17:14

Italia përshëndet rifillimin e dialogut

Italia është vënë në përkrahje të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke e përsëritur mbështetjen e fuqishme italiane për këtë proces.

Përmes një komunikate për shtyp të ministrisë së Jashtme italiane, dy palëve u është bërë thirrje që të punojnë në mënyrë konstruktive, në përputhje me perspektivën e tyre evropiane.

“Ne mbështesim lehtësimin e udhëhequr nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, për të gjetur një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë që garanton paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe mirëpresim çdo nismë që synon fuqizimin e përpjekjeve të tij”, shkruhet në njoftim.

17:06

Bildt: Të mos priten rezultate të shpejta në dialog

Fillim të mirë e ka cilësuar Carl Bildti takimin virtual të Brukselit të dielën, midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndonëse ka thënë të mos priten rezultate të shpejta.

Përmes një statusi në Twitter, Ish-kryeministri suedez, njëherësh dhe ish-ndërmjetësues i Bashkimit Evropian për ish-Jugosllavinë ka thënë se fjala është për një proces që përfshin zgjedhje të vështira.

“Fillim i mirë i dialogut të BE-së midis Kosovës dhe Serbisë, teksa tashmë janë bërë plane për vazhdim. Por, s’do të prisja rezultate të shpejta. Është proces i gjatë që përfshin zgjidhje të vështira”, ka thënë ai.

Takimi Hoti-Vuçiq, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka rifilluar në formë të video-konferencës, të dielën. Ka qenë ky takimi i parë i nivelit të lartë që nga viti 2018, teksa do të pasohet me një takim me prani fizike, në Bruksel, më 16 korrik.

16:56

Hoti rreth dialogut: U pajtuam për takimin e së enjtes, të parin pas 20 muajsh

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se në të gjitha takimet në kuadër të dialogut, ai e ka prezantuar platformën e shtetit të Kosovës.

“Në këtë proces hyjmë për njohje reciproke. Sot kemi arritur që të kemi pajtueshmëri për takimin e së enjtes që është takimi i parë pas 20 muajsh”, ka thënë ai.

Hoti ka shtuar se temat e dialogut janë të njohura.

“Marrëveshja finale duhet ta përfshijë njohjen reciproke, adresimin e çështjes së të pagjeturve dhe të gjitha çështjet që duhet të normalizojnë raportet midis dy vendeve”, ka thënë ai.

14:08

Përfundon takimi Hoti – Vuçiq, Lajçak: Dialogu është kthyer në binarë

Ka përfunduar takimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë e konfirmoi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, duke thënë se palët janë pajtuar edhe për agjendën e takimit të radhës të enjten që vjen, raporton KOHA.

“Ne sapo përfunduam takimin virtual mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Hoti. Kam kënaqësinë të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është kthyer në binarë pas 20 muajsh”, ka thënë Lajçak.

Ai më pas ka shtuar se, “si rezultat i takimi të sotëm jemi pajtuar për elementet kryesore të procesit”.

“Jemi pajtuar poashtu për agjendën e takimit të radhës i cili do të zhvillohet në Bruksel të enjten që vjen me pjesëmarrjen personale. Dua të falënderoj të dyja palët për angazhimin e tyre konstruktiv sot”, ka thënë Lajçak.

08:00

Takimi virtual Hoti-Vuçiq, pritet të nisë në ora 10:00

Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), e ka publikuar agjendën e plotë të takimit që pritet të mbahet sot në mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky video-takim, sipas njoftimit të EEAS, pritet të fillojë në ora 10:00.

“Dialogu Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian do të rifillojë në Bruksel në formën e videokonferencës. Do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë i Dialogut që nga viti 2018 dhe do të pasohet nga një takim personal i nivelit të lartë në Bruksel të enjten më 16 korrik”, thuhet në njoftim.

Në takim gjithashtu do të marrin pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel, dhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton kp.

“Diskutimi të dielën do të zhvillohet nga Brukseli nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell dhe i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq do të bashkohet nga distanca nga Beogradi dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nga Prishtina”.

“Takimi është planifikuar të fillojë në orën 10:00. Mbulimi me fotografi dhe video do të sigurohet nga EEAS dhe do të transmetohet në Këshillin e BE dhe kanalet EbS”, thuhet në fund.