Arbëri

S’ka formë unike për ekzekutimin e gjobave për kundërvajtje, Supremja premton zgjidhje

Dy nene kundërthënëse brenda një ligji kanë shkaktuar paqartësi tek një numër i madh i gjyqtarëve, duke bërë që ata në disa raste të hezitojnë t’i ekzekutojnë vendimet për gjobat kundërvajtëse.

Ka dy vjet që gjyqtarët e departamenteve të kundërvajtjes në gjykata kanë pasur probleme me ekzekutimin e gjobave, duke u bazuar në dy nene: 30 dhe 163, raporton KOHA.

Derisa neni 30 përcakton afatet ligjore se deri kur mund të bëhen pagesat e gjobës.

Paragrafi i 4-të i nenit 163 të po këtij ligji thotë se arkëtimi me dhunë i gjobës për kundërvajtje e kryer dhe i shpenzimeve të procedurës së kundërvajtjes bëhet sipas dispozitave mbi arkëtimin me dhunë.

Kryesuesi i asamblesë së gjykatave të Kosovës, Bashkim Hyseni, thotë se këto dy nene kanë shkaktuar konfuzion te gjykatat se si duhet të ekzekutohen gjobat me dhunë.

Derisa tashmë pritet që Gjykata Supreme të japë një mendim juridik për mënyrën se si do të veprojnë gjykatat në të ardhmen lidhur me këto dy nene.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, thotë se ka pasur raste kur gjyqtarët e departamentit për kundërvajtje kanë hezituar ta bëjnë ekzekutimin e vendimeve bazuar në këto dy nene.

Derisa ai thotë se Supremja ishte dashur qysh moti të jepte qëndrim mbi këto dy nene.

E kreu i Supremes, Enver Peci, thotë të jetë në dijeni që dispozitat që kanë të bëjnë me ekzekutimin e dhunshëm në ligjin për kundërvajtje nuk janë duke u zbatuar, por që Supremja në kuadër të bazës ligjore do të nxjerrë një mendim juridik në kuadër të kornizës ligjore.

Ndërsa, Gëzim Shala nga IKD-ja thotë se kjo situatë ka ndikuar që të rritet numri i lëndëve të paekzekutuara duke i shkaktuar buxhetit të shtetit humbje milionëshe.

Lidhur me këtë situatë të krijuar, KTV-ja ka kërkuar përgjigje edhe nga gjyqtarët e departamentit të kundërvajtjes në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe gjithashtu të dhëna lidhur me numrin e dënimeve bazuar në këto dy nene, por nuk ka marrë përgjigje.