21:32

Avokati i Thaçit s’është në listën e mbrojtësve të Speciales

Pierre-Richard Prosper, avokati që e ka mbrojtur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi gjatë intervistimit nga Specialja, nuk është në listën e mbrojtësve të Dhomave të Specializuara, u tha në emisionin RAPORT.

Të hënën ishte bërë e ditur se Thaçi në Hagë do të mbrohej nga Prosper. Ai është avokat amerikan, prokuror dhe ish-zyrtar i Qeverisë amerikane. Ka shërbyer si ambasador special për Çështje të Krimeve të Luftës nga administrata e ish-presidentit amerikan George Ë. Bush në periudhën 2001-2005.

Por, emri i tij nuk është në listën e mbrojtësve të Speciales.

Lidhur me këtë, juristi Kushtrim Palushi deklaroi se ky fakt mund të jetë trajtuar gjatë diskutimit të çështjeve teknike, të cilave iu referua presidenti.

“Ne e pamë deklaratën e Thacit që tha se katër orët e para ka pasur përplasje mes avokatit dhe prokurorit për çështje teknike. Me siguri kanë të bëjnë me faktin nëse avokati është anëtar i listës së avokatëve të Dhomave të Specializuara por edhe me publikimin e aktakuzës nga Prokurori, pra shkeljet që ka bërë prokurori i rastit, që ka krijuar bazë të mjaftueshme për ta kërkuar përjashtimin e tij nga ky rast. Mbrojtja, së paku mund të pretendojë se ai ka arsye personale”, ka thënë Palushi.

21:18

Zekaj: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar

Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar dhe për pasojë është themeluar Gjykata Speciale. Kështu thotë Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Sa i takon Shërbimit Informativ të Kosovës, që është drejtuar nga Kadri Veseli, Zekaj ka thënë se nuk ka pasur ndonjë procedurë penale ndaj saj si organizatë.

“Në përgjithësi sistemi i drejtësisë ka dështuar në ndjekjen e krimeve vendore dhe ato me karakter ndërkombëtar, apo të krimeve të luftës. Për këtë shkak i kemi pasojat, krijimin e Gjykatës së Specializuar apo Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale. Vendet tjera në regjion e kanë bërë në mënyrë të ndryshme, kanë krijuar gjykata vendore të cilat kanë akuzuar personat e caktuar, kanë arritur të provojnë apo mosprovojnë fajësinë e tyre dhe në fund disa prej tyre janë dënuar. Kjo nuk ndodhi te ne”, ka thënë Zekaj në emisionin “Raport”.

Natyrisht, në këtë proces ka ndikuar edhe dështimi i drejtësisë ndërkombëtare fillimisht.

‘Në fillim e kishim UNMIK-un pastaj edhe EULEX-in që akuzuan personat e caktuar dhe në fund shumë prej tyre dolën të pafajshëm, duke qëndruar në procedurat e paraburgimit me vite të tëra dhe në fund duke mos provuar fajësinë e tyre. Edhe sot kemi një dështim të gjykatës vendore dhe si rezultat u miratua ligji për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës. Patëm tendencën më 2018 për zhbërjen e kësaj gjykate që i është atribuuar në dëm të Kosovës dhe personave që sot janë të akuzuar pranë kësaj gjykate. Kjo gjykatë me llupë po shikon që këta persona mos të ndikojnë në drejtësi, qoftë në dëshmitarë apo prishjen e provave. Sot e kemi një aktakuzë që është një ‘sui-generis’ për sistemin e drejtësisë se si publikohet një aktakuzë në kundërshtim me rregullat e procedurës”.

21:12

Palushi: Dy arsye pse Thaçi dhe Veseli s’u deklaruan për çfarë dyshohen

Juristi Kushtrim Palushi ka dhënë dy arsye se përse Thaçi dhe Veseli nuk janë deklaruar rreth dyshimeve ndaj tyre.

“E para, ata s’janë deklaruar që të mos bëjnë publike më shumë për çfarë dyshohen, duke besuar në radhë të parë se Prokurori nuk do të ngrejë aktakuzë. E dyta, edhe nëse ngritët aktakuza, ajo mund të mos konfirmohet. Kësisoj, mbahet e heshtur se për çfarë ata janë të dyshuar”, ka thënë ai në RAPORT të KTV-së.

Palushi ka shtuar se e sigurt është që Prokurori i ka identifikuar krimet dhe viktimat për të cilat dyshohen ata.

“Deklarata e Prokurorit përmend 100 viktima dhe ato viktima me siguri janë përmendur me emra”, ka thënë ai.

Megjithatë, si ka thënë Palushi, në rast se aktakuza konfirmohet, ajo do të bëhet publike, kështu që përfundimisht do të mësohet se për çfarë akuzohen ata.

“Edhe gjykimi do të jetë publik, mirëpo ekziston edhe mundësia tjetër që vetë Zyra e Prokurorit të Specializuar u ka dhënë udhëzime palëve që të mos flasin në publik”, ka shtuar Palushi.

Sa i përket pranisë së kryetarit të Zyres për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencialë, gjatë intervistimit të Lushtakut, Palushi ka thënë se një gjë e tillë tregon për dështimin e Speciales.

“Ajo u ka lejuar hyrjen në objekt të personave që mbase s’duhet të jenë në atë cilësi. Ne nuk e dimë se në çfarë cilësie ka marrë pjesë Lajçi në procesin e intervistimit të Lushtakut. Duhet të bëhet një rishikim, rreth asaj se kush lejohet në objekt. Një gjë e tillë tregon për dështim të administratës së Speciales”, ka thënë ai.

20:56

Zekaj: Publikimi i vetëm dy emrave mund të konsiderohet drejtësi selektive

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë në “Raport” se publikimi i vetëm dy emrave nga disa të dyshuar sa janë, mund të konsiderohet drejtësi selektive. Zekaj ka theksuar se konfidencialiteti është prej parimeve të kësaj gjykate.

“Vetë procesi i mbylljes së gjykatës është i paraparë me rregullat juridike të gjykatës, me rregullat e procedurës dhe provave të gjykatës së specializuar. Konfidencialiteti është një prej parimeve të kësaj gjykate. Aktakuza dhe të gjitha materialet tjera parashihet të dërgohen në mënyrë konfidenciale. Në njoftimet e muajit shkurt dhe prill, deklarohet se aktakuza është konfidenciale deri sa ajo të konfirmohet. Tani ndodhi e kundërta, u publikuan dy emra nga disa të dyshuar që përfshihen në aktakuzë. Kjo mund të konsiderohet si drejtësi selektive, për shkak se po publikohen vetëm një pjesë e personave të dyshuar që janë në aktakuzë”, ka thënë ai.

Sipas Zekajt, ka dyshime tjera, nëse Thaçi është intervistuar më herët apo jo.

“Dihet botërisht që Kadri Veseli, si i dyshuar i dytë i kësaj aktakuze, është intervistuar gjatë dhjetorit. Kjo lë dyshime nëse Thaçi është intervistuar më herët, ndonëse ai nuk e pranon. Në rregullat e gjykatës parashihet edhe bashkëpunimi juridik me institucionet brenda Kosovës, ku obligohen të gjithë personat dhe institucionet të bashkëpunojnë me gjykatën. Kjo lë dyshime në këtë fazë”.

Megjithatë jo çdo herë prokurorët kanë respektuar procedurat, sipas Zekajt. Ai ka përmendur një shembull.

“Kemi pasur raste në të kaluarën kur prokurorët kanë ftuar të dyshuar dhe i kanë obliguar me urdhra të caktuara që t’i dërgojnë provat, provat që i akuzojnë ata. Kjo ka ra në kundërshtim edhe me Kushtetutën”.

20:48

Palushi: S’është strategji e mirë që Thaçi të mbrohet në heshtje

Duke e pasur parasysh peshën e aktakuzës dhe veprave me të cilat ngarkohet Thaçi, intervistimi i tij s’është proces që zgjat disa orë apo një ditë, teksa mbrojtja në heshtje nuk do të ishte strategji e mirë, ka thënë juristi Kushtrim Palushi.

“Janë dhjetë pika të aktakuzës dhe secila përmban vepra të caktuara penale dhe duhet të japë versionin e tij të mbrojtjes. Edhe nëse Thaçi do të zgjidhte të mbrohej në heshtje, Prokurori do të ishte i detyruar t’i lexojë të gjitha pretendimet. Por, sidomos në këto raste, marrë parasysh peshën e personit, historinë dhe pozitën, nuk do të ishte strategji e mirë që ai do të mbrohej në heshtje”, ka thënë Palushi.

Sipas tij, mbrojtja në heshtje merret si një lloj pranimi në heshtje, apo refuzimi për t’u deklaruar mbi atë që pretendon prokurori.

Palushi në RAPORT ka folur edhe për pjesën e fundit të deklaratës së Prokurorisë së Specializuar, përmes së cilës u bë e ditur aktakuza ndaj Thaçit e Veselit. Në të ishte përmendur pengimi i punës së Speciales prej tyre.

“Në sytë e Gjykatës Speciale, këta dytë janë parë si organizatorë të fushatës për zhbërjen e Speciales”, ka thënë ai, teksa ka rikujtuar fushatat e ndërlidhura me të.

Palushi ka përmendur edhe një aspekt tjetër të lidhur me kohën e publikimit të aktakuzës.

“Takimi në Washington dhe fakti se në opinion është diskutuar edhe ideja e amnistive për krimet e luftës. Si duket, i motivuar edhe nga kjo teori, Prokurori i Specializuar e publikoi deklaratën”, ka thënë ai.

20:36

Zekaj: Thaçi u mor në pyetje për aktakuzën, fillim i procedurës ishte i çuditshëm

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se ka pasur dilemë për intervistimin e presidenti Hashim Thaçi për shkak të fillimit të çuditshëm të procedurës nga ana e prokurorit. Zekaj ka thënë se procedura nuk ka qenë e zakonshme për Dhomat e Specializuara.

Zekaj ka folur në emisionin Raport në KTV, ndërsa ka theksuar se deklarata e Thaçit të hënën mbrëma ka hequr dilemat.

“Deklarata e Thaçit e ka sqaruar dilemën juridike për shkak të fillimit të çuditshëm të procedurës nga ana e prokurorit. Nuk ka qenë e zakonshme për dhomat e specializuara. Kemi pasur edhe rastin tjetër, që gjatë muajit shkurt prokurori i specializuar ka kërkuar përcaktimin e një gjyqtari të procedurës paraprake nga vet kryetarja e gjykatës dhe ai është përcaktuar, pasi pretendohet se janë dërguar aktakuza. Në prill e patëm kërkesën e dytë, aktakuzën e dytë. Por për vetë faktin që aktakuza në mënyrë të çuditshme doli në publik nga ana e prokurorit, na la në shumë mëdyshje se me çka kemi të bëjmë me këtë rast. A kemi të bëjmë me pengim të drejtësisë nga Thaçi si aktakuzë e re, që potencialisht do të mund të ishte apo pikë e re aktakuzës, apo për aktakuzën që e dërgoi prokurori special. Në bazë të intervistimit për dy ditë dhe deklaratës së shkurtër të Thaçit që janë parashtruar pyetje edhe për UÇK-në, na dha të kuptohet se është marrje në pyetje për aktakuzën që është dërguar me 10 pika, ashtu si ka dalë në opinion, që është shumë e çuditshme për shkak se janë publikuar vetëm dy emra, kurse në aktakuzë flitet për më shumë të akuzuar”, ka thënë Yll Zekaj.

Ai vlerëson se më dilema nuk ka. Zekaj thotë se në aspektin juridik, intervistimi është dashur të bëhet para se aktakuza të dërgohet për konfirmim.

“Me këtë sqarim është hequr dilema. Sot është intervistuar për aktakuzën me 10 pika, që në aspektin juridik ishte dashur të intervistohet para se ajo të dërgohet për konfirmim, me qëllim që t’i jepet mundësia edhe të dyshuarit, pasi që në këtë fazë mund të konsiderohet vetëm i dyshuar, që të jep pretendimet e tij lidhur me aktakuzën. Pastaj ajo të dërgohet për konfirmim të aktakuzës, për çka ka qenë një proces i çuditshëm i vet prokurorit të specializuar”, ka shtuar Yll Zekaj nga IKD.

20:32

Palushi: Deklarata e Thaçit lë të kuptohet se ai u intervistua në cilësinë e të dyshuarit

Nëse merret për bazë deklarata e Thaçit, pasi që doli nga selia e Speciales, atëherë ajo lë të kuptohet se ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ka thënë Kushtrim Palushi, jurist.

“Edhe tani, nga deklarimi i Thaçit, nuk e kemi të qartë se në çfarë cilësie është intervistuar Thaçi, por mund të nxjerrim disa konkludime nga përmbajtja e deklaratës së tij”, ka thënë ai në RAPORT të KTV-së.

Palushi i është referuar prononcimit të Thaçit dhe faktit se i pari i Kosovës e përmendi që prokurori e kishte pyetur atë rreth UÇK-së.

“E kjo lë të kuptohet se ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit”, ka thënë Palushi, teksa ka vazhduar se një gjë e tillë ngrit një pyetje: Pse duhet të intervistohet si i dyshuar tani, kur tashmë është dorëzuar aktakuza.

“E këtu ekziston një teori ose arsye: Gjyqtari i procedurës paraprake e ka kthyer në plotësim aktakuzën, duke kërkuar nga prokurori ta intervistojë Thaçin, para se ta dorëzojë aktakuzën”, ka thënë Palushi.

Palushi po ashtu ka përmendur mohimet e mëhershme të Thaçit, se është intervistuar nga Specialja më herët.

“Nëse gjyqtari i procedurës paraprake e ka kthyer për këtë arsye teknike, si thotë Thaçi, aktakuzën tek prokurori dhe intervistimi i tij përmbyllet me sukses, atëherë nuk ka arsye tjetër që aktakuza të shqyrtohet për çështje teknike. Tani është vetëm hapi i konfirmimit të saj nga gjyqtari i procedurës paraprake”, ka thënë Palushi.