Arbëri

Masat anti-Covid po u nxjerrin telashe bizneseve

Përderisa një sërë veprimtarish janë ndërprerë nga rreziku i përhapjes së koronavirusit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe me kafenetë e sallonet e bukurisë.

Një numër i këtyre bizneseve po punon duke iu përmbajtur masave mbrojtëse ndaj COVID-19.

Kaltrinë Çoçaj, pronare e një salloni ondulimi në kryeqytet, thotë se puna e tyre ka ndryshuar dukshëm.

Çoçaj thotë se janë duke u munduar që të respektojnë udhëzimet e institucioneve shëndetësore, si dezinfektimi i objektit dhe përdorimi i masave të tjera mbrojtëse, por që humbjet, sipas saj, janë evidente, transmeton KOHA.

Të njëjtin shqetësim kanë edhe pronarët e kafeneve dhe restoranteve. Madje, sipas tyre, ata janë në vështirësi të mëdha financiare, e që mund të çojë drejt mbylljes.

Dekorim Salihu nga ky sektor ka kritikuar edhe masat e institucioneve, përmes së cilave ushtrimi i punës së gastronomisë është kufizuar deri në orën 21:00.

E kjo nuk iu ka pëlqyer frekuentuesve të kafeneve, të cilët nuk ishin të paktë në numër këtë të mërkurë.

Për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus, javë më parë, Qeveria e Kosovës ashpërsoi masat mbrojtëse. Përveç ndalimit të punës së disa bizneseve, është kufizuar edhe lëvizja e qytetarëve në disa prej komunave me numër më të madh të rasteve.