21:51

Seanca rreth pandemisë vazhdon nesër

Është ndërprerë seanca e sotme lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, për të vazhduar nesër nga ora 10:00.

Kjo është bërë për shkak se në rend për të folur ishin edhe 22 deputetë, shumica prej tyre nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Propozimi im është që të shtyhet seanca për nesër. Jemi këtu nga ora 14:00 dhe s’ka pasur mundësi të dezinfektimit profesional”, ka thënë Osmani.

21:16

Osmani procedon amendament që qytetarëve t’u ndahen maska falas

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në seancën për pandeminë ka thënë se ka proceduar një amendament në Ligjin për rishikim buxhetor, për t’u ndarë qytetarëve maska falas.

Ajo thotë se është propozuar një shumë prej 3 milionë euro.

“Unë sot kam proceduar amendament në Ligjin për rishikim buxhetor, në mënyrë që të përfshihet buxheti për shpërndarjen e maskave shumë përdorimëshe falas për qytetarët mbi moshën 6 vjeçare, fjala është për maskat që mund të përdoren më shumë se njëherë. Në tregun tonë ato kushtojnë përafërsisht një euro, që do të thotë buxheti i propozuar është 3 milionë euro. Në këtë mënyrë secili qytetar që ka nevojë ta përdorë atë mund ta pastrojë dhe ta përdorë sërish, për secilin nga dy maska”, ka thënë Osmani.

Osmani ka treguar se ku do të merren ato para.

“Dhe ku e marrim atë buxhet, e marrim nga paratë e luksit. Që janë ndarë për disa institucione që po tentojnë t’i ndryshojnë mobiliet, të blejnë telefona, llaptopa e vetura të reja. Ato mund të jenë të nevojshme në një periudhë normale, por ne nuk jemi në periudhë normale. Rrjedhimisht ai buxhet duhet të merret dhe shpresoj shumë që ju deputetë do ta miratoni këtë amendament në buxhet që të gjithë qytetarëve tanë t’u shpërndahen së paku nga dy maska shumë përdorimëshe”, ka thënë Osmani.

Osmani gjithashtu ka bërë të ditur se do të procedojë amendamentin për përfshirjen, planifikimet buxhetore të vaksinës së njohur si “pneumococcal vaccine”, e cila në shumë shtete është e domosdoshme dhe pjesë e sistemit të imunizimit dhe ajo do të duhej t’u jepej të gjithë personave mbi moshën 65 vjeçare dhe të gjithë atyre që kanë probleme me mushkëri.

“Shpresoj që edhe këtë amendament do ta përkrahni si parakusht që rishikimi i buxhetit të jetë vërtet rishikim që ndihmon në luftimin dhe parandalimin e pandemisë. Ne nuk do të mund të merremi me menaxhimin e efekteve ekonomike pa u marrë fillimisht me emergjencën shëndetësore. Pra, nuk mund të ketë rimëkëmbje ekonomike duke përjashtuar aspektin e shëndetësisë. Tash ruajmë shëndetësinë në mënyrë që të kemi mundësinë ta rimëkëmbim ekonominë”, ka thënë Osmani.

21:07

Osmani i kundërpërgjigjet Selmanajt: Ligji për Covidin parandalon një cikël eventual të shkeljeve

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministrit, Driton Selamanaj duke thënë se Ligji për Covidin parandalon një cikël eventual të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Selmanaj, që është kundër këtij Ligji, ka deklaruar se një ligj i tillë krijon hapësirë për një cikël eventual të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Osmani ka thënë se një ligj i tillë është i domosdoshëm.

“Sikur në rastin e parë e të dytë të Gjykatës Kushtetuese e detyron Kuvendin, nuk është çështje dëshire. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë fuqinë e Kushtetutës, pra ne kemi obligim kushtetues që ta nxjerrim këtë ligj. Ligji është i domosdoshëm nga aspekti kushtetues, por ai është i domosdoshëm edhe nga aspekti human e shëndetësor. Prandaj edhe obligimin tonë karshi asaj që na ka thënë Gjykata Kushtetuese, por në radhë të dytë dhe shumë më me rëndësi, karshi qytetarëve tanë duhet ta marrim me shumë seriozitet”, ka thënë Osmani. “Projektligji e bën të kundërtën e asaj që e tha zëvendëskryministri (Driton Selmanaj), pra nuk krijon hapësirë për një cikël eventual të shkeljeve të të drejtave të njeriut, por parandalon një cikël eventual të shkeljeve të të drejtave të njeriut”.

Osmani ka thënë se ai ligj nuk e ka hartuar ajo.

“Atë, në mënyrë që të mos politizohet, nuk e kam hartuar unë por ekspertët më të njohur në vendin tonë të së drejtës Kushtetuese dhe për t’i sqaruar të gjitha ato që i tha zëvendëskryeministri. Gjykata Evropiane e quan testi pesë pikësh, ose testi pesë hapësh, që ndër të tjerash bëhet njëfarlloj matje nëse ka qenë kufizimi në përputhje me ligjin, nëse ai kufizim ka qenë i nevojshëm në një shoqëri demokratike dhe masat e tjera që tentojnë të shohin në qoftëse ajo çfarë ka ndërmarrë Qeveria është proporcionale me rrezikun. Në këtë rast besoj se nuk ka nevojë askënd ta bindi se sa i madh është rreziku. Masat që duhet të merren e plotësojnë testin e proporcionalitetit”, ka thënë Osmani.

Sipas saj ky ligj është parakusht për kalimin e rishikimit të buxhetit.

“Për ta trajtuar seriozisht situatën në të cilën jemi ne duhet të sigurohemi që para se të kalojë rishikimi (i buxhetit), të plotësohen një sërë parakushtesh. Dhe parakushti i parë është kalimi i Ligjit anti-covid. Pa u krijuar baza ligjore ne nuk mund të sigurohemi që po ndahet buxhet për masa të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”, ka thënë Osmani.

20:20

Selmanaj tregon pse janë kundër Ligjit për COVID-19

Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj, në Kuvendin e Kosovës ka thënë se janë kundër Ligjit për COVID-19 për shkak që të mos lejojnë që të futen në një cikël eventual abuziv.

“Institucionet ekzekutive mund të futen në një cikël të shkeljeve të vazhdueshme sepse nuk kemi një instrument i cili matë deri në cilin nivel është shoqëri e hapur dhe demokratike. Prandaj, ne si Qeveri kemi thënë kështu: për shkak që të mos lejohet abuzimi eventual i cilitdo institucion ekzekutiv në Kosovë, të mos futemi në këtë cikël të abuzimit eventual dhe kemi thënë, ligji aktual rregullon mjaftueshëm kuadrin ligjor, rregullon mjaftueshëm masat për të ndërmarrë në secilën komunë veç e veç”, ka thënë Selmanaj.

Por, sipas tij, nëse ka nevojë atëherë kalojnë në kuadrin tjetër ligjor – shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Kam përshtypjen se për shkak të emrave të përveçëm, po dëshirojmë ose pa qëllim, po futemi në deformim të kuadrit ligjor në Kosovë. Nuk e kemi ne problem që të ndryshohet ligji dhe të na mundësohet neve të bëhet ajo. Ku është qëllimi politik, pse Qeveria duhet ta kundërshtojë atë. A e din se pse e kundërshton, për shkak që të mos futet në një cikël eventual të abuzimit me normën dhe më pas na dërgoni kushdo në Gjykatën Kushtetuese, ky është vlerësimi jonë profesional”, ka thënë Selmanaj.

20:00

Hoti: Festa e Bajramit dhe tubimi i Vetëvendosjes kanë quar në rritjen e rasteve me COVID

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti rritjen e rasteve me Covid-19 ia ka atribuuar festës së Fitër Bajramit, më 24 maj, dhe tubimit të Vetëvendosjes më 12 qershor.

Gjatë seancës plenare ku është duke raportuar për menaxhimin e situatës me pandeminë, shefi i ekzekutivit tha se për rritje e rasteve pas këtyre dy ngjarje tregojnë të dhënat shkencore.

“Janë dy ngjarje specifike që kanë quar në numrin e rritjeve të rasteve. Këto të dhënat janë shkencore. E para është data 24 maj, festa e Fitër Bajramit, pas dy jave të festës ne kemi rritje të numrit të rasteve. Ngjarja e dytë është 12 qershori është përvjetori i VV-së dhe pas 2 jave e kemi pikun tjetër. Këto janë të dhëna që tregojnë profesionistët shëndetësor”, tha ai.

Krahas kësaj, Hoti tha se nuk janë duke përdorur modelin Suedez për imunizimin e qytetarëve.

nuk jemi duke përdorur modelin e Suedisë siç e përmendi deputetja Kollçaku. Nuk jemi duke shkuar në drejtim për imunizim, por duke marrë masat”, tha Hoti.

19:01

Zemaj deputetit të VV-së: Në sy vërehesh se je me simptoma

Ministri i Shëndetësi, Armend Zemaj, në Kuvend i është drejtuar njërit prej deputetëve të Vetëvendosjes se sytë i tregojnë se është me simptoma.

Ai ka akuzuar Vetëvendosjen për numrin e lartë të të prekurve me COVID-19 në Kosovë.

“Ajo më e keqja që ka ndodhë, ka ndodhur pas datës 12 qershor, ku inkubimi i infeksionit është shpërndarë në mënyrë marramendëse. Mbylleni seancën për publikun edhe ua lexoj me emra anëtarët e afërm të juaj, aktivistët që janë të infektuar nga COVID-19 pas datës 12 qershor. Mbylleni seancën për publikun ua lexoj me emër dhe mbiemër”, ka thënë Zemaj.

Ai u ka kërkuar deputetëve të Vetëvendosjes që të bëjnë testimet.

“Ju jeni të dyshuar, të infektuar, ju jeni persona kontakti, shkoni bëni testet, ecni rend shkoni bëni testet. Pse po ikni nga testet. Po ti je me simptoma, në sy shihesh që je me simptoma. Sytë të kallxojnë që je me simptoma”, ka thënë Zemaj.

18:57

​Hyseni: Shtimi i masave duhet të jetë opsion, jo rimbyllja totale

Sipas deputetit të LDK-së, Ekrem Hyseni, numri i të infektuarve, krahasuar me numrin total të popullsisë është tejet i vogël dhe Kosova është sot me 2-3 përqind të popullatës pozitive me Covid-19.

Deputeti Hyseni, duke kërkuar shtim të masave, por jo mbyllje totale, ka kërkuar nga Qeveria që të sigurojë maska për qytetarët me një kosto më të ulët.

“Shtimi masave duhet të jetë opsion, por jo edhe mbyllja totale. Meqenëse bartja e maskave tani është e detyrueshme, ne për Qeverinë sot e kemi edhe një kërkesë: Që të shikohet mundësia që këto maska të sigurohen nga Qeveria dhe ta lehtësojnë sadopak qasjen tek maskat me një kosto më të lirë dhe po ashtu organet mbikëqyrëse të masave të jenë sa më aktiv që të kemi rezultate sa më të mira dhe një kohë sa më të shkurtë”, theksoi Hyseni.

18:46

Sipas Time Kadrijajt, situata me pandeminë më e mirë tani se në qeverisjen Kurti

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në seancën e sotme për menaxhimin e situatës me COVID-19 ka thënë se situata aktuale është më e mirë sesa në qeverisjen Kurti, të cilën e ka akuzuar për manipulim.

Ajo ka kritikuar Qeverinë Kurti, e cila, sipas deputetes Kadrijaj, ka përdorur situatën pandemike vetëm për protagonizëm e reklamë.

“Me lejoni vetëm t’ua prezantoj të vërtetën e Kosovës në krahasim me botën sa i përket menaxhimit të pandemisë në qeverinë e kaluar dhe në këtë qeveri krahasuar me parametrat vlerësues të ‘worldmeters’, faqe e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë dhe e cila shfrytëzon të dhënat e OBSH-së për 213 shtete të botës. Ndonëse Kosova nuk është anëtar e OBSH-së nuk do të thotë, që ne të mos studiojmë dhe analizojmë shkencërisht statistikat tona dhe t’i krahasojmë me parametra botëror, nuk do të thotë që të fshihemi nga e vërteta dhe të manipulojmë e mashtrojmë qytetarët tanë”, tha ajo në Kuvend.

Kadrijaj ka thënë se situata në kohën e qeverisë Kurti, situata nuk ka qenë ashtu siç është thënë.

“Sa i përket sëmundshmërisë, përhapjes së infeksionit me Covid 19, Kosova renditej në vendin e 79 kurse sot është në vendin e 56 çka i bie jemi më mirë për 23 vende. Kurse sa i përket vdekshmërisë deri më 30 maj Kosova ishte në vendin e 74 ndërsa tani gjendet në vendin e 59 që i bie se jemi më mirë për 15 vende në renditje”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka thënë se, “sa i përket numrit të testimeve në 1 milion banorë ishim në vendin e 116, kurse sot jemi në vendin e 101 që i bie jemi më mirë për 15 vende në renditje të shteve të botës menumër të restimeve”.

Sipas saj kjo është e vërteta e menaxhimit të pandemisë në Kosovë.

“Kur është në pyetje shëndeti publik i qytetarëve tanë, kur është në pyetje jeta e tyre nuk guxoni të manipuloni politikisht me të vërtetën por duhet ta mbroni atë dhe të ndjeni përgjegjësi të kontribuoni në përmirësim të situatës”, ka thënë Kadrijaj.

Tutje ajo ka shtuar se Vetëvendosje kishte filluar me lehtësimin e masave në kohën kur s’kishte ligj për COVID-19, që sot kërkohet aq shumë nga VV.

“Qeveria Kurti, ka filluar me lehtësimin e masave kundër koronavirusit në Kosovë në fazën e parë më 4 maj, fazën e dytë më 18 maj dhe fazën e tretë më 1 qershor pa e miratuar Ligjin anti-COVID, pa e analizuar mirë situatën e rënduar, ndërsa edhe shtetet me të fuqishme si SHBA tek në mes të qershorit filluan aplikimin e fazës së parë, ndërsa tek ne pikërisht LVV në atë periudhë organizonte protesta me motive politike. Bile në ato tubime politike mbajti fjalim edhe ish- ministri Vitia i cili u zhvesh nga petku i mantelbardhit sapo la pozitën. Nga ai tubim filloi gjithçka për mbrapsht sa i përket rrëshqitjes nga duart e situatës me pandeminë”, tha ajo.

17:56

PDK-ja propozon që emrat e të infektuarve me COVID-19 të bëhen publikë

Në seancën e Kuvendit rreth pandemisë PDK-ja ka propozuar ndër të tjerash që emrat e të infektuarve me COVID-19 të bëhen publikë.

Deputeti Bekim Haxhiu, që foli në emër të PDK-së, tha se transparenca në këtë drejtim është interes publik sot dhe mundësi e ndjekjes penale për personat të cilët me COVID-19 shkelin kriteret e izolimit dhe masat mbrojtëse.

PDK-ja ka propozuar gjashtë rekomandime:

Të autorizohet komisioni parlamentar për shëndetësi dhe mirqenie sociale që në afatin më të shpejtë kohorë të sjellë për votim në Kuvend ligjin anti-covid.

Duke falënderuar për punën e tyre të gjithë stafin shëndetësor që po e bëjnë betejën koronavirusin çdo ditë dhe pa kursyer asgjë, PDK-ja kërkon urgjentisht nga Qeveria e Kosovës që me vendim të veçantë të rritë pagat e profesionistëve shëndetësorë ashtu siç ishte planifikuar me ligjin e pagave duke shtuar edhe rritjen sipas kërkesave të infermierëve dhe mamive. Gjithashtu ky vendim duhet të përfshijë të gjithë zyrtarët shtetëror që po përballen çdo me betejën me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë të punojë maksimalisht që të punësojë së paku edhe 1500 profesionistë shëndetësorë në nivel të Kosovës me qëllim të përballjes me situatën me pandeminë.

Decentralizim të testimeve dhe të trajtimeve me COVID-19, duke mbështetur komunat në menaxhim të situatës me plan konkret si dhe angazhim të Spitaleve private në menaxhim të situatës duke bërë mobilizim të të gjitha kapaciteteve njerëzore dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore.

Të licencohet sektori privat për të bërë teste për COVID-19, duke i obliguar që të raportojnë rezultatet në baza ditore në IKSHPK dhe në Ministri të Shëndetësisë.

Autorizohet IKSHPK-ja që të bëjë publike emrat e personave që janë testuar dhe të atyre që kanë rezultuar pozitivë, transparenca në këtë drejtim është interes publik sot dhe mundësi e ndjekjes penale për personat të cilët me COVID-19 shkelin kriteret e izolimit dhe masat mbrojtëse.

Haxhiu gjithashtu ka akuzuar Qeverinë Kurti dhe tani Qeverinë Hoti për mos testime të mjaftueshme për COVID-19.

17:16

Hoti: Kishim vetëm dy mundësi që t’i përgjigjemi COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në Kuvend ka thënë se kishin vetëm dy mundësi që t’i përgjigjeshin COVID-19.

“Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes tonë kishim dy mundësi se si t’i përgjigjemi kësaj gjendje të krijuar nga COVID: E para ishte që të nxisim qytetarët tanë të ruajmë distancën, të mbajnë maskën dhe të përkujdesen për higjienën e tyre personale, të obligojmë administratën publike dhe sektorin privat që t’i përmbahen me korrektësi masave mbrojtësi që ne i kemi përmbledhur në manual dhe të përkrahim sistemin tonë shëndetësor dhe atë monitorues me profesionistë shtesë. Mundësia e dytë ishte që të mbyllim sërish njerëzit në shtëpitë e tyre duke ndaluar sërish punën dhe ekonominë”, ka thënë Hoti.

Ai shton se u përcaktuan për opsionin e parë të bashkëjetesës me virusin në distancë, duke mos ndaluar ekonominë, por mbi të gjitha duke luftuar për çdo jetë.

IKSHPK-ja tregon masat e reja në luftimin e COVID-19

“Si për ato që preken me COVID-19 ashtu edhe për ato që po rrezikohen nga varfëria. Rruga që kemi zgjedhur është më e vështira dhe nuk fitohet vetëm nga profesionistët shëndetësorë, ajo rrezikon të dështojë nëse ne si qytetarë nuk i respektojmë masat. Megjithatë, ne u detyruam që pas rritjes së numrit të të infektuarve të kthejmë disa prej masave shtrënguese. Indikatorët që vinin nga IKSHPK-ja na sinjalizuan që administrata, subjektet afariste e në veçanti gastronomia paraqesin rrezik në shpërndarjen e virusit”, ka thënë Hoti.

Ai ka treguar se kufizimi i lëvizjes është bërë edhe në katër komuna të tjera.

Hoti ka treguar kufizimi është bërë në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Gjilan, Fushë Kosovë, Shtërpcë, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan nga ora 21:00-05:00 ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave jashtë shtëpive (qarkullimi lejohet për raste urgjente shëndetësore).

Ai ka shtuar se ndër masat e tjera është edhe obligimi i të gjithë banorëve që të mbajnë maskat. Sipas tij ky vlerësohet se është kushti themelor për uljen e numrit.