20:57

Aleanca për Shqiptarët pret fitore absolute ndër shqiptarët në Maqedoni

Aleanca për Shqiptarët pret fitore bindëse ndër shqiptarët, në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

Arben Taravari ka thënë në DESKU të KTV-së se Aleanca është favorite në zgjedhje.

“Shpresoj që pas orës 21:00 ajo të dalë fituese ndër shqiptarët”, ka thënë ai.

Taravari po ashtu ka dhënë vlerësimin e tij rreth ecurisë së zgjedhjeve. Ka thënë se dita ka qenë relativisht e qetë.

“Ka pasur presione nga dy partitë pushtetare, SDSM nga ana maqedonase dhe BDI nga ana shqiptare, por kjo s’do të ndikojë në rezultat. Presim që në orën 23:00 t’i kemi rezultatet fillestare, apo një përqindje të madhe të rezultateve të përpunuara”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në, për t’i çuar përpara rezultatet e zgjedhjeve.

“Gati se hiç”, ka thënë ai, i pyetur rreth një gjëje të tillë.

20:54

Bujar Osmani: Pres fitore bindëse të BDI-së

Bujar Osmani, anëtar i kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, në emisionin Desku në KTV ka thënë se presin një fitore bindëse të partisë së tyre, për shkak se sipas tij shqiptarët e kanë përqafuar idenë e një kryeministri shqiptar në Maqedoninë Veriore.

“Gjendemi në kushte të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Të gjithë kemi qenë me drojë se si do të ruajmë shëndetin e qytetarëve, sa do të jetë dalja e tyre. Jam i kënaqur nga ajo se si u organizuan zgjedhjet, por edhe në aspektin e daljes së qytetarëve. Gjithçka ka shkuar qetë dhe kujtoj se e dhamë testin e organizimit të zgjedhjeve të sigurta në kushte të pandemisë”, ka thënë Osmani.

Me këtë koncept sipas tij do të vazhdojnë rrënimin e kështjellave të monopolit etnik.

“Jam shumë optimist, shqiptarët e pranuan këtë ide thjesht gjithandej shihnim njerëzit se ideja po ngadhënjen. Tentuam që me këtë koncept të vazhdojmë atë ku e kemi nisur në vitin 2009 për rrënimin e të gjitha kështjellave të monopolit etnik në udhëheqjen e shtetit. Në vitin 2009 kishim identifikuar 12 pozicione në shtet të cilat janë ekskluzivisht të rezervuara për maqedonasit, kurse të jesh shqiptar ishte kriter përjashtimi, përfshirë këtu Ministrinë e Mbrojtjes, Financave, të Punëve të Brendshme, Parlamenti, Qeveria, kreu i shtetit dhe prej atëherë filluam të rrënojmë këto kështjella. Në atë moment e kemi ditur se hapi i radhës është kryeministri, si një hap drejt barazisë së plotë”, ka thënë Osmani.

Sipas tij partitë e tjera shqiptare nuk arritën të tejkalojnë interesat partiake.

“Me këtë kemi dashur të bashkojmë shqiptarët rreth një ideje më të madhe, t’i tejkalojmë kornizat partiake. Mirëpo ata nuk arritën të tejkalojnë interesat partiake dhe të bëhen bashkë, andaj dolëm me këtë ide për të bashkuar shqiptarët. Mendoj se shqiptarët e kanë përqafuar këtë ide dhe tani pres një fitore bindëse të BDI-së për t’u bërë faktor vendimmarrës që të marrë mandatin për të udhëhequr Qeverinë, për herë të parë nga një parti shqiptare. Nuk pajtohem që shqiptarët kanë probleme me të drejta elementare, shqiptarët janë shtetformues, të cilët udhëheqin me parlamentin e shtetit, të cilët kanë tre universitete shtetërore. Kanë komunat e tyre, që udhëheqjen nga vet shqiptarët”, ka thënë Osmani.

Sipas tij partitë politike shqiptare gjithmonë kanë garuar në ligën e dytë.

“Shteti ka qenë i kapur nga dy polësh i partive politike etnike maqedonase dhe shqiptarët është dashur që të presin se kush do fitonte njëra palë dhe pastaj të shihte me cilën do të ishte në Qeveri. Pretendojmë të marrim mandatin për të udhëhequr pushtetin për të vendosur pastaj se cilën parti maqedonase e marrim për të udhëhequr me shtetin”, ka thënë ai.

Osmani gjithashtu ka thënë se pas këtyre zgjedhjeve shqiptarët duhet të garojnë vetëm me dy lista, pasi vetëm në këtë mënyrë do të përfaqësonin në mënyrën më të mirë interesat e shqiptarëve por edhe opozita do të kontrollonte partinë në pushtet.

20:31

Sinani pret që BDI-ja të shkojë në opozitë

Arsim Sinani, publicist dhe profesor universitar, në emisionin Desku në KTV ka thënë se nuk duhet të befasohemi nëse sot BDI-ja do të shkojë në opozitë, për herë të parë pas 18 viteve.

Ai ka thënë se dikund 46 për qind e qytetarëeve kanë votuar dhe pritet deri në ora 21:00 ky fluks të rritet.

“Ajo që vërehet në këtë proces zgjedhor dhe që është interesante është çështja që ka të bëjë me shqiptarët, pasi besoj se do të jetë një natë e gjatë për Ali Ahmetin dhe subjektin e tij për shkak se Aleanca për Shqiptarët do ta sfidojë dhe mendoj se kjo është gjëja më interesante që mund të presim”, ka thënë Sinani.

Tutje Sinani ka shtuar se në kampin maqedonas vërehet një dalje më masovike dhe duket se atje kanë dalë më tepër qytetarë.

“Por duke e njohur mentalitetin e votuesit shqiptar që e lë deri në momentin e fundit, unë shpresoj shumë se deri në ora 21:00 qytetarët shqiptarë do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar dhe për të pritë edhe ndryshime edhe te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Partia politike shqiptare BDI-ja ka dështuar këto 18 vjetë të realizojë kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë fatkeqësisht duke e keqpërdorur atdhedashurinë dhe mirëqenien e shqiptarëve dhe dëshirën e madhe për të qenë themeltar në Republikën e Maqedonisë”, ka thënë Sinani.

Ai thotë se ka pakënaqësi te shqiptarët rreth BDI-së.

“Sonte mos u befasoni nëse do të shihni që BDI-ja do të shkojë në opozitë, për shkak se ka një pakënaqësi të madhe te shqiptarët dhe mendoj se kjo do të kapitalizohet. Realisht shqiptarëve të Maqëdonisë u ka munguar figura e zotit Arbër Xhaferi dhe këto janë pak a shumë zhvillimet që kanë ndodhur. Ali Ahmeti e ka injoruar tryezën e partive politike të iniciuar nga Rama dhe sa herë që pozitat e tij poltike dobësohen ai e kërkon tryezën për të mbijetuar politikuisht dhe ky është problemi kryesor. Mendoj se shqiptarët duhet të lirohen nga ai dhe ky mentalitet inferior ndaj palës maqedonase. Bashkimi do të ndodhë kur ku mentalitet do të bie nga pushteti”, ka thënë Sinani.

Sipas tij te pala maqedonase është e qartë se do të fitojë Zaevi, i cili është i mbështetur nga perëndimi, nuk besoj se do të ketë befasi.

“Në anën tjetër pres një fitore të opozitës shqiptare. Me gjasë BDI-ja do të kalojë në opozitë. Votën shqiptare e ka dëmtuar partia që ka qenë në pushtet e cila nuk ka komunikuar. Lëvizja Besa shkoi me LSDM-në pasi nuk u mor vesh me Aleancën për Shqipërët. Cilado parti shqiptare që fiton sërish do të ndërtojë koalicion me një parti maqedonase. VMRO-ja nuk është reformuar. Dëmet e partive shqiptare mendoj se duhet të jemi të vëmendshëm pasi partitë që kanë qeverisë deri sot kanë pasur një mbështetje të gjerë në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë ai.

Sinani pret përforcim të pozicionit të Vetëvendosjes në Maqedoni për zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk fiton opozita shqiptare.

“Varësisht nga rezultatet e sotme, nëse opozita shqiptare nuk do të ketë sukses atëherë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurti do ta ketë shumë më lehtë të penetrojë në Maqedoninë e Veriut dhe të bëhet partia kryesore opozitare në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas tij pandemia ka ndikuar shumë që diaspora shqiptare të mos vinte në këto zgjedhje, që sipas tij do të bënin ndëshkimin”, ka thënë Sinani.