

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar për blerjen e vaksinave, duke thënë se nuk ka kosto të caktuar, edhe pse tha se është ide e qëlluar.

15:28

Seanca rifillon me votim të amendamenteve

Ka rifilluar seanca në Kuvendin e Kosovës pas gati 1 ore pauzë.

Amandamenti 32 është vënë në votim. Gjithsej janë 108 amandamente.

14:06

Ndërpritet seanca për buxhetin, vazhdon në orën 14:50

Seanca e jashtëzakonshme për rishikimin e buxhetit është ndërprerë. Pauza do të zgjasë deri në orën 14:50.

Në proces është votimi i amendamenteve një nga një. Gjithsej, për projektligjin e votuar në lexim të parë janë propozuar 108 amandamente.

Pasi të përfundojë votimi i amendamenteve duhet edhe votimi për projektligjin në tërësi, për t’u kthyer në ligj, i cili sipas zyrtarëve qeveritarë po mban pengë qytetarët dhe bizneset rreth ndihmave që parashihen t’u ndahen në këtë kohë pandemie.

13:01

Fillon votimi i amendamenteve për Buxhetin 2020

Në Kuvendin e Kosovës, tashmë ka nisur votimi i amendamenteve të Ligjit për Buxhetin 2020.

Kuvendi po mban seancën e jashtëzakonshme për shqyrtimin e rishikimit të Buxhetit 2020 në lexim të dytë. 

Janë propozuar 108 amandamente.

12:48

Dallimi mes buxhetit të planifikuar dhe të hyrave – 800 milionë euro

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami tha se dallimi mes buxhetit të planifikuar prej 2.6 miliardë euro dhe të hyrave është rreth 800 milionë euro.

Sipas saj, të hyrat pritet të jenë 1.786.000.

“800 milionë euro është diksrepanca dhe kjo duhet të mbulohet nga emetimi letrave me vlerë, huazimi i brendshëm, i jashtëm dhe nga Trusti”, ka thënë Bajrami në seancën e jashtëzakonshme.

Ajo pak para votimit të projektligjit të buxhetit, tha se gjendja financiare në Kosovë është më e vështira deri më tash.

“Gjenda është shumë e rëndë, kemi rënie drastike, do të kemi 230 milionë euro më pak hyra deri në fund të vitit, kurse harxhimet për shkak të pandemisë po rritën dita-ditës. Neve na ka goditur më shumë, pasi nuk kemi rezervë”, ka thënë Bajrami.

12:37

PDK-ja përkrah projektligjin për buxhetin: Duhet të zgjedhim mes dy të këqijave

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shumë pakënaqësi për projektligjin e rishikimit të buxhetit.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur të paplotësuar dhe se nuk janë marrë parasysh amandamentet e propozuar nga PDK-ja.

Ai e ka quajtur ligj të keq, të improvizuar e që nuk do të përmbush nevojat e bizneseve dhe qytetarëve.

“Jemi në një situatë ku duhet të zgjedhim mes dy të këqijave, ose të mos e votojmë ose ta përkrahim buxhetin. Qysh do qoftë, do jetë më mirë se mos me përkrah. Ne emër të PDK-së, them se do ta votojmë, kemi konsisitencë në këtë pikë”, ka thënë shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza

11:58

Hoti mungon në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga ai

Ka nisur seanca plenare ku do të diskutohet e më pas të votohet për rishikimin e buxhetit.

Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti, por ai nuk ishte prezentë në sallë.

Në emër të tij, foli ministrja e Financave Hykmete Bajrami.

Ajo tha se tash e një kohë është bërë i pamundshëm implementimi i masave si pasojë e mosvotimit të rishikimit të buxhetit. Ajo ka ftuar deputetët të votojnë në lexim të dytë rishikimin, në mënyrë që sipas saj, të vazhdohet me pakon ndihmëse për qytetarët, por edhe atë të rimëkëmbjes.

Kryekuvendarja Vjosa Osmani tha se nuk është plotësuar rregullorja, meqë nuk është dorëzuar me kohë raporti i komisioneve funksionale, ku ka kaluar për shqyrtim ky projektligj.

Sipas Osmanit, duhen votat e 2\3 të deputetëve për shmangie të rregullores.