Kosova këtë të hënë ka shënuar rekord të ri sa u përket të dhënave lidhur me COVID-19. Edhe 8 persona kanë vdekur në 24 orë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 185.
276 raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 7 mijë e 413.
Prishtina ka më së shumti raste me 61 të infektuar, e më pas Gjilani me 29 e Podujeva me 23 raste, raporton KOHA.
Derisa në klinikat e QKUK-së e në spitale rajonale situata po vazhdon të rëndohet, me gjithsej 385 persona të konfirmuar me COVID-19.
Me gjithë këtë rritje në numrin e të infektuarve, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media, ka thënë se është duke u shqyrtuar mundësia e masave të reja, që do të publikohen gjatë javës.
Zemaj ka treguar se gjatë ditës kishte takim me kryetarët e komunave të Kosovës, dhe se atyre u është lënë të vendosin për hapjen e çerdheve.
Thirrje për të respektuar masat e institucioneve shëndetësore ka bërë edhe zv.kryeministri, Besnik Tahiri, i cili shtoi se së shpejti qeveria do të shpërndajë maska dhe pajisje të tjera mbrojtëse, ndryshe donacion nga Jordania.
Përndryshe në prag të festës së Bajramit, për të parandaluar përhapjen e pandemisë ministri i Shëndetësisë tha se do të mund të ketë kufizime të lëvizjes, por Bashkësia Islame njoftoi se të premten do të falet namazi ndonëse do të ndërmerren masa shtesë.